Fenomeni i servilizmit të strukturuar nuk është një tipar i kufizuar vetëm në shoqëritë monarkike. Ai, jo rrallë, përbën një nga karakteristikat qenësore të funksionimit të demokracive të brishta liberale. Një rast i tillë paraqitet edhe në demokracitë e dy shteteve shqiptare: Kosovës dhe Shqipërisë. Çfarë e përcakton fuqinë e servilizmit për të funksionuar si mekanizëm i strukturuar brenda jetës institucionale dhe shoqërore shqiptare?
Servilizmi i rremë dhe besimi
Në komedinë “Tartufi”, Molieri trajton temën e hipokrizisë, të servilizmit të rremë dhe të verbërisë së njerëzve ndaj dukjes së jashtme. Orgoni, një burrë i pasur parisien, bie plotësisht nën ndikimin e Tartufit, një njeri që shtiret si tepër i devotshëm dhe moral. Marrëdhënia ndërmjet servilizmit të rremë të Tartufit dhe vetëmashtrimit të Orgonit nuk është thjesht një raport ndërmjet mashtruesit dhe viktimës, por mishërim i një dinamike pushteti, ku secili prodhon dhe e forcon tjetrin. Struktura e pushtetit në “Tartufin” është kushti që e bën të mundur bashkëveprimin ndërmjet servilizmit dhe vetëmashtrimit. Servilizmi i Tartufit fiton efektivitet, sepse mbështetet në autoritetin e pakontestueshëm të Orgonit, ndërsa vetëmashtrimi i Orgonit forcohet nga një rend hierarkik që e izolon atë nga kritika. Besimi i verbër i Orgonit ndaj Tartufit përbën një dështim të gjykimit të tij moral mbi realitetin në të cilin ndodhet, sepse ai heq dorë lehtësisht nga përgjegjësia për të vlerësuar karakterin dhe qëllimet e veprimeve të Tartufit.
Marrëdhënia ndërmjet servilizmit të rremë të Tartufit dhe besimit të Orgonit nuk është një marrëdhënie ndërmjet vetëmjaftueshmërisë dhe mungesës së vetëmjaftueshmërisë së vetëdijes – zotërisë dhe skllavit – e cila, sipas dialektikës hegeliane, mund të çojë në emancipim, në zhvillimin e vetëdijes drejt lirisë përmes punës dhe vetëformimit të “skllavit” (G. W. F. Hegel, “The Phenomenology of Spirit”, përkthyer nga Terry Pinkard, Cambridge University Press, 2018, f. 113–116.). Përkundrazi, ajo është një marrëdhënie që e pengon emancipimin. Tartufi nuk është “skllavi” hegelian, por një manipulues që e shfrytëzon varësinë psikologjike të Orgonit. Përulësia e Tartufit nuk ka asgjë të përbashkët me harmoninë, si parim i forcës së brendshme që garanton respektin ndaj të tjerëve, pa humbur integritetin dhe ndjenjën e vetërespektit. Ndërsa, në traditat filozofike të Lindjes së Largët, egoja konceptohet si pengesë për kultivimin e virtytit moral të përulësisë, si aftësi për vetëkontroll, dinjitet dhe urtësi, përulësia e Tartufit është e nxitur nga nevojat egoiste, të cilat përbëjnë qendrën e kuptimit të ekzistencës së tij.
Servilizmi si fenomen i strukturuar shoqëror
Marrëdhëniet e dominimit dhe të nënshtrimit në komedinë “Tartufi” të Molierit nuk janë produkt i përdorimit të drejtpërdrejtë të forcës, por i pushtetit simbolik, të cilin Pierre Bourdieu e koncepton si “pushtet të padukshëm, i cili ushtrohet vetëm me bashkëpunimin (ose bashkëveprimin) e atyre që nuk duan ta dinë se janë të nënshtruar ndaj tij, apo madje as që janë vetë ata që e ushtrojnë atë” (Pierre Bourdieu, “Language and Symbolic Power”, Polity Press, Cambridge, 1991, f. 164). Për shkak se është i padukshëm, pushteti simbolik, përmes institucioneve (të arsimit, kulturës, mediave etj.), normave dhe vlerave, krijon bindjen se rendi shoqëror ekzistues është i natyrshëm dhe legjitim. Në këtë mënyrë, ai vepron dhe ndikon mbi habitus-in shoqëror, si një sistem prirjesh, qëndrimesh dhe mënyrash veprimi, të cilat individi i përvetëson përmes pozitës së tij shoqërore, arsimimit, përvojës jetësore etj. Në kontekstin ku pushteti simbolik formëson habitus-in, ndërsa habitus-i riprodhon pushtetin simbolik, servilizmi shfaqet jo si një tipar i izoluar moral ose psikologjik i individit, por si një fenomen i strukturuar shoqëror.
