Shtojca për Kulturë

“Purple” e Bosnjë-Hercegovinës me triumf të trefishtë në Prishtinë

Aktorja Tatjana Shojiq me Çmimin për shfaqjen më të mirë (“Purple”) dhe atë për aktoren më të mirë, të cilat ia ka dorëzuar kryeministri në detyrë Albin Kurti, të shtunën mbrëma në përmbyllje të edicionit të nëntë të Festivalit të Teatrove në Prishtinë

Aktorja Tatjana Shojiq me Çmimin për shfaqjen më të mirë (“Purple”) dhe atë për aktoren më të mirë, të cilat ia ka dorëzuar kryeministri në detyrë Albin Kurti, të shtunën mbrëma në përmbyllje të edicionit të nëntë të Festivalit të Teatrove në Prishtinë

Ndarja e çmimeve ka qenë një lloj feste për Festivalin e Teatrove në Prishtinë, të shtunën mbrëma në ceremoninë e mbylljes së edicionit të nëntë. E për shfaqjen “Purple” të Bosnjë-Hercegovinës ka qenë triumf i trefishtë. Juria ka ndarë çmime me dhjetë kategori. Aktori Enver Petrovci, regjisorja Amra Mehiq dhe koreografi Gjergj Prevazi, kanë qenë anëtarë të jurisë. Pos Çmimit për shfaqjen më të mirë, “Purple” nën regji të Selma Spahiqit, ka marrë edhe atë për aktoren më të mirë, që i ka takuar Tatiana Shojiqit dhe Çmimin për shfaqjen më të mirë sipas përzgjedhjes së jurisë së mediave. Çmimin kryesor ia ka dorëzuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Purple” – një dramë familjare – ka qenë njëra prej pesë shfaqjeve në garë. “On the Heart of the Rose” nga Franca ka marrë atë që njihet si “Special Mention”; “Petrichora – The Story of Bridge of Arta” nga Greqia ka marrë Çmimin për shfaqjen më të mirë sipas vlerësimit të publikut, si dhe Çmimin për regjinë më të mirë, i cili i ka takuar Harry Thomos; “God Bless America” nga Kosova nën regji të Fatos Berishës, ka qenë shfaqja më e mirë sipas vlerësimit të studentëve e prej kësaj shfaqjeje, Kushtrim Qerimi ka marrë Çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor. Ofer Zwigeinbom ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor për lojën në “Family on a Train” nga Izraeli.

Festivali që mban edhe emrin e regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha, ka nisur të hënën mbrëma programin e tij në teatrin “Faruk Begolli”. Kësaj radhe nuk është ndarë Çmimi për aktorin më të mirë, ndonëse ka pasur të nominuar. Pas përfundimit të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ka folur për mediat regjisori i shfaqjes kosovare “God Bless America”, produksion i Teatrit të Gjilanit, Fatos Berisha.
“Dola dy herë në skenë që t’i pranoj dy çmime dhe jam shumë i lumtur, janë çmimet Shfaqja më e mirë prej studentëve dhe në emër të Kushtrim Qerimit për Çmimin aktori më i mirë në rol dytësor për shfaqjen ‘God Bless America’. Vërtet për mua ishte shumë me rëndësi pjesëmarrja në këtë festival që të jemi mes shfaqjeve shumë të mira ndërkombëtare dhe që publiku ynë në Prishtinë e po ashtu studentët kanë pasur rastin ta shohin shfaqjen tonë. Për mua është hera e parë që vihet në skenë një tekst që e kam shkruar unë dhe ishte një kënaqësi e madhe që shfaqja është pëlqyer edhe nga juria e studentëve edhe nga juria profesionale”, ka thënë ai para mediave pas mbylljes.

Ambasadorja e Izraelit Tamar Ziv e cila ka qenë gjithashtu e pranishme në ceremoni, ku edhe e ka pranuar çmimin në emër të ekipit të shfaqjes izraelite, ka thënë se do të ketë akoma më shumë artistë dhe shfaqje në edicionet e tjera në këtë festival.

\“Jam shumë e lumtur dhe krenare për Ofer Zwigeinbomin. Është aktore e mrekullueshme dhe sigurisht jam befasuar, sepse asnjëherë nuk mund t’i parashikosh rezultatet e një gare si kjo, por jam e lumtur, mendoj se e ka merituar, ishte një aktore e mrekullueshme dhe ky është vetëm fillimi, do të ketë më shumë aktorë dhe shfaqje që do të marrin pjesë në këtë festival në të ardhmen në Kosovë”, ka thënë ambasadorja Ziv.

Drejtoresha artistike e festivalit, Doruntina Alshiqi ka përmendur vështirësitë që kanë pasur gjatë prodhimit të këtij edicioni të sivjetshëm dhe është shprehur e gatshme ta nisë edicionin e ardhshëm të festivalit, i cili do të jetë edicion jubilar.

“Ceremonia e ndarjes së çmimeve përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jam shumë krenare që me gjithë ekipin arritëm ta kurorëzojmë një edicion fantastik. Kemi pasur sfida e vështirësi nga më të ndryshmet, por si gjithmonë ekipi ynë ka arritur t’i përmbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kemi arritur që çdo shfaqje të shfaqet në mënyrë të detajuar, ashtu edhe siç është kërkuar, sepse sjellja e skenografive nga anembanë bota nuk është e lehtë, sepse janë gjëra specifike të teatrit, kështu që kemi arritur të gjitha shfaqjet t’i sjellim për publikun kosovar dhe ata i kanë mirëpritur tepër mirë të gjitha shfaqjet. Sonte po festojmë me ekipin, por qysh nesër do të fillojmë të mendojmë për vitin jubilar dhe mezi po presim me plot energji të mirë të startojmë edhe për vitin e ardhshëm”, ka thënë Alshiqi. 

Fituesja e Çmimit aktorja më e mirë, Tatjana Shojiq, ka treguar se është zënë në befasi me ndarjen e tri çmimeve për shfaqjen në të cilën luan ajo.

“Ekipi ynë teatral shpresonte që ta merrnin një çmim, por tri çmime... nuk e kemi pritur. Ishte shumë emocionuese për mua, më vjen keq që jam vetëm sonte, pa ekipin e performancës, por jemi shumë falënderues ndaj jurisë dhe ndaj festivalit që na kanë përzgjedhur dhe na kanë dhënë mundësinë të jemi në këtë skenë dhe t’i ndajmë emocionet e historisë sonë me audiencën tuaj, jemi krenarë dhe falënderues për këtë mundësi”, ka thënë Shojiq.

Në edicionin e kaluar, shfaqja “Muhammad Ali, one and only” me autor Almir Imshireviq, nën regji të Dino Mustafiqit po ashtu nga Bosnjë-Hercegovina, pati fituar çmimin kryesor.