Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas vdekjes së të burgosurit që po mbahej në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.
KMDLNJ ka deklaruar se është i nevojshëm ndërtimi i një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës në mënyrë që të përmirësohet trajtimi shëndetësor i personave të privuar nga liria.
“Sipas KMDLNJ-së, i dënuari i ndjerë Zhuniqi ishte dërguar me urgjencë në S.R. në Pejë nga Njësia Ambulantore e Q.K. të Dubravë ku trajtohej në kuadër të mundësive profesionale e që, sipas KMDLNJ-së ishin dhe janë të pamjaftueshme për trajtim të rasteve të rënda. Trupi i të ndjerit, me vendim të prokurorit është dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore për obduksion, siç parashihet me LESP-së. KMDLNj edhe më herët ka theksuar se pa ndërtimin e një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pa investim në infrastrukturë profesionale duke ofruar stimulim shtesë për profesionistët shëndetësorë që do të punonin në këtë spital, nuk do të ketë përmirësim të trajtimit të shëndetit për personat e privuar nga liria përkundër angazhimit maksimal të Shërbimit shëndetësor të burgjeve”, thuhet në reagim.
Problem të madh, sipas KMDLNJ-së paraqet edhe transporti i të burgosurve për trajtim, sidomos i rasteve me rrezikshmëri të lartë.
“Mungesa e kapacitetit pranues në institucionet shëndetësore publike është sfidë e madhe për SHKK-në dhe SHSHB-në, e para në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kurse e dyta e Ministrisë së Shëndetësisë. Për KMDLNJ-n paraqet brengë të veçantë pandjeshmëria e gjykatave edhe për rastet me sëmundje të pashërueshme duke refuzuar thuaja çdo kërkesë të argumentuar nga Shërbimi Spitalor i Burgjeve për ndërprerje të dënimit”, thuhet tutje në reagim.