Edhe
Shtetndërtimi dhe Legjenda e Rozafës
Fenomeni i servilizmit të strukturuar nuk është një tipar i kufizuar vetëm në shoqëritë monarkike. Ai, jo rrallë, përbën një nga karakteristikat qenësore të funksionimit të demokracive të brishta liberale. Një rast i tillë paraqitet edhe në demokracitë e dy shteteve shqiptare: Kosovës dhe Shqipërisë.
Çfarë e përcakton fuqinë e servilizmit për të funksionuar si mekanizëm i strukturuar brenda jetës institucionale dhe shoqërore shqiptare?
Servilizmi, si fenomen i strukturuar brenda praktikës shoqërore dhe institucionale shqiptare, është një formë e riprodhimit të marrëdhënieve të dominimit, në të cilën individët e internalizojnë bindjen ndaj autoritetit si strategji normale të ekzistencës përmes habitus-it patrimonial. Habitus-i patrimonial, si mekanizëm ndërmjetësues midis strukturës dhe veprimit, është matrica e brendësuar e kulturës politike patrimoniale, e cila, e formësuar nga pushteti simbolik dhe e riprodhuar përmes socializimit, i orienton individët ta perceptojnë autoritetin si burim personal të pushtetit, besnikërinë si virtyt politik dhe nënshtrimin si strategji normale të ekzistencës. Në këtë mënyrë, ai përbën mekanizmin kryesor të riprodhimit të servilizmit të strukturuar.
Fenomeni i servilizmit të strukturuar në demokracinë e brishtë shqiptare është produkt i kontradiktës strukturore që ekziston ndërmjet institucioneve politike dhe kulturës politike shqiptare. Në të dyja shtetet shqiptare, në pamje të jashtme, institucionet demokratike funksionojnë mbi bazën e rregullave dhe normave juridike demokratike: ndarjes së pushteteve, zgjedhjeve të lira dhe Kushtetutës; por ato nuk mbështeten në një kulturë politike demokratike, ku kritika do të duhej të shihej si pjesë e domosdoshme e jetës demokratike dhe ku besnikëria do t’u drejtohej institucioneve, e jo subjekteve politike ose individëve.
Praktikat shqiptare të organizimit shoqëror dhe institucional njohin dy modele mbizotëruese të qeverisjes: modelin monarkik dhe atë komunist. Këto modele kanë ndikuar thellësisht në formësimin e habitus-it, si substancë e kulturës politike, e cila vazhdon të manifestohet në trajta të ndryshme brenda praktikës së demokracisë së brishtë shqiptare. Habitus-i patrimonial, i prejardhur nga kultura patriarkale kolektiviste shqiptare, është një formë historikisht e strukturuar e habitus-it, e cila – dikur e formësuar nga pushteti simbolik i monarkisë dhe i komunizmit shqiptar, ndërsa sot nga pushteti simbolik i demokracisë formale – e orienton qytetarin drejt besnikërisë personale, klientelizmit dhe varësisë nga autoriteti, duke bërë që marrëdhëniet patrimoniale të perceptohen si rendi normal i jetës politike dhe institucionale. Në këtë mënyrë, dominimi, nga një detyrim i jashtëm, shndërrohet në një prirje të brendshme për të vepruar sipas rregullave dhe hierarkive ekzistuese. Habitus-i patrimonial ka vepruar dhe vazhdon të ndikojë që qytetari shqiptar ta konceptojë pushtetin si pronë personale të drejtuesve (bajraktarëve, liderëve politikë dhe drejtuesve institucionalë); ta vlerësojë besnikërinë ndaj individit mbi respektimin e institucioneve dhe, në vend të meritokracisë, për sigurimin e burimeve, të mbështetet në rrjetet e lidhjeve personale dhe grupore.
