Me një zë gati të mbinatyrshëm që mund të kapërcente nga pëshpërima në klithje, Sinéad O’Connor refuzoi të heshtë – dhe shpesh kjo iu hakmor. Shumë shpesh, besoj se publiku e rëndoi edhe më atë traumë, duke zgjedhur të mos e shihte apo të dëgjonte atë që ajo po përpiqej të na thoshte: se armiku i vërtetë është indiferenca. Është koha ta rishqyrtojmë trashëgiminë e saj kulturore
Kur Sinéad O’Connor publikoi kujtimet e saj në “Rememberings” më 2021, pata shansit ta intervistoja për një portretizim që do të transmetohej në Radion Publike Kombëtare në SHBA. E përgatitur për të takuar rrëmujën këmbëngulëse, delikate dhe shpesh kontradiktore për të cilën më kishte rënë të lexoja nëpër vlerësime të shumta përgjatë viteve, mbeta tejet e befasuar kur rashë në një person të kthjellët, mendjemprehtë dhe tejet të sinqertë, e cila ishte shumë më e shqetësuar për të bërë një bisedë thelbësore rreth kauzave për të cilat kishte luftuar përgjatë viteve, sesa të merrej me shitjen e librit. Si rezultat i kësaj, ajo u bë pikënisje për librin tim “Pse Sinéad O’Connor është e rëndësishme”, të publikuar këtë maj.
Ylli i kohës së MTV-së dhe e mbijetuara
Jam tejet e prekur nga lajmi për vdekjen e saj, sepse e kisha parë atë mbi të gjitha si një të mbijetuar. Teksa reflektoj mbi atë se si do ta kujtojnë gjeneratat e reja, shoh se O’Connor shpesh është krahasuar me Madonnan e sëmurë së fundmi, një tjetër yll i kohës së MTV-së që sfidoi kishën katolike dhe shoqërinë. Por teksa na atë kohë Madonna kishte thënë Dick Clarkut se synimi i saj ishte ta sundonte botën, i O’Connorit ishte ta ndryshonte atë.
Padyshim, shumë do ta kujtojnë këngëtaren për një moment të vetëm, në tetor të vitit 1992, kur ajo ndau në dysh fotografinë e Papa Gjon Palit II drejtpërdrejt në televizion gjatë një prezantimi në “Saturday Night Live”. Por pak njerëz do ta kujtojnë se pse e bëri atë, duke ngritur alarmin për krizën e abuzimit me fëmijë në kishën katolike që u përjetësua nga refuzimi i disa klerikëve për ta pranuar dhe trajtuar çështjen.
Shpagimi më të cilin u përball O’Connor ishte i shpejtë dhe i paharrueshëm. Albumet e saj u avulluan nga selia diskografike e saj në SHBA në Qendrën Rockfeller. Yjet nga Joe Pesci te Phil Hartman dhe Camille Paglia e dënuan dhe e kthyen atë në qendër të kritikave, pavarësisht se O’Connor kishte të drejtë të vinte në pikëpyetje rolin e Kishës në lejimin dhe fshehjen e abuzimit me fëmijë. Apo që ajo kishte të drejtë edhe për shumë gjëra të tjera, sikurse mënyra se si industria e muzikës shpesh e përcaktonte suksesin thjesht në terma komercialë, një pozitë që ajo e refuzoi qysh në fillim.
Edhe
Bonnie Tyler – një karrierë e ndërtuar mbi zërin e saj të veçantë
Vlerat dhe prioritetet e O’Connor ishin formuar qysh në vegjëli, një periudhë për të cilën ajo do të thoshte më vonë se kishte vuajtur abuzimin në duart e nënës së saj të devotshme fetare. Gjeti ngushëllim në muzikë, veçanërisht në albumet e Bob Dylanit që vëllai i saj ndau me të, dhe në librat e këngëve të Dylanit të cilat ia kishte dhënë një motër e Shkollës Reformuese Katolike të cilën e kishte ndjekur në vitet e hershme të adoleshencës. Gjatë të 18-tave, O’Connor nënshkroi një marrëveshje incizimi më “Ensign/Chrysalis”, pak pas vdekjes së nënës së saj në një aksident me makinë duke shkuar për në Mass.
Këto lidhje ishin tejet të panjohura për publikun, përshtypjet tona për O’Connor u filtruan gjatë makinerisë së krijimit të yjeve në shtypin muzikor. Sidoqoftë, ishte e pamunduar të mos e kuptoje që O’Connor nuk ishte e interesuar për t’u bërë një yll tipik popi. Duke refuzuar këshillat për marketing të shtëpisë së saj diskografike, ajo preu flokët e saj dhe veshi pantallona të grisura dhe çizme lufte si protestë kundër asaj që ajo e përkufizoi si seksizëm i industrisë muzikore për t’i vlerësuar këngëtaret më tepër për pamjen e tyre sesa për muzikën.
Çfarë kemi gabuar me Sinéad O’Conor?
