Është njëri ndër djeppunuesit më në zë të Gjakovës. Zanatliu Ruzhdi Qarri për 53 vjet prodhoi mijëra produkte nga druri.
69-vjeçari thotë se me padurim pret të zbardhë dita që të nisë punën në dyqanin e tij të vendosur prej vitesh në Çarshi të Madhe.
Ai është i kënaqur me punën e tij, por thotë se kjo zeje ka mbetur si sektor i pashfrytëzuar sa duhet në vend.
“Neve na kanë thënë ‘kutixhi’. Unë e kam të trashëguar nga babi, babai nga gjyshi. Kutitë e nuseve të cilat i kemi punuar më herët kanë qenë të veçanta dhe janë punuar vetëm në Gjakovë. Këto kuti kanë qenë të kërkuara deri në vitet ‘70 dhe pas këtij viti jam marrë me prodhimin e djepeve, dhe më quajnë djeppunues. Është zanat në zhdukje, mundem me thënë që me ketë zeje kam mbetur vetëm unë. Punoj djepa, sofra të vogla tradicionale, pasi ato të mëdhatë janë dalë prej përdorimit. Vlerësohet mjaft puna ime nga turistët, por prodhohet pak, sepse kërkesa për blerje ka më pak”.
që e trashëgoj nga babai e punon edhe sot. Fehmi Vejsa punën e tij si “saraç” e ka nisur që i vogël. Kryefamiljari thekson se me këtë zeje e ka mbajtur familjen për 65 vjet.
“Këtë zeje e kam trashëguar nga babai. Nga 4 vëllezërit vetëm unë e kam trashëguar këtë zeje, në ditët e sotme kjo zeje është në zhdukje, për ketë arsye nuk kam tentuar me e trashëgua edhe te djemtë e mi. Veshjet për kuaj që i kam prodhuar deri më sot nuk e kanë shitjen sikurse më herët, por e kam vazhduar me prodhimet e lëkurës, si rripa të pantallonave, rripa për kafshë të ndryshme”.
74-vjeçari thotë se është i vetmi që punon me këtë zeje në Gjakovë. Por vullneti për punën e ka bërë atë të jetë aktiv edhe në këtë moshë.
“Kur kam qenë fëmijë kam punuar opinga prej gome, pastaj kam filluar me shala të kuajve për kalarim, me kohë kërkesa ishte e vogël dhe filluam të punojmë veshje për kuaj. Zeja përpara ka qenë e njofton, ka pasë shitje të madhe, në vitet ‘70 kanë qenë 20 dyqane “saraçë” në Gjakovë, kurse tani jam i vetmi. E mbaj ketë zeje nga meraku që kam pasë dhe kam për të. Do të punoj në këtë zeje derisa të jem gjallë”.
Zejtaria e mjeshtërve të vjetër në Çarshi të Madhe, Ruzhdi Qarri e Fehmi Vejsa, kohë më parë ishte vlerësuar më shumë . Ata janë shembull për gjeneratat e reja, derisa thonë se me punë arrihet çdo gjë.
Kur jemi tek zejet, Çarshia e Madhe njihet për 525 dyqane të zejeve të ndryshme, të cilat vite më parë ishin cilësuar si ekonomia e Gjakovës, ndërsa sot vetëm 35 dyqane prej tyre janë funksionale.
Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, Osman Gojani, ka deklaruar se Çarshia e Madhe ndër vite nuk e ka ndryshuar asnjëherë arkitekturën e vjetër.
“Çarshia e Madhe u formua me ndërtimin e Xhamisë së Hadumit. Kjo xhami u ndërtua në vitin 1585. Në këtë pjesë të Gjakovës nuk ka pasur banim, vetëm dy lagje kanë qenë të banuara qysh nga koha ilire; Mahalla e Gesharve dhe ajo e Gecës. Mes këtyre dy lagjeve është krijuar xhamia dhe u krijua qyteti i ri. Çarshia nga viti ‘58 është objekt i trashëgimisë kulturore, dihet se ka pasur sakrifica të shumta, është djegur disa herë nga serbët e malazeztë, por më vonë është rikthyer në gjendjen siç ka qenë. Zejtaria ka luajtur rolin kyç në Çarshinë e Madhe”.
Gojani thekson se kjo çarshi u shkatërrua gjatë luftës në Kosovë dhe u rindërtua më pas.
“Gjatë luftërave të cilat i ka përjetuar Gjakova shumë janë shkatërruar Çarshia e Madhe, Kulla e sahatit, Hamami i vjetër, por krejt këto janë rindërtuar pa e humbur strukturën e vjetër të objekteve. Nga viti ‘82 deri më 1999 janë rikthye objektet e shkatërruara. Gjatë luftës 1999 janë shkatërruar 461 objekte në Çarshinë e Madhe, edhe këto i kemi rindërtuar pas luftës”.
Çarshia e Madhe aktualisht është vend i disa dyqaneve me zeje dhe kafene, por ndërtimi ka mbetur mes Çarshisë së Vjetër dhe Çarshisë moderne.