Kontradikta ndërmjet institucioneve demokratike dhe kulturës politike patrimoniale
Në kontekstin e kontradiktës ndërmjet institucioneve politike dhe kulturës politike patrimoniale, autoriteti racional-ligjor i nënshtrohet autoritetit tradicional, pra pushtetit të një individi ose të një elite sunduese (ekonomike, politike, mediatike, kulturore, shkencore etj.). Në jetën institucionale dhe shoqërore shqiptare, habitus-i patrimonial përbën bazën e konsensusit të përbashkët mbi kategoritë e perceptimit dhe të kuptimit të marrëdhënies së individit me shtetin.
“Përmes kornizave që u imponon praktikave shoqërore, shteti – thotë Bourdieu – vendos dhe ngulit forma dhe kategori të përbashkëta të perceptimit dhe të vlerësimit, korniza shoqërore të perceptimit, të kuptuarit dhe të kujtesës... Ai krijon kushtet për një lloj orkestrimi të menjëhershëm të habitus-it, i cili përbën vetë bazën e një konsensusi mbi këtë tërësi evidencash të përbashkëta që përbëjnë arsyen e përbashkët (common sense) kombëtare” (Pierre Bourdieu, Practical Reason: On the Theory of Action, Stanford University Press, Stanford, California, 1998, fq. 54.). Përmes habitus-it patrimonial, servilizmi në demokracitë e brishta shqiptare nuk ushtrohet vetëm nga frika, por kryesisht përmes internalizimit të marrëdhënieve të nënshtrimit doksik ndaj pritshmërive të autoritetit. Për shkak të “orkestrimit të habitus-it” patrimonial, në jetën institucionale dhe shoqërore shqiptare është bërë krejtësisht e natyrshme që shteti dhe institucionet publike të perceptohen dhe të vlerësohen jo si struktura autonome, të bazuara në norma të përgjithshme dhe parime impersonale, por si zgjatime të vullnetit të udhëheqësit ose të elitës sunduese.
Në jetën institucionale dhe shoqërore shqiptare, logjika e sundimit të autoritetit të individit mbi autoritetin e institucionit e ka legjitimuar dhe normalizuar servilizmin si një sjellje krejtësisht “të natyrshme”. Në kulturën politike patrimoniale shqiptare, postet dhe funksionet publike nuk perceptohen si përgjegjësi institucionale, por si instrumente për ndërtimin e rrjeteve të mbështetjes dhe të varësisë. Qytetarët, për shkak të pozitës së tyre në strukturën shoqërore, të cilën e mirëmban habitus-i patrimonial, për rrjedhojë, kultivojnë prirje të brendësuara për t’u përshtatur lehtësisht me pritshmëritë e autoritetit. Ata, qoftë si individë, qoftë si grup, pa ndonjë detyrim të drejtpërdrejtë, përmes një marrëveshjeje të menjëhershme dhe të heshtur, e ofrojnë vullnetarisht nënshtrimin e tyre, të bindur se një sjellje e tillë është normale dhe e dobishme. Nga ana tjetër, autoriteti patrimonial e përdor pushtetin publik si burim për sigurimin dhe shpërblimin e besnikërisë ndaj tij. Ai u ofron privilegje dhe mundësi “besnikëve” të tij në këmbim të përkrahjes, ndërsa “klientët” ofrojnë bindje, besnikëri dhe mbështetje për autoritetin publik patrimonial.
