Kulturë

Sinead O’Connor – këngëtarja që nuk krahasohej me askënd

U bë e famshme me këngën “Nothing Compares 2 U”, nuk krahasohej me askënd, s’tërhiqej prej polemikave, refuzonte të dirigjohej. “Mediat po më çmendnin, sepse nuk po sillesha ashtu siç duhej të sillej një yll popi”, do të thoshte ajo. Kur iu kërkua të vishte taka e të lëshonte flokët, u kundërpërgjigj duke rruar kokën. Vite më vonë shkaktoi bujë duke grisur një fotografi të Papa Gjon Palit II

Sinead O’Connor – kantautorja e sinqertë irlandeze e cila vdiq të mërkurën në moshën 56-vjeçare – e shënoi historinë e muzikës me zërin e saj të fuqishëm dhe emocionues, interpretimin befasues të “Nothing Compares 2 U” nga Prince dhe me provokimet e saj në skenë dhe jashtë saj.

Ka qenë muzikanti dhe aktivisti irlandez, njëherësh edhe miku i saj i vjetër, Bob Geldof, ai që së bashku me familjen e O’Connor kanë dhënë lajmin për vdekjen e saj.

“Me pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Sineadit tonë të dashur”, thuhet në deklaratë. “Familja dhe miqtë e saj janë të pikëlluar dhe kanë kërkuar privatësi në këto kohë shumë të vështira për ta”. Nuk u dhanë detaje të tjera.

E dallueshme nga koka e saj tullace dhe nga sytë e mëdhenj që mund të dukeshin të dhimbshëm ose plot tërbim, O'Connor publikoi dhjetë albume, duke nisur nga hiti i muzikës alternative, “The Lion and the Cobra” më 1987. Vazhdoi të shiste miliona albume në mbarë botën, duke shpërthyer me “I Do Not Want What I Haven’t Got” më 1990. Ai album, ku gjendet edhe kënga “Nothing Compares 2 U”, hiti numër 1 në botë dhe kënga kryesore e MTV- së, fitoi çmimin “Grammy” më 1991 për performancën më të mirë të muzikës alternative – megjithëse O’Connor bojkotoi ceremoninë për arsye që ajo i quajti komercializëm i tepruar i ngjarjes.

O’Connor rrallë zmbrapsej nga polemikat, por kjo shpesh vinte me pasoja për karrierën e saj.

Image
Kris Kristofferson duke i folur O'Connor teksa ajo u injorua gjatë një koncerti për nder të Bob Dylan në “Madison Square Garden” më 1992, pak pas paraqitjes së saj në “Saturday Night Live”. Foto: Ron Frehm/Associated Press)

“Luftoni armikun e vërtetë”

Në vitin 1990 ajo kërcënoi se do ta anulonte një shfaqje në New Jersey nëse “The Star-Spangled Banner” do të luhej në sallën e koncerteve përpara paraqitjes së saj, duke shkaktuar zemërimin e Frank Sinatras. Në të njëjtin vit ajo u tërhoq nga një paraqitje në “Saturday Night Live” në shenjë proteste ndaj mizogjinisë që ajo gjeti në komedinë e Andrew Dice Clay, i cili ishte planifikuar ta prezantonte.

Por e gjithë kjo kaloi lehtë në krahasim me zhurmën që O’Connor shkaktoi kur gjatë një performance në "S.N.L." më 1992 – pak pas publikimit të albumit të saj të tretë, “Am I Not Your Girl?” — i dha fund performancës në a cappella të “War” nga Bob Marley, duke grisur një fotografi të Papa Gjon Palit II, si qëndrim kundër abuzimit seksual në Kishën Katolike Romake. “Luftoni armikun e vërtetë”, kishte thënë ajo.

Ai incident e bëri atë menjëherë objekt kritikash dhe përbuzjesh, nga konservatorët e më gjerë.

Polemikat dhe ngecja në karrierë

Dy javë pas performancës së saj në “S.N.L”, gjatë një koncerti të mbajtur në nderim të Bob Dylanit në “Madison Square Garden”, O’Connor u injorua me një “boo” të lartë. Ajo kishte planifikuar të performonte “I Believe in You” të Dylanit, por e këndoi përsëri “War”, duke u larguar me nxitim nga skena, ende pa përfunduar.

Për njëfarë kohe, kritikat mizore drejtuar O’Connorit ishin aq të përhapura sa u bë një lloj meme e pop-kulturës në vetvete. Në “S.N.L.” në fillim të vitit 1993, Madonna u tall me polemikat duke grisur një foto të Joey Buttafuocos, mekanikut të automobilave në Long Island, i cili u bë personazh kopertinash në atë kohë për shkak të lidhjes së tij me një vajzë 17-vjeçare.

