Sot, kur po shënojmë pesëvjetorin e ikjes në amshim të Bekim Lumit, ikjen e parakohshme të një personaliteti krijues, njeriu nuk ka si të mos e ndiejë zbrazësinë, si të njeriut ashtu edhe të artistit dhe, po ashtu, nuk ka si të mos e pyes veten - a thua edhe sa regjisura të tjera në këtë pesëvjeçar do të realizoheshin nga dora mjeshtërore e Bekim Lumit?!...Nuk e kam fjalën se Bekimi ishte njeriu i shfaqjeve teatrore të shpeshta e të shumta – përkundrazi, ishte fanatiku i përkushtimit të plotë kundruall alkimisë regjisoriale, ishte filigranisti, për të cilin nuk kishte detaje të parëndësishme
Do të doja që kjo parathënie të shkruhej në një kohë a ditë tjetër, me arsye tjetër, në një përvjetor tjetër, e pakta një dhjetëvjetësh a dy më vonë dhe që, kështu, në të të përfshiheshin, nga kushdo që do ta shkruante parathënien e një libri përkujtimor, edhe shumë e shumë vjet të tjerë të veprimtarisë artistike e regjisoriale të personalitetit krijues, të artistit, të regjisorit të pashoq në skenën e në kulturën shqiptare, Bekim Lumit. Por sot, kur po shënojmë pesëvjetorin e ikjes në amshim të Bekim Lumit, ikjen e parakohshme të një personaliteti krijues, njeriu nuk ka si të mos e ndiejë zbrazësinë, si të njeriut ashtu edhe të artistit dhe, po ashtu, nuk ka si të mos e pyesë veten – a thua edhe sa regjisura të tjera në këtë pesëvjeçar do të realizoheshin nga dora mjeshtërore e Bekim Lumit?!...Nuk e kam fjalën se Bekimi ishte njeriu i shfaqjeve teatrore të shpeshta e të shumta – përkundrazi, ishte fanatiku i përkushtimit të plotë kundruall alkimisë regjisoriale, ishte filigranisti, për të cilin nuk kishte detaje të parëndësishme! Ishte njeriu e artisti, laboratori i të cilit, me alkiminë e tij artistike unikale, përpunonte krejt në mënyrë origjinale realitetin e veprës dramatike si lexim dramaturgjik e regjisorial i papërsëritshëm. Gjatë një jete artistike prej më pak se dy dhjetëvjetëshash, nga koha kur realizon premierën e shfaqjes, “Mësimi” (2002) të dramatistit të njohur, E. Ionescos në teatrin e qytetit “Dodona” të Prishtinës e deri te shfaqja e tij e fundit “Arturo Ui” (2018) të Bertold Brechtit të madh, regjisori Bekim Lumi nuk realizoi më shumë se dhjetë shfaqje, por, secila prej tyre, pa përjashtim, shënjon një ngjarje artistike e kulturore të rëndësishme dhe flet, që nga fillimet e tij, për një personalitet origjinal artistik, të ndryshëm, jokonvencional e të guximshëm me frymën dhe me qasjen e tij regjisoriale.
Bekim Lumi, si pak regjisorë që aktivitetin e tyre e zhvillojnë pas luftës (1999), ka pasur fatin e mirë e meritor që inskenimet e tij teatrore, pa përjashtim, të përcillen, qoftë menjëherë pas premierave të tyre, qoftë në raste të tjera, me recensione, me artikuj, me opinione e analiza më shumë sesa shumica e shfaqjeve teatrore të sivëllezërve të tij dhe, siç mund të shihet edhe nga materialet e përfshira në këtë libër, pothuajse pa përjashtim, në të gjitha ato shkrime theksohet karakteri origjinal e i guximshëm i poetikës së tij regjisore. Siç mund të shihet nga recensionet, nga artikujt, nga vëzhgimet dhe nga analizat që u janë bërë shfaqjeve teatrore të Bekim Lumit, po ashtu siç mund të shihet edhe nga përzgjedhja, që u është bërë materialeve të përfshira në këtë libër e që identifikojnë aspekte, dimensione dhe çështje të ndryshme të artit regjisorial të Bekim Lumit, fare qartë dhe në mënyrë të fuqishme spikat opinioni i përbashkët, karakteristik, lidhur me frymën e veçantë, për një qasje tjetër, ndryshe, origjinale të regjisorit, i cili punën e tij e trajton, e projekton dhe e artikulon si një përpjekje për humanizim, si një filozofi të fisnikërimit përmes artit, si një Artësim, që ishte motoja e tij krijuese. Në këtë pikë do theksuar se numri i artikujve, i opinioneve, i vlerësimeve e observimeve lidhur me artin e regjisë teatrore të Bekim Lumit të regjistruara në shtypin e kohës, në revista e gazeta të ndryshme, ka qenë gjithsesi më i madh e edhe më i larmishëm, por redaksia është përcaktuar për shkrimet të cilat identifikojnë në mënyrë më përfaqësimtare poetikën regjisoriale të krijimtarisë artistike të Bekimit, shkrimet që sjellin karakteristikat dhe tiparet e rëndësishme të laboratorit krijues të regjisorit të guximshëm e pazakonshëm të përkushtuar në përpjekjet e tij për pushtimin estetik, dramaturgjik e regjisorial të realitetit artistik të veprës dramatike.
