Dje, më 1 tetor, filloi një destinacion ri, nga Arabia Saudite aterroi fluturimi i parë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo linjë e re do të sjellë 3 fluturime brenda javës, e akterët që e bënë të mundur këtë linjë thanë se është urë lidhëse mes dy vendeve e po ashtu lehtësim edhe për besimtarët myslimanë që shkojnë në Mekë për të kryer ritet e tyre fetare. Si ka qenë atmosfera dje në aeroport dhe për aterrimin e linjës me udhëtarët e parë, tani do t’i shohim përmes materialit.
Mëngjesi i 1 tetorit filloi me një destinacion të ri, nga Arabia Saudite aterroi fluturimi i parë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Jeddah-Prishtinë dhe anasjelltas është linja më e re që u është shtuar destinacioneve përmes kompanisë ajrore “Flynas” dhe udhëtarët do ta kenë në dispozicion 3 herë gjatë javës.
Në një ceremoni të veçantë u mirëprit fluturimi me udhëtarët e parë që erdhën nga Arabia drejt Kosovës.
Hysen Durmishi, ushtrues detyre i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tha se kjo ditë është shumë e rëndësishme duke krijuar dhe forcuar edhe më shumë raportet mes dy shteteve.
“Sot është një moment i rëndësishëm për aviacionin ajror, një hap dhe një urë që forcon lidhjen mes dy vendeve. Hapja e kësaj linje është më tepër se udhërrugëtim: ofron mundësi të pafundme për shqiptarët që duan të eksplorojnë vendet historike të kësaj mbretërie dhe u lehtëson besimtarëve myslimanë rrugën drejt Mekës. Besojmë se përmes rrugëtimeve dhe kontakteve do të forcojmë më shumë bashkëpunimin mes dy popujve tanë që kanë traditë dhe kulturë të lashtë. Kjo linjë do të rrisë turizmin në Kosovë, do të sjellë vizitorë nga Arabia dhe ata do të shijojnë bukuritë natyrore, ushqimin dhe mikpritjen e popullit tonë”, theksoi Durmishi.
E drejtori i aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Gökhan Acikgoz, shtoi se aeroporti ka bërë përparim kohëve të fundit në shtimin e linjave të reja me synim që të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ky rrugëtim është më shumë se një udhëtim, është urë mes popujve tanë dhe do të bëjë ndërlidhje. Në aeroport kemi bërë progres të madh kohëve të fundit dhe kemi investuar shumë në infrastrukturë për të siguruar udhëtim të sigurt dhe të rehatshëm për të gjithë. Miliona udhëtarë priten të kalojnë përmes portave tona. Është hap drejt zhvillimit të ekonomisë dhe sot fillojmë rrugëtimin e përbashkët duke punuar në bashkëpunim të ndërsjellë. Falënderoj partnerët tanë që e bënë të mundshme këtë lidhje mes popujve. Kjo linjë shënon një kapitull të ri që forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Arabisë. Së bashku do të arrijmë suksesin që të gjithë e duam. Ceremonia e sotme tregon kontributin tonë në shtimin e linjave ajrore dhe të udhëtarëve”, tha ai.
Ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Faisal Ghazi Ismail Hifzi, tregoi se kjo linjë është një mundësi e mirë për të gjithë besimtarët myslimanë që marrin rrugën drejt Mekës e po ashtu edhe nxit investime të reja.
“Sot festojmë linjën e parë nga Arabia drejt Kosovës mike dhe hapim zyrën e kompanisë ‘Flynas’ në Prishtinë si pikëlidhje dhe shërbim i drejtpërdrejtë për udhëtarët tanë. Kjo ngjarje nuk përfaqëson vetëm linjën e re, por është një urë afrimi në forcimin e dy vendeve dhe do të japë kontribut në shumë fusha. Ajo pasqyron përkushtimin e përbashkët për hapjen e horizonteve të reja mes dy vendeve. Hapja e zyrës së kësaj kompanie ndihmon udhëtarët me shërbime më cilësore, sidomos ata që kryejnë Haxh dhe Umre. Po ashtu do të zhvillojë ekonominë dhe do të nxisë investime të reja mes dy vendeve. Lus Zotin ta bekojë këtë hap dhe të thellojë më shumë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Arabisë”, deklaroi ai.
Interesimi për një linjë të drejtpërdrejtë për në Arabi Saudite ka qenë i kamotshëm, tha ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Lulzim Mjeku. Ai shpreson se bizneset do ta gjejnë rrugën për investime të reja në këto dy vende.
“Ky takim sot është historik, inaugurimi i linjës mes Jeddah dhe Prishtinës është derë e hapur për investitorët e Arabisë. Kosova është vend ideal për investitorë. Bizneset shpesh pyesin a ka fluturim direkt mes këtyre vendeve dhe vitin e kaluar e kemi nënshkruar marrëveshjen për këto shërbime. Tani qeveritë e kanë hapur derën për biznese që të eksplorojnë mundësitë e bashkëpunimit, sidomos në sektorin privat. Shpresoj që ato ta gjejnë veten në tregun e Arabisë Saudite”, tha ai.
3 fluturime gjatë javës do të realizohen përmes linjës ajrore “Flynas”. Nënkryetari i kësaj kompanie, Abulelah Aledi, tha se në të ardhmen synohet shtimi i fluturimeve dhe i udhëtarëve.
“Ne kemi bërë historinë duke lidhur Kosovën me Arabinë Saudite. Kjo është pjesë e strategjisë së kompanisë sonë. Duam të shtojmë numrin e vizitorëve në Arabi. Sot fillojmë me 3 fluturime në javë drejt Jeddah dhe shpresojmë që ky numër do të rritet, duke iu uruar fluturim të këndshëm me ‘Flynas’”, theksoi ai.
Me këtë linjë të re drejtpërdrejt mes Jeddah dhe Prishtinës, udhëtimet bëhen më të lehta si për besimtarët që synojnë vendet e shenjta, ashtu edhe për qytetarët që duan të eksplorojnë apo të zhvillojnë biznes. Inaugurimi i saj shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, duke premtuar rritje të turizmit, investimeve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.