Ed Sheeran u ka kërkuar falje fansave për “gabimet” e tij, teksa ka hapur koncertin e parë që nga largimi i Macklemore nga turneu i tij, për shkak të deklaratave pro-palestineze të reperit në skenë.
Këngëtari e nisi koncertin e tij në Filadelfia duke iu drejtuar polemikës që prej asaj kohe ka përfshirë të gjithë turneun dhe ka bërë që të gjithë artistët e tjerë që ishin planifikuar të performonin para tij të tërhiqeshin.
“Unë kurrë nuk kam dashur të jem një muzikant aktivist, por kjo më ka vendosur në qendër të një debati të rëndësishëm dhe të zjarrtë për lirinë e shprehjes dhe çështjen më komplekse politike në planet”, ka thënë Sheeran.
Ai i ka përshkruar sulmet e 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi, si “të tmerrshme” dhe e ka cilësuar situatën në Gazë si “të pajustifikueshme”.
Këngëtari ka thënë se vendimi për largimin e Macklemore nga turneu është marrë nga promotorët e tij dhe jo prej tij. Përplasja ka bërë që çmimet e biletave të bien dhe shitjet për pjesën e mbetur të turneut “Loop” në SHBA të dobësohen.
Edhe
Të gjithë artistët mbështetës tërhiqen nga turneu i Ed Sheeran pas largimit të Macklemore
Sheeran i ka thënë publikut se, ndonëse ishte mësuar të përballej me kritika për muzikën e tij, “këtë javë, kritikat kishin të bënin me diçka shumë më të rëndësishme dhe më është dashur të marr dhe të bëj vendime të vështira, dhe po bëj gabime, dhe më vjen shumë, shumë keq”.
Ai ka shtuar se dëshironte “t’i përgjigjej pyetjes se cili është qëndrimi i tij për situatën në Izrael dhe Palestinë.
“Gjatë gjithë karrierës sime jam përpjekur të mos jem komentator politik i asnjë lloji, sepse dua që muzika dhe koncertet e mia të jenë për bashkimin, jo për ndarjen”, ka thënë ai. “Por kjo është një çështje humanitare dhe nuk mund ta fsheh më mënyrën se si ndihem për të”, ka shtuar.
Sheeran ka thënë se ajo që ka ndodhur në Izrael më 7 tetor ishte “e tmerrshme dhe i shtoi vuajtjet shekullore të popullit hebre”, ndërsa ajo që po ndodhte në Gazë ishte “katastrofike, e pajustifikueshme dhe joproporcionale”
“Zemra ime është thyer nga përmasat e shkatërrimit dhe humbjes së jetëve të civilëve, të fëmijëve, dhe kjo padrejtësi sistematike që po shohim të shpaloset në Bregun Perëndimor nuk mund të anashkalohet”.
Edhe
Ed Sheeran largon reperin Macklemore nga turi pas fjalimit për Palestinën
Këngëtari britanik është emocionuar teksa i ka thënë publikut se koncerti i tij “është ende një vend ku të gjithë janë të mirëpritur dhe ku të gjithë këtu mund të qëndrojnë pranë njerëzve që kanë pikëpamje të kundërta”.
Datat e mbetura të turneut të tij janë planifikuar në të gjithë Amerikën e Veriut dhe Jugut. Ndërsa turneu i mëparshëm i superyllit ishte ndër turnetë me të ardhurat më të larta të të gjitha kohërave, disa çmime biletash për këtë koncert kanë rënë deri në 32 dollarë.