Kulturë

Bekim Lumi – regjisori që ngriti nivelin e teatrit

“Dita e Bekim Lumit” është titulluar takimi që ka mbledhur familjarë, miq e kolegë të Lumit në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Aty është dhënë lajmi se presidentja e Kosovës e ka dekoruar Lumin me medaljen “Artist i Merituar”. Libri “Loja e Bekim Lumit” me nëntitull “Kritika, shqyrtime, shënime” – botim i qendrës “Multimedia” – që është promovuar në këtë ceremoni, në 353 faqe përmbledh krejt ato që janë shkruar për shfaqjet e realizuara nga Lumi. E ata që i kanë parë shfaqjet e tij kanë përjetuar një tjetër dimension teatror në këto anë

Janë tinguj e këngë që të pranishmit i kanë kthyer në vitin 2008. Nuk bëhet fjalë vetëm për kthim prapa në kohë, por edhe në botëkuptimin e teatrit. Saktësisht në botëkuptimin e Bekim Lumit për teatrin. Dren Suldashi në kitarë e ka kthyer për pak frymën e shfaqjeve të Bekim Lumit. E Afrim Muçaj ia ka ndihmuar atij me vargje të pëlqyera nga Lumi. Me këtë intro, të pranishmit veç kanë hyrë në “shfaqjen” nëpërmjet së cilës të dielën është kujtuar regjisori i teatrit Bekim Lumi në 5-vjetorin e vdekjes.

“Dita e Bekim Lumit” është titulluar takimi që ka mbledhur familjarë, miq e kolegë të Lumit në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Aty është dhënë lajmi se presidentja e Kosovës e ka dekoruar Lumin me medaljen “Artist i Merituar”. Libri “Loja e Bekim Lumit” me nëntitull “Kritika, shqyrtime, shënime” – botim i qendrës “Multimedia” – që është promovuar në këtë ceremoni, në 353 faqe përmbledh krejt ato që janë shkruar për shfaqjet e realizuara nga Lumi. E ata që i kanë parë shfaqjet e tij kanë përjetuar një tjetër dimension teatror në këto anë.

Pikërisht për këtë ka folur edhe dramaturgu, regjisori e profesori universitar Fadil Hysaj. Ka thënë se për dallim nga të tjerët që realizonin shfaqje me pak a shumë prova njëmujore, Lumit ky proces i merrte gjashtë e shtatë muaj. Por, sipas Hysajt, krejt kjo arsyetohet pasi Lumi donte që secili element i shfaqjes të ishte brenda konceptit të tij, prej lojës, muzikës, skenografisë e deri te kostumet.

“Secila premierë si e veçantë dhe në lidhje me njëra tjetrën kanë krijuar një bazament tjetër estetik dhe një kriter shumë më të lartë të vlerave artistike në shprehjen skenike”, ka thënë midis të tjerash Hysaj. Sipas tij, në një kohë më të mirë, kur shoqëria do t’i vlerësojë shkencëtarët e artistët, Lumi do të jetë aty ku e ka vendin, te personalitetet e rralla të artit skenik.

Në librin e promovuar nga organizatorët përfshihen kritikat e raportimet prej shfaqjes “Mësimi” e deri te e fundit e realizuar nga Lumi, “Arturo Ui”. Vepra e përgatitur për botim nga gazetari, poeti e tregimtari Afrim Demiri bashkë me dramaturgun e profesorin universitar Arian Krasniqi përfshin edhe një tekst të kompozitorit Valton Beqiri që titullohet “Karakteristikat timbrike në shfaqjet e Bekim Lumit”. Në mungesë të Beqirit, këtë tekst e ka lexuar Afrim Demiri.

Sipas Beqrit, përveç aspektit dramaturgjik, qasjes regjisoriale dhe aktrimit, aspekti tingullor konsiderohet si një element thelbësor i cili mundëson krijimin e disponimeve, krijimin e tensionit apo rritjen e emocioneve të personazheve në skenë. Beqiri ka shkruar se aspekti sonor është i përdorshëm edhe për të krijuar ndjenjën e vendndodhjes, ambientit dhe të kohës.

“Kur flitet për këtë çështje, fillimisht aludohet në elemente si muzika dhe audio-efektet, të cilat gjithsesi e luajnë funksionin më të rëndësishëm në përfitimin e situatave dhe emocioneve të kërkuara gjatë shfaqjes teatrore”, ka shkruar Beqiri.

Ka veçuar fokusin e Lumit te zëri, si mjet thelbësor i aktorëve për të sjellë performancën e tyre në skenë dhe për të përçuar emocionet e kërkuara. “Zëri i njeriut konsiderohet mjeti (instrumenti) më i gjithanshëm, më kompleks dhe i vetëm i cili përçon mesazhin dhe mundëson shprehjen. Në rastin e Bekës, vërejmë shfrytëzimin e vokalit me qëllim të shtyrjes së kufijve të ndërtimit estetik me anë të përfitimit të efekteve jokonvencionale zanore”, ka shkruar, midis të tjerash, Beqiri. Sipas tij, Lumi me gjithë pasionin e tij për rëndësinë dhe fuqinë e zërit, aspekti muzikor është i pashmangshëm në shfaqjet që i realizonte. “Pavarësisht idesë fillestare, formulimi muzikor adaptohej në bashkërrugëtim me krijimin e shfaqjes. Listimi i shfaqjeve të realizuara ilustron qartë kahen muzikore e njëherësh edhe vetëkontrollin që e kishte mbi këtë element”, ka shkruar Beqiri. Më pas në ekran janë dhënë pjesë të shfaqjeve të lumit ku muzika është dominuese duke shpërfaqur atë që ka shkruar Beqiri.

