Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Everytime” fiton “Zemrën e Sarajevës” për trajtim të dhimbjes dhe zisë

“Everytime” fiton “Zemrën e Sarajevës” për trajtim të dhimbjes dhe zisë

“Everytime”, produksion i Austrisë dhe Gjermanisë, është vlerësuar nga juria për qasjen e tij kinematografike dhe mënyrën se si trajton dhimbjen dhe zinë. Filmi është shpërblyer me 16 mijë euro

Filmi “Everytime”, me regji të Sandra Wollner, është shpërblyer me çmimin kryesor të Festivalit të 32-të të Filmit në Sarajevë, duke fituar “Zemrën e Sarajevës” për filmin më të mirë të gjatë artistik. Ceremonia e ndarjes së çmimeve është mbajtur të premten mbrëma në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, me të cilën është përmbyllur edicioni i sivjetmë i festivalit.

Në garën kryesore të festivalit kanë qenë edhe dy filma nga Kosova, “Shame and money” i Visar Morinës dhe “Dua” i Blerta Bashollit. Të dy nuk kanë arritur të marrin çmime në konkurrencën kryesore, por pjesëmarrja e tyre në garën për “Zemrën e Sarajevës” ka shënuar paraqitje të rëndësishme të kinematografisë së Kosovës në një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në rajon. Filmat janë pritur mirë nga publiku gjatë ditëve të festivalit.

“Everytime”, produksion i Austrisë dhe Gjermanisë, është vlerësuar nga juria për qasjen e tij kinematografike dhe mënyrën se si trajton dhimbjen dhe zinë. Filmi është shpërblyer me 16 mijë euro.

Juria, e kryesuar nga aktorja britanike, Emily Watson, dhe e përbërë nga regjisori kroat, Igor Bezinoviq, aktorja nga Maqedonia e Veriut, Sara Klimoska, drejtori ekzekutiv dhe drejtor i Akademisë Evropiane të Filmit Matthis Wouter Knol dhe regjisorja, skenaristja e producentja greke, Athina Rachel Tsangari, ka bërë vlerësim unanim për filmin e “Wollnerit”.

“Momente të hirit kinematografik shfaqen përmes kësaj historie fantazmagorike, magjepsëse, elastike dhe transdenciale të mbushur me dhimbjen e zisë. Vendimi ynë ishte unanim”, ka qenë arsyetimi i jurisë.

Edhe “Shame and Money” në Karlovy Vary në mesin e elitës së filmit Kulturë “Shame and Money” në Karlovy Vary në mesin e elitës së filmit

“Zemra e Sarajevës” për regjisoren më të mirë i është dhënë Ana Urushadzes për filmin “Supporting role”, ndërsa çmimi për aktoren më të mirë ka shkuar te Eva Kostic për interpretimin në “17”. Për aktorin më të mirë është shpërblyer Adrian Vancica për rolin në “You Don’t Belong Here”

Në kategorinë e filmit dokumentar, “Zemra e Sarajevës” për dokumentarin më të mirë të gjatë i është dhënë “To Hold A Mountain” me regji të Biljana Tutorov dhe Petar Glomazic. Filmi, produksion i Serbisë, Francës, Malit të Zi, Sllovenisë dhe Kroacisë, është cilësuar nga juria si një portret prekës i dy grave dhe i një mënyre jetese që po zhduket.

“Me një kinematografi mahnitëse epike, ky portret prekës i dy grave të jashtëzakonshme dhe i një mënyre jetese që po zhduket na magjepsi. Të lidhura nga një e kaluar traumatike, përpjekja e tyre për ta shpëtuar malin ishte një udhëtim i paharrueshëm”, është vlerësimi i jurisë.

Çmimi për dokumentarin më të mirë të shkurtër i është dhënë “Holy Defiance”, me regji të Karla Jelic. Filmi është vlerësuar për mënyrën se si trajton një akt të guximshëm kundër mizogjinisë dhe për qëndrimin kritik ndaj përpjekjeve për t’i heshtur gratë.

Çmimi i Veçantë i Jurisë në këtë kategori ka shkuar për “The Ferry Flows”, me regji të Zhora Papoian. Juria e ka vlerësuar filmin për mënyrën e qetë dhe njerëzore të rrëfimit, duke vënë në qendër jetën e një mësuesi muzike dhe të nxënësve të tij, të cilët përballen me dhimbjen dhe humbjen në përditshmëri.

Edhe Publikohet Fjalori i madh i shqipes që ndan dy akademitë Kulturë Publikohet Fjalori i madh i shqipes që ndan dy akademitë

Në konkurrencën e filmit të shkurtër artistik, çmimi për filmin më të mirë i është dhënë “Nobody Said Anything”, me regji të Tamara Todorovic. Filmi është vlerësuar për aftësinë për të ndërtuar personazhe bindëse brenda një kohe të kufizuar dhe për krijimin gradual të një atmosfere tensioni.

Mirënjohje të Veçantë ka marrë filmi “Porkatal”, me regji të Sis Gürdal, i cili është vlerësuar për atmosferën poetike dhe emocionale dhe për mënyrën se si zbulohet gradualisht bota e brendshme e personazhit.

Në ceremoninë përmbyllëse është ndarë edhe “Zemra e Nderit e Sarajevës”, një prej vlerësimeve më të rëndësishme të festivalit për kontributin në artin e kinemasë. Këtë çmim e kanë marrë aktorët: Emily Watson, Diego Luna, Woody Harrelson, regjisori Asghar Farhadi dhe aktori Emir Haxhihafizbegoviq.

Për Haxhihafizbegoviciq, një prej figurave të shquara të kinemasë boshnjake dhe asaj rajonale, çmimi është dhënë në shenjë vlerësimi për rolet e tij të paharrueshme dhe kontributin e përgjithshëm në artin e filmit.

Edhe pse dy filmat nga Kosova në garën kryesore, “Shame and money” dhe “Dua”, nuk kanë arritur të hyjnë në mesin e veprave të shpërblyera, prania e tyre në edicionin me konkurrencë të gjerë ndërkombëtare e ka mbajtur kinematografinë e Kosovës në një prej vëmendjeve kryesore të festivalit.

Edhe Piktori vjedh piktorin dhe kapet me veprat në vlerë prej 80 mijë eurosh Kulturë Piktori vjedh piktorin dhe kapet me veprat në vlerë prej 80 mijë eurosh

Për “Shame and money”, Visar Morina është rikthyer në Sarajevë me një vepër të re pas prezencave të tij të mëhershme në skenën ndërkombëtare, ndërsa Blerta Basholli ka përfaqësuar Kosovën me “Dua”, duke vazhduar rrugëtimin e saj në festivalet ndërkombëtare pas suksesit të filmit të saj paraprak. Rrëfimet e të dy filmave vazhdojnë tutje në festivale të tjera të filmit.

Ceremonia në Teatrin Kombëtar ka shënuar fundin e një tjetër edicioni të festivalit që edhe këtë vit e ka vendosur Sarajevën në qendër të skenës rajonale dhe ndërkombëtare të filmit. “Everytime” ka dalë fitues i çmimit kryesor, ndërsa prania e filmave nga Kosova në garën kryesore ka qenë një tjetër dëshmi e përfshirjes së kinematografisë së Kosovës në festivalet të rëndësishme ndërkombëtare.