Dikur një yll në rritje, O'Connor stagnoi. “Am I Not Your Girl?”, një album i jazzit standard dhe pop-muzikës me këngë si: “Why Don't You Do Right?” dhe “Bewitched, Bothered and Bewildered”, ngeci në vendin e 27-të të top- listave. Albumi tjetër, “Universal Mother” (1994), nuk shkoi më lart se numri 36.

Image
O'Connor në “Lincoln Center's Alice Tully Hall” në Manhattan më 2013. (Foto: Ruby Washington/The New York Times

Mishërim i vërtetë i një shpirti punk

Muzikanti britanik i grupit “Charlatans”, Tim Burgess, i njohur në Shtetet e Bashkuara si Charlatans UK, shkroi në Twitter të mërkurën: “Sinead ishte mishërimi i vërtetë i një shpirti punk. Ajo nuk bëri kompromis dhe kjo e bëri jetën e saj më të vështirë”.

Pas “The Emperor’s New Clothes” nga albumi “I Do Not Want What I Haven't Got”, O’Connor nuk pati më kurrë një tjetër hit të madh në Shtetet e Bashkuara, megjithëse për një kohë ajo mbeti nëpër top-listat britanike.

Por në kujtimet e saj të vitit 2021, “Rememberings”, O'Connor e portretizoi grisjen e fotografisë së Papës si një akt të drejtë proteste – e për këtë arsye edhe sukses.

“Mendoj se të paturit e një hiti nr. 1 e prishi karrierën time”, kishte shkruar ajo, “dhe grisja e fotos më ktheu në rrugën e duhur”.

Në një intervistë po atë vit për “The New York Times”, O’Connor e quajti incidentin një mosbidnje ndaj kufizimeve që kanë yjet e popit.

“Nuk më vjen keq që e bëra. Ishte e shkëlqyeshme”, kishte thënë O'Connor. “Por ishte shumë traumatizuese”, shtoi ajo. “Ishte një sezon i hapur për të më trajtuar si kurvë të çmendur.”

Sinead Marie Bernadette O’Connor lindi në Glenageary, në periferi të Dublinit, më 8 dhjetor 1966. Babai i saj, John, ishte inxhinier kurse nëna e saj, Johanna, ishte rrobaqepëse.

Nëpër intervista dhe në “Rememberings”, O’Connor ka folur hapur për një fëmijëri traumatike. Ajo kishte thënë se nëna e saj ushtroi dhunë fizike dhe se ishte prekur thellë nga ndarja e prindërve të vet. Ata u ndanë kur ajo ishte 8 vjeçe. Në adoleshencë, u arrestua për vjedhje në dyqane dhe u dërgua në shkolla korrektimi.

Kur ishte 15 vjeçe, O'Connor këndoi “Evergreen” – këngën e dashurisë nga “A Star Is Born”, me Barbra Streisand – në një dasmë dhe ra në sy të Paul Byrnet, baterist që kishte lidhje me grupi irlandez “U2”. E la shkollën në moshën 16-vjeçare dhe filloi karrierën duke punuar si kameriere e duke performuar “kiss-o-grams” me një kostum të çuditshëm shërbëtoreje franceze.

“Luani dhe kobra” – titulli aludon Psalmin 91 – e shënoi si një talent në rritje, me zemër të madhe e cila ka vesh për melodi të çuditshme dhe një stil të ashpër e luftarak. Muzika e saj vinte nga rocku alternativ i viteve ‘80, hip-hopi dhe dromcat e folklorit kelt, që erdhën kur zëri i saj u ngrit në regjistra të lartë.

Ajo e mbrojti publikisht Ushtrinë Republikane Irlandeze dhe e përqeshi publikisht grupin “U2” – anëtarët e të cilit e kishin mbështetur atë – si “bombastik”. Kishte thënë gjithashtu se kishte refuzuar përpjekjet e kompanisë së saj diskografike, “Ensign” për ta adoptuar në një imazh më tradicional.

“Udhëheqësit e labelit dëshiruan që unë të vishja çizme me taka të larta, xhinse të ngushta dhe të rrisja flokët”, kishte thënë O’Connor për “Rolling Stone” më 1991. “Ata ishin aq patetikë, saqë unë vendosa t’i rruaja komplet flokët kështu që nuk mund të kishte diskutim të mëtejshëm.”