Dramaturgu Besim Rexhaj në cilësinë e redaktorit të botimit të librit që është promovuar ka lexuar parathënien e veprës. Ka njoftuar të pranishmit me përmbajtjen e librit ku pos koncepteve të lumit përfshihen shumica e shkrimeve e kritikave për shfaqjet e tij.

Rexhaj ka thënë se prej shfaqjes “Mësimi” më 2002 e deri te “Arturo Ui” më 2018 regjisori Bekim Lumi nuk realizoi më shumë se dhjetë shfaqje, “por secila prej tyre, pa përjashtim, shënjon një ngjarje artistike e kulturore të rëndësishme dhe flet, që nga fillimet e tij, për një personalitet origjinal artistik, të ndryshëm, jokonvencional e të guximshëm me frymën dhe me qasjen e tij regjisoriale”.

Ka thënë se Bekim Lumi, si pak regjisorë që aktivitetin e tyre e zhvillojnë pas luftës së vitit 1999, ka pasur fatin e mirë e meritor që inskenimet e tij teatrore, pa përjashtim, të përcillen, qoftë menjëherë pas premierave të tyre, qoftë në raste të tjera, me recensione, me artikuj, me opinione e analiza më shumë sesa shumica e shfaqjeve të tjera teatrore. Rexhaj ka thënë se siç mund të shihet nga recensionet, nga artikujt, nga vëzhgimet dhe nga analizat, që u janë bërë shfaqjeve teatrore të Bekim Lumit, spikat opinioni i përbashkët, karakteristik, lidhur me frymën e veçantë, për një qasje tjetër, ndryshe, origjinale të regjisorit i cili punën e tij e trajton, e projekton dhe e artikulon si një përpjekje për humanizëm, “si një filozofi të fisnikërimit përmes artit, si një artësim, që ishte motoja e tij krijuese”.

“Një aspekt ose dimension të rëndësishme të librit përkujtimor ‘Loja e Bekim Lumit’, që e rindërton imazhin për identitetin artistik të këtij regjisori unikal, e përbën ana vizuale e prezantimeve të përfshira në këtë libër: posterët, fletëpalosjet, katalogët, fjala e vet regjisorit, fotografitë e shumta nga vetë shfaqjet, që, të dhëna në mënyrë sistematike pranë secilës shfaqje veç e veç, përmes imazheve, përbëjnë një arkiv të llojit të vet, një arkiv vizual të llojit të vet, i cili e konservon një pjesë të procesit artistik, të aspekteve të laboratorit teatror, të jetës së autorit e të njerëzve me të cilët Bekimi e realizon procesin artistik në faza të ndryshme të dinamikave të këtij procesi”, ka thënë Rexhaj.

Por ceremonia nëpërmjet së cilës është kujtuar Lumi duhet të ngjante edhe në shfaqje. Dhe atë, jo në çfarëdo shfaqjeje. “Agnus Dej”- vepër të cilën Luan Durmishi e kishte punuar enkas për Lumin- ka bërë që tenori të luajë në piano e aktorja veterane Meli Qena të interpretojë poezinë “Vdekja e Aktorit”. Ka mbajtur të veshur kostumin e saj të shfaqjes “Këmisha e gjakut” që premierë ishte dhënë më 2010. Triptiku i interpretimeve në fund të ceremonisë është plotësuar me “Oh nanë”, poezinë e Lumit që është performuar nga aktorja Njomza Tmava e Afrim Kasapollin, i cili ka interpretuar vargje të Teki Dervishit.

Lumi ka luajtur fort me vargje, qoftë si njeri që ka shkruar vetë e qoftë si regjisor. Qysh herët ishte lidhur me letërsinë e artin në përgjithësi. I lindur më 17 dhjetor 1966 në Suharekë, Lumi nga viti 1987 deri më 1991 ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka studiuar Regji Teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, më 2010 ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës. Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në Radion Evropa e Lirë.

Gjatë këtyre viteve ai ka punuar si regjisor i pavarur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në teatrin “Dodona”, si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. “Mësimi”, “Galani”, “Arushani dhe fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dilerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”, janë shfaqjet me të cilat mbahet mend Lumi. Ishte një prej regjisorëve kosovarë shfaqjet e të cilit kanë marrë pjesë në shumë festivale, si në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë e në vende të tjera. Më 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë; e më 2016 ka fituar “Çmimin vjetor për shfaqjen më të mirë”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës. Lumi ishte botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja”, e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010.

Nga viti 2013 deri në vdekje, më 30 korrik 2018, ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, në Degën e Regjisë së Teatrit. Origjinaliteti ishte arma e tij më e fortë në krijimtari. E për krejt këtë, siç ka treguar motra e tij, Drita Lumi, presidentja e Kosovës e ka dekoruar me medaljen “Artist i Merituar”. Është titull që i shkon përshtat njeriut që ka meritat kryesore në këto anë për tjetër frymë të teatrit.