Në kulturën politike patrimoniale, nepotizmi nuk perceptohet si një praktikë e huaj, sepse ai është i integruar në vetë logjikën e saj të kontrollit dhe të nënshtrimit. Përkundrazi, ai legjitimohet si një mënyrë normale e organizimit të marrëdhënieve të besnikërisë dhe të varësisë. Nga ana tjetër, për shkak të shkallës së thellë të përshtatjes me pritshmëritë e autoritetit dominues, kritika, si aftësi e gjykimit autonom, konsiderohet si e rrezikshme për arsyen instrumentale të qytetarit. Kështu, për shembull, punonjësit e institucioneve publike, arsimore, kulturore dhe shkencore shqiptare, edhe kur i identifikojnë padrejtësitë e drejtuesve të tyre, në shumicën e rasteve nuk i kundërshtojnë ato. Ata nuk veprojnë kështu vetëm nga frika e ndëshkimit ose e humbjes së privilegjeve, por edhe sepse kultura organizative, e orientuar nga habitus-i patrimonial, u ka mësuar se bindja ndaj autoritetit është sjellja “e duhur”. Kjo dëshmon, njëkohësisht, shkallën në të cilën pushteti simbolik, i prejardhur nga habitus-i patrimonial, ka ushtruar ndikimin e vet në formësimin dhe mirëfunksionimin e “integrimit dhe solidaritetit shoqëror” të servilëve brenda marrëdhënieve të varësisë dhe dominimit në jetën institucionale dhe shoqërore shqiptare.
Normalizimi i servilizmit në jetën institucionale shqiptare
Edhe Si mund të kërkojë opozita kosovare timonin e shtetit, kur ende ëndërron “oborrin e pushtetit”?Praktikat e trashëguara dhe të krijuara nga autoriteti i pushtetit patrimonial, brenda kuadrit formal të demokracisë liberale shqiptare, kanë krijuar dhe kultivuar marrëdhënie moderne të tipit “sundimtar–vartës”. Problemi i mungesës së perceptimit të varësisë në demokracinë formale shqiptare qëndron në faktin se varësia nuk prodhohet dhe nuk mirëmbahet përmes detyrimit të drejtpërdrejtë fizik, por përmes kontrollit mbi burimet, mundësitë, rrjetet e njohjes dhe kapitalin simbolik të atyre që zotërojnë pushtetin. Në këtë mënyrë, varësia shoqërore, ekonomike dhe simbolike e bën pushtetin të qëndrueshëm dhe të riprodhueshëm.
Centralizimin e burimeve dhe të mundësive ekzistenciale shteti e mirëmban dhe e riprodhon përmes mekanizmit burokratik, me ç’rast qytetari, për të marrë atë që i takon, detyrohet t’i përulet dhe t’i nënshtrohet autoritetit pushtetor. Përmes burokracisë, autoriteti pushtetor depersonalizohet. Ai nuk është më një subjekt konkret, por një subjekt abstrakt; pa adresë, jo sepse adresa fizikisht nuk ekziston, por sepse ajo është e shumëfishuar dhe, njëkohësisht, shumëfishuese. Ky shumëfishim është mekanizmi që e mistifikon poshtërimin institucional të qytetarit. Për të marrë atë që i takon, qytetari detyrohet ta “fitojë” atë si një “favor” nga një subjekt konkret brenda mekanizmit burokratik shtetëror. Për ta arritur këtë, me vetëdije ose pa vetëdije, qytetari, si qenie morale, detyrohet të cenojë detyrën morale ndaj vetvetes: të lajkatojë, të përulet, të nënshtrohet dhe të serviloset. Qytetari i poshtëruar, për të shmangur një poshtërim të mëtejshëm, paradoksalisht përdor forma të ndryshme të servilizmit, të cilat e zhysin edhe më thellë në vorbullën e poshtërimit.
