Janë tinguj e këngë që të pranishmit i kanë kthyer në vitin 2008. Nuk bëhet fjalë vetëm për kthim prapa në kohë, por edhe në botëkuptimin e teatrit. Saktësisht në botëkuptimin e Bekim Lumit për teatrin. Dren Suldashi në kitarë e ka kthyer për pak frymën e shfaqjeve të Bekim Lumit. E Afrim Muçaj i ka ndihmuar atij me vargje të pëlqyera nga Lumi. Me këtë intro, të pranishmit veç kanë hyrë në “shfaqjen” nëpërmjet së cilës të dielën është kujtuar regjisori i teatrit Bekim Lumi në 5-vjetorin e vdekjes.
“Dita e Bekim Lumit” është titulluar takimi që ka mbledhur familjarë, miq e kolegë të Lumit në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Libri “Loja e Bekim Lumit” me nëntitull “Kritika, shqyrtime, shënime” – botim i qendrës “Multimedia” – që është promovuar në këtë ceremoni, në 353 faqe përmbledh krejt ato që janë shkruar për shfaqjet e realizuara nga Lumi. E ata që i kanë parë shfaqjet e tij kanë përjetuar një tjetër dimension teatror në këto anë.
Pikërisht për këtë ka folur edhe dramaturgu, regjisori e profesori universitar Fadil Hysaj. Ka thënë se për dallim nga të tjerët që realizonin shfaqje me pak a shumë prova njëmujore, Lumit ky proces i merrte gjashtë e shtatë muaj.
“Në librin e promovuar nga organizatorët përfshihen kritikat e raportimet prej shfaqjes “Mësimi” e deri te e fundit e realizuar nga Lumi, “Arturo Ui”. Vepra e përgatitur për botim nga gazetari, poeti e tregimtari Afrim Demiri bashkë me dramaturgun e profesorin universitar Arian Krasniqi përfshin edhe një tekst të kompozitorit Valton Beqiri që titullohet “Karakteristikat timbrike në shfaqjet e Bekim Lumit”. Në mungesë të Beqirit, këtë tekst e lexoi Afrim Demiri”.
Sipas Beqirit, përveç aspektit dramaturgjik, qasjes regjisoriale dhe aktrimit, aspekti tingullor konsiderohet si një element thelbësor i cili mundëson krijimin e disponimeve, krijimin e tensionit apo rritjen e emocioneve të personazheve në skenë.
Dramaturgu Besim Rexhaj në cilësinë e redaktorit të botimit të librit që është promovuar ka lexuar parathënien e veprës. Ka njoftuar të pranishmit me përmbajtjen e librit, ku pos koncepteve të lumit përfshihen shumica e shkrimeve e kritikave për shfaqjet e tij.
“Por ceremonia nëpërmjet së cilës është kujtuar Lumi duhej të ngjante edhe në shfaqje. Dhe atë, jo në çfarëdo shfaqjeje. “Agnus Dej”- vepër të cilën Luan Durmishi e kishte punuar enkas për Lumin- ka bërë që tenori të luajë në piano e aktorja veterane Meli Qena të interpretojë poezinë “Vdekja e Aktorit”. Ka mbajtur të veshur kostumin e saj të shfaqjes “Këmisha e gjakut” që premierë ishte dhënë më 2010. Triptiku i interpretimeve në fund të ceremonisë është plotësuar me “Oh nanë”, poezinë e Lumit që është performuar nga aktorja Njomza Tmava e Afrim Kasapollin, i cili ka interpretuar vargje të Teki Dervishit”.
Origjinaliteti ishte arma e tij më e fortë në krijimtari. E për krejt këtë, siç ka treguar motra e tij, Drita Lumi, presidentja e Kosovës e ka dekoruar me medaljen “Artist i Merituar”. Është titull që i shkon përshtat njeriut që ka meritat kryesore në këto anë për tjetër frymë të teatrit.