Image
Viti 2021, atëherë kur O'Connor botoi kujtimet e saj në “Rememberings”, ku foli hapur për fëmijërinë traumatike. (Foto: Ellius Grace për “New York Times”)

Fenomeni “Nothing Compers 2 U”

“Nothing Compares 2 U” – publikuar fillimisht nga “Family”, projekt nga Princi, më 1985 – u kthye në fenomen kur O’Connor e publikoi pesë vjet më vonë. Videoja e këngës, një pamje nga afër e fytyrës së saj emocionuese, ishte hipnotizuese, ndërsa zëri i O’Connor i cili ngrihej nga nota delikate dhe frymëmarrëse në klithma të fuqishme i bëri për vete dëgjuesit. Që nga kjo kohë, këngëtarët si Alanis Morissette cituan O'Connor si me ndikim të rëndësishëm.

Jo shumë kohë pasi “Nothing Compares” u bë hit, O'Connor akuzoi Princin se e kishte kërcënuar fizikisht. Ajo e tregoi historinë në kujtimet e saj, duke thënë se, në rezidencën e tij në Hollywood, Princi e qortoi për sharjet në intervista dhe i sugjeroi një luftë me jastëkë, e kjo vetëm për ta goditur me diçka të fortë që gjendej në këllëfin e jastëkëve. Ajo tha se u arratis në këmbë, në mes të natës porse Princi e ndoqi nëpër autostradë.

Efektet e traumës së fëmijërisë dhe gjetja e metodave dhe mënyrave për t’i luftuar e për t’i shëruar, u bënë pjesë qendrore e punës dhe filozofisë së saj personale.

“Shkaktari i të gjitha problemeve të botës, për sa më përket mua, është abuzimi me fëmijët”, kishte thënë O’Connor për revistën “Spin” më 1991.

Nëna e saj, të cilën O'Connor e përshkroi si alkoolike, vdiq kur ajo ishte 18 vjeçe. Në kujtimet e saj, O'Connor tregon se ditën që vdiq nëna e saj, ajo mori një fotografi të Papës nga muri i nënës së saj; ishte ajo foto që ajo e grisi në televizion.

Në albumet e mëvonshme ajo këndoi pop-rock (“Faith and Courage”, 2000), luajti këngë tradicionale irlandeze (“Sean-Nós Nua”, 2002) dhe rishikoi këngët klasike reggae (“Throe Doen Your Arms”, 2005) . Albumi i saj i fundit ishte “I'm Not Bossy, I'm the Boss”, i publikuar më 2014.

Teksa karriera e saj muzikore ndaloi hovin, O'Connor, e cila në të kaluarën kishte qenë e hapur lidhur me problemet me shëndetin mendor, u bë gjithnjë e më e çrregullt, duke ndarë shpesh opinione të pafiltruara dhe detaje personale në mediat sociale.

Në vitin 2007, në shfaqjen televizive të Oprah Winfrey ajo zbuloi se ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar dhe se ishte përpjekur të vriste veten në ditëlindjen e saj të 33-të. Djali i saj Shane u vetëvra në vitin 2022, në moshën 17-vjeçare.

Në vitin 2012 O'Connor kishte thënë se ishte diagnostikuar gabimisht dhe se ajo vuante nga çrregullimi i stresit post-traumatik që rrjedh nga abuzimi që kishte pasur në fëmijëri.

“Shërimi nga ky çrregullim është punë e jetës”, kishte thënë ajo për revistën “People”.

Para disa vjetësh u konvertua në islam dhe filloi të përdorte emrin Shuhada Sadaqat, megjithëse vazhdoi t’i përgjigjej thirrjeve si O'Connor.

O'Connor kishte dy vëllezër, Joe dhe John, dhe një motër, Eimear, si dhe tri gjysmë-motra e një gjysmë-vëlla. Në kujtimet e saj shkroi se ishte martuar katër herë dhe se kishte katër fëmijë: tre djem, Jake, Shane dhe Yeshua, dhe një vajzë, Roisin.

Gjatë një diskutimi që pati me “The Times” më 2021 lidhur me kujtimet e saj, O’Connor u përqendrua në vendimin për të grisur fotografinë e Gjon Palit II, si moment sinjalizues në një jetë proteste e sfidash.

“Mediat po më çmendnin, sepse nuk po sillesha ashtu siç duhej të sillej një yll popi”, kishte thënë ajo. “Më duket se të jesh yll i popit është pothuajse si të jesh në ndonjë lloj burgu. Duhet të jesh vajzë e mirë.”

Marrë nga “The New York Times” Përktheu: Mirjetë Sadiku