Ky paradoks i servilizmit në demokracinë e brishtë shqiptare është produkt i ndërveprimit të strukturuar ndërmjet strukturave të pushtetit, kulturës politike dhe kushteve socio-ekonomike, të cilat ndikojnë që gjykimi autonom moral, i orientuar nga parimet etike, të zëvendësohet nga nënshtrimi i padenjë ndaj autoritetit, i nxitur nga nevojat e përfitimit personal. Një shoqëri e denjë nuk matet vetëm me ekzistencën e institucioneve të drejtësisë, por edhe me faktin nëse institucionet e saj shmangin poshtërimin e njerëzve, duke mos i detyruar ata të bëhen servilë. “Një shoqëri e denjë – thotë Avishai Margalit – është ajo, institucionet e së cilës nuk i poshtërojnë njerëzit. Unë bëj dallimin midis një shoqërie të denjë dhe një shoqërie të qytetëruar. Një shoqëri e qytetëruar është ajo, anëtarët e së cilës nuk e poshtërojnë njëri-tjetrin, ndërsa një shoqëri e denjë është ajo në të cilën institucionet nuk i poshtërojnë njerëzit.” (Avishai Margalit, “The Decent Society”, Harvard University Press, Cambridge, 1996, f. 1). Në kontekstin e servilizmit të strukturuar në jetën institucionale dhe shoqërore shqiptare, poshtërimi është vertikal dhe horizontal. Në koordinatën vertikale të organizimit të jetës institucionale shqiptare poshtërimi është institucional, ndërsa në koordinatën e organizimit të jetës shoqërore, shoqëria bëhet preh e fyerjes. Ndërsa fyerja ka të bëjë me cenimin e nderit shoqëror të individit, poshtërimi institucional tabelë qitjeje e ka dinjitetin njerëzor të individit. (Për dallimin midis fyerjes dhe poshtërimit institucional, shih: Avishai Margalit, po aty, f. 41–48). Poshtërimi institucional e vendos qytetarin, në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme, në një pozitë inferiore, duke i përcjellë mesazhin se ai, si qenie njerëzore, është i pavlerë ose më pak i denjë për respekt. Një mesazh i tillë përbrendësohet nga ata që, për të fituar favore të pamerituara, heqin dorë nga autonomia e tyre morale, por jo edhe nga ata që, në mbrojtje të lirisë së tyre të brendshme, refuzojnë çdo lloj favori ose miratimi të jashtëm.
Të lirët dhe klientelistët
Në bazë të rolit që grupet shoqërore kanë në kontrollin e burimeve materiale dhe në shpërndarjen e pasurisë së përgjithshme, shoqëritë janë analizuar sociologjikisht përmes ndarjeve të ndryshme klasore, veçanërisht përmes dallimit ndërmjet shtresave të privilegjuara dhe atyre të margjinalizuara ekonomikisht: të varfër dhe të pasur.
Megjithatë, mund të thuhet se dominimi i habitus-it patrimonial në marrëdhënien ndërmjet kulturës politike dhe demokracisë formale shqiptare ka krijuar një ndarje shoqërore të bazuar në orientime morale: a) ata që e ruajnë autonominë morale, dinjitetin dhe ndjenjën e vetërespektit – njerëzit e lirë; dhe b) ata që, për përfitime dhe favore egoiste, heqin dorë nga autonomia morale dhe vetërespekti – klientelistët. Në praktikën shoqërore shqiptare, këto dy orientime morale kanë prodhuar dy mënyra themelore të veprimit shoqëror: orientimin krijues dhe orientimin klientelist. Ndërsa grupi i individëve krijues, të orientuar nga parimi i autonomisë morale dhe i vetërespektit, udhëhiqet nga etika e punës, përgjegjësia ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, si dhe nga dëshira për të krijuar vlera, grupi i individëve klientelistë orientohet drejt përfitimit material dhe prestigjit shoqëror, pa u mbështetur në meritë, punë ose përgjegjësi morale. Klientelistët, duke e shkëputur përfitimin nga parimet etike të veprimit, nuk e pranojnë ekzistencën e një detyrimi moral përtej interesit të tyre personal. Për ta, dallimi ndërmjet së mirës dhe së keqes humbet rëndësinë sa herë që ai bie ndesh me interesin e përfitimit dhe të favorit. Përkundrazi, krijuesit, të udhëhequr nga arsyeja etike, e lidhin vlerën e veprimit njerëzor me integritetin, përgjegjësinë dhe krijimin e së mirës së përbashkët. Për individët me prirje krijuese, mirëqenia dhe njohja shoqërore janë pasoja të drejtpërdrejta të aftësive, punës dhe dinjitetit të tyre krijues. Ndërsa individët me orientim klientelist bëhen lehtësisht pre e dëshirës për mirëqenie dhe prestigj pa bazë meritore, duke kërkuar rezultate që nuk burojnë nga aftësia krijuese, por nga shfrytëzimi i mundësive, marrëdhënieve dhe pozitave të pushtetit.