Do theksuar edhe disa aspekte të tjera të rëndësishme të këtij libri, të cilat u kontribuojnë ndërtimit të portretit krijues dhe aspekteve të tjera artistike e sociokulturore, jo vetëm të regjisorit, por edhe të të gjithë atyre shtëpive teatrore e krijuesve me të cilat Bekim Lumi ka realizuar idetë, projeksionet dhe vizionet e tij artistike: pos të dhënat e sakta, të regjistruara me pedanteri për shfaqjet, për ekipin e shfaqjeve, si dhe kohën dhe botimin e artikujve e observacioneve mbi shfaqjet teatrore, të shoqëruara me shënimet përkatëse përcjellëse, në kuadër të prezantimit të të gjitha shfaqjeve brenda kopertinave të këtij libri përkujtimor, është regjistruar dhe paraqitur edhe rrugëtimi i shfaqjeve teatrore të inskenuara në regjinë e Bekim Lumit përtej opinionit të artikuluar menjëherë pas premierave teatrore – është regjistruar pjesëmarrja nëpër festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke prezantuar opinione, analiza, vëzhgime lidhur me këto shfaqje në mënyrë autentike, edhe në gjuhë të huaja, të bartura në këtë libër në origjinal, varësisht nga rastet dhe prezantimet, të cilët kryesisht afirmojnë dhe vlerësojnë lart poetikën regjisoriale të Lumit. Po theksoj aspekte të këtilla të veprimtarisë regjisoriale të Bekim Lumit, të cilat shihen qartazi nga materialet e përfshira në këtë libër, sepse këto jo vetëm ndërtojnë një ide për vetë punën dhe aktivitetin e tij regjisorial, por edhe për reflekset, për jehonën artistike që puna e këtillë ka bërë në qarqe e në nivele të ndryshme artistike kombëtare e ndërkombëtare.
Një aspekt ose dimension të rëndësishme të librit përkujtimor “Loja e Bekim Lumit”, që e rindërton imazhin për identitetin artistik të këtij regjisori unikal, e përbën ana vizuale e prezantimeve të përfshira në këtë libër: posteret, fletëpalosjet, katalogët, fjala e vetë regjisorit, fotografitë e shumta nga vetë shfaqjet, që, të dhëna në mënyrë sistematike pranë secilës shfaqje veç e veç, përmes imazheve, përbëjnë një arkiv të llojit të vet, një arkiv vizual të llojit të vet, i cili e konservon një pjesë të procesit artistik, të aspekteve të laboratorit teatror, të jetës së autorit e të njerëzve me të cilët Bekimi e realizon procesin artistik në faza të ndryshme të dinamikave të këtij procesi. Dhe, kur është fjala për këtë aspekt të këtij libri përkujtimor, nuk mund të mos theksohet se të gjitha shfaqjet e Bekim Lumit janë të shoqëruara, të prezantuara, të demonstruara me anë të fotografive domethënëse, pamjet e të cilave ndërtojnë pjesë të atmosferës, të ambientit, të rrethanave dhe të frymës, me të cilën janë punuar dhe realizuar këto shfaqje, gjë që i shton vlerën librit, e pasuron atë me imazhe autentike si pjesë e procesit krijues, e laboratorit teatror autentik.
Sado kjo parafjalë nuk synon prezantimin e plotë të të gjithë asaj që është përfshirë, organizuar e sistemuar me kujdes e përkushtim në këtë libër, nuk mund të mos theksohet fakti se pjesa e fundit e saj me titullin “Në shenjë të përkujtimit” përbën një aspekt tjetër të veçantë, që regjistron reagimet, opinionet, shestimet në përvjetorët e ikjes në amshim të artistit, filluar nga sivëllezërit e tij, artistët, politikanët e deri te figurat publike, që, secili në mënyrën e vet, artikulojnë me pietet e respekt, me dhembje e ndjenjë të veçantë largimin nga kjo botë të artistit, gjithnjë duke synuar për ta mbajtur gjallë atë konceptin e Gaetan Pikonit se “Krijimi është mohim i vdekjes”, formulë kjo të cilën Bekim Lumi për të gjallë të tij e kishte artikuluar e jetësuar me filozofinë e tij jetësore e krijuese – U ARTËSOFSHI!
Edhe
Bekim Lumi – luftëtar i pakompromis i kauzave e betejave teatrore
Në fund të observacioneve dhe të këtij prezantimi të librit përkujtimor “Loja e Bekim Lumit”, që më duket se është libri i parë i kësaj natyre me një format kaq kompleks, dinjitoz e përfaqësimtar, nuk mund të mos vërë në pah punën e redaksisë në përpjekjet e saj në përgatitjen e librit, në veçanti angazhimin e veçantë në organizimin dhe në sistemimin e materialeve të përfshira në këtë libër nga ana e dramaturgut Arian Krasniqi dhe, po ashtu, angazhimin dhe përkushtimin e pashoq të poetit e tregimtarit, Afrim Demiri, të promotorit, jo vetëm të këtij botimi, po edhe të veprimtarive të tjera në shënim të përvjetorëve të tjerë e të këtij përvjetori të pestë të ikjes në amshim të Bekim Lumit, të regjisorit origjinal, të guximshëm, jokonvencional, emblematik të teatrit tonë.
Parathënia e librit “Loja e Bekim Lumit” i cili përurohet sot, më 30 korrik, në pesëvjetorin e vdekjes së Bekim Lumit