Reperi Macklemore është larguar nga turi amerikan i Ed Sheeranit pas komenteve pro-Palestinë që bëri më herët gjatë muajit.
Artisti – emri i vërtetë i të cilit është Benjamin Haggerty – ka qenë akti hapës i turneut “Loop” të Sheeranit, por u kritikua nga grupe hebreje pasi pati thënë “Free Palestine”, në dy koncerte dhe duke bërë fjalime politike.
Macklemore qëndroi prapa komenteve edhe të hënën, tek ka konfirmuar se është larguar nga turi dhe ka shkruar në një deklaratë se viktimat e vërteta janë palestinezët në Gaza.
Ed Sheeran nuk ka komentuar ende e as nuk ka bërë të ditur se kush do ta zëvendësojë Macklemoren për pjesën e mbetur të turit.
Çështja u nis më 4 shtator, kur Macklemore, aktivist i kahmotshëm për Palestinën, performoi në koncertin e Ed Sheeranit në New Jersey.
“Një pjesë e madhe e arsyes përse doja të bëja këtë tur në radhë të parë ishte që të vija në stadiume si ky dhe të them dy fjalë që janë shumë, shumë të përzemërta për mua: Liri Palestinës”, i pati thënë ai audiencës.
Më pas pati performuar “Hind’s Hall”, që dënon aksionin ushtarak të Izraelit në Gaza, ndërsa në klip ka shkatërrimin e Gazës, e që u shfaq edhe në ekranin e madh.
Pas performancës, grupi “Stop Antisemitism” kritikoi reperin duke thënë se “fansat hebre kanë blerë biletat për të parë duke kënduar Ed Sheeranin... e jo për t’u gjendur papritur përballë propagandës anti-Izrael të Macklemoret”.
Të nesërmen, Macklemore u rikthye në skenë dhe iu drejtua direkt “vëllezërve e motrave hebrenj” në audiencë.
“Kritika ndaj Izraelit, ndaj aparteidit, të qenit kundër gjenocidit, nuk është kritikë ndaj jush”, pati thënë ai, duke shtuar se dëshiron që njerëzit në Gazë dhe Bregun Perëndimor ta dinë se nuk janë të harruar.
Kundërshtimet ndaj Macklemoret vetëm u rritën. Madje pati edhe peticion për t’i kërkuar Sheeranit që ta largonte nga turi.
Në njoftimin në Instagram, Macklemore ka thënë se pas një jave “të bisedave të vështira” me Sheeranin, që përfundoi “në mosmarrëveshje” – ai u hoq nga lista e këngëtarëve.
Macklemore ka kritikuar këngëtarin anglez për mosmarrje të qëndrimit se kush është agresori dhe kush i shtypuri në luftë.
Izraeli ka refuzuar akuzat për gjenocid. Ky shtet ka thënë se në Gaza po kryen operacione vetëmbrojtjeje pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 kur vdiqën 1200 njerëz. Nga ajo kohë, nga sulmet e Izraelit janë vrarë rreth 74 mijë palestinezë.