Në këtë dallim qëndron edhe ndryshimi ndërmjet mënyrave të ndërtimit të vetëvlerësimit. Individët e lirë, me orientim krijues, e ndërtojnë vetëvlerësimin mbi autonominë morale, aftësinë vepruese dhe përmbushjen përmes krijimit. Ndërsa individët me orientim klientelist e ndërtojnë vetëvlerësimin kryesisht mbi njohjen dhe vlerësimin që marrin nga të tjerët, si dhe mbi prestigjin dhe privilegjet që u sigurohen përmes pozitës së tyre shoqërore. Në këtë kuptim, klientelistët kërkojnë përmbushjen e menjëhershme të nevojave të egos përmes burimeve të siguruara nga jashtë, ndërsa ekzistenca e krijuesve mbështetet në vullnetin për krijimin e jetës, në zhvillimin e aftësive njerëzore dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së jetës mbi vlerat e lirisë, dinjitetit dhe humanitetit.
Në shoqërinë shqiptare, ku habitus-i patrimonial dhe marrëdhëniet klienteliste janë tejet të fuqishme, dallimet klasore nuk zhduken realisht, por shpesh mbulohen përmes krijimit të një forme të re solidariteti, jo mbi bazën e vlerave qytetare ose të interesave të përbashkëta shoqërore, por mbi bazën e prirjeve karakterologjike klienteliste. Në këtë mënyrë, solidariteti tradicional klasor zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga solidariteti i rrjeteve të përfitimit, të varësisë dhe të shkëmbimit të privilegjeve. Në këtë realitet, motoja tradicionale “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” merr një kuptim të përmbysur: ajo zëvendësohet simbolikisht nga një thirrje për bashkimin e individëve rreth logjikës së përfitimit: “Shqiptarë të të gjitha klasave shoqërore, të të gjitha krahinave, partive politike, përkatësive fetare dhe kulturore, bashkohuni në formacionin e klientelizmit!”
Klientelistët, si agjentë shoqërorë, janë amortizuesit e kontradiktës që ekziston ndërmjet kulturës politike dhe demokracisë formale shqiptare. Ata janë garantuesit e stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë së marrëdhënies sundues–vartës, e cila riprodhon poshtërimin. Krijuesit, pra individët e lirë, në kontekstin e dominimit të logjikës klienteliste, perceptohen si të rrezikshëm, sepse ata nxisin dhe mbështesin ndryshimin progresiv dhe çlirues, i cili bie ndesh me rendin e “normalizuar” sundues–vartës.
Përfundim
Edhe “Shkurorëzimi” Kurti-Osmani, psikologjia e turmës dhe egërsimi i diskursit publik në rrjetet socialeDobësimi i marrëdhënieve morale krijon mundësi për shfaqjen dhe përhapjen e formave të ndryshme të poshtërimit. Aspirata e vullnetshme për të përvetësuar statusin karakterologjik të servilizmit, si parim organizues i marrëdhënieve shoqërore, nuk përbën vetëm një deformim moral individual. Ajo është simptomë e një krize më të thellë morale të shoqërisë dhe të institucioneve shtetërore shqiptare, në të cilat suksesi shkëputet nga merita, privilegji zëvendëson përgjegjësinë dhe marrëdhëniet e varësisë vlerësohen më shumë sesa autonomia morale e individit.
Një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga ekzistenca formale e institucioneve, por edhe nga aftësia e tyre për të garantuar dinjitetin njerëzor dhe për të shmangur prodhimin e marrëdhënieve të poshtërimit dhe të nënshtrimit. Lufta kundër servilizmit të strukturuar, si forcë gjeneruese e formave të ndryshme të poshtërimit, lidhet ngushtë me procesin e transformimit të kulturës politike dhe morale të shoqërisë. Ky transformim duhet të fillojë me rikuperimin e marrëdhënies së dëmtuar ndërmjet moralit politik dhe ndërgjegjes demokratike të pushtetit, si kusht për rindërtimin e marrëdhënies ndërmjet moralit shoqëror dhe sferës publike. Kjo luftë morale përbën një përpjekje për shkëputjen e kulturës politike nga habitus-i patrimonial, përmes forcimit të institucioneve të pavarura, meritokracisë, arsimit kritik, transparencës dhe një konceptimi të ri të qytetarit si subjekt aktiv, autonom dhe i barabartë, e jo si vartës i autoritetit.