Futboll

Bayerni shënon fitoren e 16-të rresht, feston në “Parkun e Princave”

Bayern

Bayerni e ka vazhduar serinë impresive. Të martën mbrëma fitoi në “Parkun e Princave” në Paris, ndërsa mposhti fituesin në fuqi të Ligës së Kampionëve.

Kampioni gjerman fitoi 2:0. Ndeshja mes gjigantëve të futbollit evropian ishte e vlefshme për xhiron e katërt të Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi kolumbian, Luis Diaz, ishte protagonist në këtë ndeshje të madhe të Championsit.

Ai shënoi për 1:0 në minutën e katërt dhe për 2:0 në minutën e 32-të. Por në minutat shtesë të pjesës së parë bëri ndërhyrje të pakujdesshme dhe të rrezikshme ndaj Achraf Hakimit. Hakimi la fushën për shkak të lëndimit, ndërsa Diazi për shkak të kartonit të kuq. Në fakt fillimisht lojtarit të Bayernit iu tregua kartoni i verdhë, por pas rishikimit të situatës në VAR, ai u ndëshkua me të kuq.

Parisienët kanë kërkuar barazimin në pjesën e dytë, por pa sukses. Ia dolën të ngushtojnë rezultatin në 2:1 në minutën e 74-t, kur shënoi Joao Neves.

Parisi e dërgoi topin në rrjetë edhe në minutën e 22-të. Por goli i Ousmane Dembeles u anulua pas rishikimit të VAR-it, për pozitë jashtë loje. Fituesi i Topit të Artë, Dembele, u largua nga fusha në minutën e 25-të për shkak të një lëndimi.

Bayerni, që ka nëntë fitore rresht në Bundesligë, është lider i fazës së ligës së Championsit me 12 pikë. 12 pikë i ka edhe Arsenali. Parisi ka pësuar humbjen e parë pas tri fitoreve rresht dhe ka rënë në vendin e tretë.

Lexo përditësimet tjera
Champions

Rezultatet e xhiros së katërt të Championsit