Edhe pse kishte disa shembuj se si një vajzë të shprehte emocionet kompleksë në muzikën pop, O’Connor e bëri vetëm atë, me një zë të jashtëzakonshëm, gati mbinatyror që mund të kapërcente nga pëshpërima në piskamë. Kur producenti i kontraktuar nga labeli dështoi ta shihte vizionin e saj për albumin debutues të vitit 1987, ajo i kapi vet frerët në dorë. Megjithëse “The Lion and the Cobra” nuk ishte projektuar për t’u renditur në listë, O’Connor gjeti një audiencë pranuese falë transmetimit të radios në kolegj dhe stacione alternative dhe në MTV, ku pamja e saj mahnitëse përputhej me intensitetin e këngëve të saj.
Protesta kundër censurës
Albumi i ardhshëm i vitit 1990, “I Do Not Want What I Haven’t Got”, e bëri O'Connor një super-yll global, kryesisht falë kopertinës së këngës “Nothing Compares 2 U” të shkruar nga Prince dhe videoklipit të saj ikonik për kohën, ku ajo derdh një lot të vetëm teksa vajton për nënën e saj të ndjerë. Në kohën kur albumi i O'Connor arriti vendin e parë në shumë vende, ajo tashmë ishte ngopur nga heshtja dhe bashkëpunimi që fama kërkonte prej saj, gjë që ishte në kundërshtim me dëshirën e saj për të përdorur zërin e saj dhe platformën e saj në rritje për t’u bërë zë për të pafuqishmit.
Edhe
Madonna duket se i referohet ish-bashkëshortit Sean Penn në albumin e ri
Në vend që të promovonte albumin e saj në intervista për media, O’Connor ishte e vendosur sa i përket sinqeritetit lidhur me përvojat e saj si e mbijetuar e abuzimit në fëmijëri. Ajo kishte folur gjithashtu kundër një sërë sëmundjesh sociale, veçanërisht racizmit, duke dënuar refuzimin e MTV-së për të shfaqur video të artistëve rap dhe hip-hop, gjë që ajo e shihte si censurë.
Në vend të kësaj, O'Connor u akuzua për censurë – për shembull, kur ajo vendosi të tërhiqej nga një paraqitje e vitit 1990 në “Saturday Night Live” pasi mësoi se komediani Andrew Dice Clay – zakonet e të cilit ishin kritikuar si mizogjene – pritej gjithashtu të merrte pjesë. Akuza ndaj saj u ngritën sërish kur dy persona të paraqitur si gazetarë të lajmeve e intervistuan atë teksa shprehte dëshirë që të mos luhej himni kombëtar i SHBA-së përpara një paraqitjeje që ajo kishte në New Jersey dhe e shndërruan atë në një histori të rreme refuzimi për të performuar atë natë.
Akuzat për antiamerikanizëm
E cilësuar nga kritikuesit e saj si anti-amerikane dhe mosmirënjohëse e suksesin të saj, O’Connor mund ta kishte parë mërgimin e saj si të pashmangshëm dhe ajo u përgjigj me një plan arratisjeje të llojit të vet. Për ç’arsye tjetër, do ta pasonte albumin e saj bestseller, “I Do Want What I Haven’t Got”, me një koleksion melodish dhe standardesh? Kur u shfaq në “Saturday Night Live” në vitin 1992, kënga që ajo zgjodhi të performonte për setin e saj të dytë nuk ishte as në albumin e saj të ri.
Duke ndryshuar diçka nga teksti i këngës “War” të vitit 1976 nga Bob Marley që trajton shtypjen racore, një këngë që trajton të këqijat e abuzimit me fëmijë, në fund të performancës së saj mahnitëse a cappella, O’Connor mbajti në duar fotografinë e Papës. Duke deklaruar “luftoni armikun e vërtetë", ajo më pas e grisi atë – së bashku me shanset e saj për të pasur një karrierë pop që ajo ndoshta nuk e donte kurrë në radhë të parë. Ndonëse vazhdoi të bënte muzikë të shkëlqyer, daljet e saj u errësuan nga titujt e tabloideve praktikisht të pandërprerë, që rezultoi në një rënie të madhe nga top-listat.
Teksa shikon disa nga gjërat e diskutueshme që tha dhe bëri O'Connor në vitet ’90 dhe në dekadat që pasuan, mund të jetë që ajo shpesh po kundërshtonte heshtjen që mbajti si fëmijë, e më vonë edhe betejat personale të cila u shfaqën në sytë e publikut. Jo gjithmonë arriti ta përçonte mesazhin e saj por, nuk reshti kurrë së provuari. “Unë nuk do të nisesha me vetëdije dhe me dëshirën për të qenë një zë për të tjerët. Po nisesha të më dëgjonin”, më tha ajo në vitin 2021.
Edhe
Madonna rikthehet me “Confessions II”
Të dhënat e fundit theksojnë se shkëlqimi dhe rënia e O’Connor nga bota e popit ndodhi në një kohë kur praktikisht nuk kishte ndonjë diskutim lidhur me shëndetit mendor ose atë se si shpalosja publike e dhimbjes lidhet me traumën. Shumë shpesh, besoj se publiku e rëndoi edhe më atë traumë, duke zgjedhur të mos e shihte apo të dëgjonte atë që ajo po përpiqej të na thoshte: se armiku i vërtetë është indiferenca.
Marrë nga BBC. Përktheu: Mirjetë Sadiku