Duke u nisur prej maksimës “shkruaje librin që dëshiron ta lexosh”, Arbër Selmani ka ardhur me librin “Testosteron”. Është debutimi i tij në prozë, një libër ky i cili lëviz “midis intimitetit, trupit, kujtesës, humbjes, dëshirës” dhe gjithë atyre hijeve të vogla që i shoqërojnë marrëdhëniet me botën dhe me veten
Artin e tij të shkrimit në katër botime paraprake me poezi, Arbër Selmani e ka vijuar me prozë. “Testosteron”, siç autori shprehet, është libër i mbushur me burra fajtorë dhe me gra shpëtimtare. Në promovim, publikut i është dhënë pasqyra e estetikës së shkrimit, por edhe erotizmi, dhuna, pabesia, vrasja, e çka jo tjetër.
Qendra “Barabar” ka qenë e vogël për nga hapësira, të premten mbrëma, për promovimin e librit të pestë të shkrimtarit Selmani. Te hyrja ka qenë duke pritur të gjithë mysafirët duke i përshëndetur e përqafuar një nga një pasi ka pranuar urimet e secilit. Me “Testosteron”, epitetin prej poeti e ka “thyer” me kapërcimin në prozë. Ka thënë se proza është formë e vështirë të kultivohet.
“Për ne që jemi poetë, të kalosh nga poezia në prozë nuk është aspak lehtë sepse në poezi mund të përthekohesh, të mishërohesh, ndërsa proza të jep mundësi goxha më shumë. Unë kam dashur ta lexoj shumë më moti një libër si ‘Testosteroni’. Nuk e kam lexuar dhe kam dashur ta shkruaj. Një poet, nuk e di cili është, ka thënë ‘Shkruaje librin që dëshiron ta lexosh’”, është shprehur Selmani para të pranishmëve në bashkëbisedë me gazetaren Naile Dema, e cila e ka moderuar ngjarjen.
Dema ka thënë se vepra e re e Arbër Selmanit flet për marrëdhëniet e njeriut me botën, por edhe me vetveten.
“Jemi bashkë që ta promovojmë edhe një tjetër libër të Arbrit. ‘Testosteron’ – një libër ky i cili lëviz midis intimitetit, trupit, kujtesës, humbjes, dëshirës, dhe gjithë atyre hijeve të vogla që i shoqërojnë marrëdhëniet tona me botën, por edhe marrëdhëniet tona me veten. ‘Testosteron’ është një udhëtim sa emocional, po aq estetik. Është politik dhe sonte do ta ndajmë këtë kujtim në një formë të gjallë midis një bisede me Arbrin”, ka thënë ajo.
“Disleksia”, “Unë dhe Ismaili”, “Më tha se ishte nga Moska”, “Qebaptorja” e “Kam lindur në vitin 1989”, janë titujt e disa prej tregimeve në prozë. Por autori nuk i është shmangur poezisë. “Burrat e martuar” është interpretuar nga aktori Armend Smajli. Aty është humoreska e erotika dhe çdo varg tingëllon tejet i sinqertë dhe i këndshëm për t’u dëgjuar.
“’Testosteron’ është libër me tregime dhe me copëza. E ka veç një poezi. Kur po më pyesin nëpër intervista se për çfarë e kam bërë librin, them se nuk e ka një personazh. Janë tetë tregime me personazhe të ndryshme”, ka thënë Selmani, shkrimtar, gazetar, redaktor dhe studiues.
Veprat e tij të mëhershme përfshijnë përmbledhje poezish dhe artikujsh gazetareskë. Ka marrë çmime për kontributet e tij si në letërsi sikurse edhe në gazetari. Puna e tij është e rrënjosur në komplekset e shoqërisë së pasluftës që përballet me norma të rrepta tradicionale dhe fetare.
Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë, duke përfshirë anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, norvegjisht, sllovenisht, turqisht dhe serbo-kroatisht, duke arritur audienca të ndryshme në të gjithë globin.
Në promovim, teksa është shprehur se deri tani është njohur për poezi, ka kujtuar homazhin për babanë e tij të ndjerë.
“Është libri im i parë në prozë, deri tani kam shkruar poezi. Përndryshe, nëse asnjë poezi timen s’e dini, së paku e dini ‘Kur vdiq baba’. Shumë shqiptarë mund t’i shkruajmë dy mijë poezi dhe me tri i njohim vazhdimisht, kështu që nëse kam bërë diçka të mirë në jetë, është që i kam shkruar një personi që për promovimin e dytë nuk është këtu në sallë”, është shprehur Selmani.
“Testosteron” është botuar nga shtëpia botuese “Albas” dhe fillimisht është promovuar në edicionin e 28-të të Panairit të Librit në Tiranë që u mbajt prej 12 deri më 16 nëntor.
“Me gjithë modestinë po e them që kam kaluar shumë mirë atje, ka pasur interesim për librin, por gjithmonë këta libra dua t’i sjell në habitatin tim”, është shprehur Selmani. Ka bërë të ditur se librin më të ri e ka shkruar për një vjet e gjysmë, periudhë përgjatë së cilës, siç ka thënë, ka pasur luhatje në jetën e tij.
“Jam ndarë prej dikujt, kam pasur disa peripeci, por kjo nuk më ka ndalur të vij me librin ‘Testosteron’. Për poezi, e di që edhe nëse më jepni ndonjë koment nuk prekem sepse e shkruaj tash e disa vjet, por për prozë e tregime do të doja që njerëzit që e lexojnë, të më japin komentet e tyre”, ka thënë ai.
Përthekimi i shkurtër për gjithë veprën e tij ka qenë ky: “Është një libër i mbushur me burra fajtorë dhe me gra shpëtimtare”. Ka thënë se aty nuk mungon erotizmi dhe se leximi i tij nuk është i lehtë.
“Janë tetë tregime, në gjashtë prej tyre janë gjashtë burra shqiptarë dhe në dy të tjera janë burra të huaj. Ka erotizëm, ata që më lexojnë e dinë që nuk kam si t’i ik erotizmit, por gjithmonë me kujdes duke mos kaluar në banalitet. Është libër ku ka dhunë, vrasje, ndershmëri, tradhti, pabesi, politikanë, nëna, motra. Por do të doja që ‘Testosteronin’ ta lexoni. Është një lexim jo i lehtë, dorën në zemër, por ta lexoni që në fund të ditës t’i bëni njerëzit më të mirë”, është shprehur ai.
Pos Smajlit, pjesë nga vepra e Arbër Selmanit kanë interpretuar edhe aktorët Rebeka Qena, Maylinda Kasumoviq dhe Rebeka Qena. Ajo çfarë vërehet në këto lexime, është gjuha tejet poetike e autorit. Si në raste kur dashuria midis dy personave paralelizohet me interpretimin e relacionin e aries “Casta Diva” me divën e këngës lirike, Maria Callas. Apo edhe me ndërlidhjen midis akteve të një opere. E aty është edhe ironia me dhunën që ushtrojnë burrat, sikurse edhe me gjuhën shqipe të pushtuar nga barbarizmat.
Derisa lexuesit shijojnë rrëfimin e “Testosteronit” në shqip, ai po bëhet gati për të depërtuar më tej duke u përkthyer në gjuhën angleze, serbisht e kroatisht.