Reperi i njohur Drake raportohet se ka vendosur të mos marrë pjesë në garën për çmimet “Grammy” të vitit 2027, duke mos dorëzuar asnjë nga këngët e tre albumeve të publikuara prej tij gjatë vitit 2026.
Sipas Billboard, Drake nuk ka dorëzuar për nominim albumet “Iceman”, “Maid of Honor” dhe “Habibti”. Ky është një tjetër rast në serinë e vendimeve të tij për të mos konkurruar në “Grammy”. Në të kaluarën, ai kishte lënë jashtë garës edhe projektet “More Life”, “Certified Lover Boy” dhe “Honestly, Nevermind”.
Drake nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për vendimin. Megjithatë, ai kishte lënë të kuptohej më herët që nuk kishte ndërmend ta dorëzonte albumin “Iceman”, duke thënë në këngën “Make Them Know”, se nuk duk do ta dorëzojë albumin për konkurrim.
“Këtë album, nuk do ta dorëzoj kurrë”, thuhet në këngë.
Vendimi vjen pas një viti të tensionuar për reperin, sidomos pas suksesit të këngës “Not Like Us” të rivalit të tij, reperit, Kendrick Lamar në ceremoninë “Grammy” të vitit 2025. Drake vazhdon të ketë një proces gjyqësor kundër kompanisë “Universal Music Group” lidhur me këngën, të cilën ai pretendon se e ka dëmtuar dhe shpifur ndaj tij.
Edhe grupi BTS ka bojkotuar ceremoninë “Grammy”
Lajmi për Drake vjen pak kohë pasi grupi koreano-jugor BTS njoftoi se do të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy” të vitit 2027.
Të shtatë anëtarët e grupit kanë deklaruar se nuk do të dorëzojnë muzikë për nominime, në shenjë kundërshtimi ndaj kategorisë së re “Asian Pop”, e cila kërkon “përdorim domethënës” të një gjuhe aziatike.
Sipas grupit, ky kriter i kufizon artistët në vend që t’i vlerësojë për muzikën e tyre.
“Muzika duhet të gjykohet nga ndikimi që ka, jo nga gjeografia apo fjalori”, thuhet në deklaratën e tyre.
Vendimi i BTS erdhi edhe pse kënga e tyre “Swim”, e cila arriti në vendin e parë në SHBA, ishte konsideruar si një nga pretendentet për çmimin “Kënga e Vitit”. Megjithatë, teksti i saj vetëm në anglisht do ta bënte të papërshtatshme për kategorinë e re.
Drejtuesi i “Recording Academy”, Harvey Mason Jr., ka pranuar se kategoria e re kishte shkaktuar pakënaqësi dhe tha se organizata kishte zhvilluar diskutime me artistët.
“Duhet të sigurohemi që asnjë zë apo komunitet të mos anashkalohet apo keqkuptohet”, ka thënë ai.
Mason ka theksuar se kategoria ishte krijuar për të zgjeruar njohjen e artistëve dhe jo për t’i ndarë ata.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Grammy” 2027 do të mbahet më 7 shkurt 2027.