Kulturë

Bekim Lumi – luftëtar i pakompromis i kauzave e betejave teatrore

Bekim Lumi

Në nderim të trashëgimisë së Bekim Lumit, Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar të mërkurën në qarkullim emisionin me figurën e Bekim Lumi. Në arsyetimin e këtij vendimi, Posta e Kosovës ka shkruar se Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë

Emri i Bekim Lumit është vulë e teatrit të Kosovës si figurë qendrore e teatrit në çerekshekullin e fundit. “Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar ia dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar”, shkruhet në arsyetimin me të cilin të mërkurën është emetuar pulla postare me portretin e tij. Në shtatëvjetorin e vdekjes, miq e kolegë të Lumit e kanë kujtuar si zërin më të artikuluar teatror e intelektual, një luftëtar i pakompromis i kauzave e betejave teatrore në këto anë, regjisura e të cilit ka qenë dhe mbetet unike edhe më tej

Figura e regjisorit Bekim Lumi prej ditës së shtatëvjetorit të vdekjes do të qarkullojë në të katër anët e botës. E ata që do të interesohen për atë që përfaqëson imazhi më i ri pullës postare të Kosovës, do të mësojnë se bëhet fjalë për figurën qendrore të teatrit të Kosovës në çerekshekullin e fundit. 
Trashëgimia e tij artistike ngelet e shumanshme. Me bazë teatrin, Lumi – i cili vdiq më 30 korrik të vitit 2018 në moshën 52-vjeçare –  la gjurmë të forta në artin dhe në kulturën e vendit. Kurse si pedagog mbolli një tjetër frymë te gjeneratat e reja. 

Në nderim të trashëgimisë së Lumit, Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar të mërkurën në qarkullim emisionin me figurën e Bekim Lumit. Në arsyetimin e këtij vendimi, Posta e Kosovës ka shkruar se Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. 

“Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar”, shkruhet në arsyetim. Aty bëhet e ditur se prej vitit 2006 deri më 2010, ai nxori revistën teatrore “Loja”. Kurse me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë-Hercegovinë, e në vende të tjera. Për punën e tij regjisoriale, siç njofton Posta e Kosovës, Lumi është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor “Shfaqja më e mirë”. 

“Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor ‘Regjisor i vitit’. Për shfaqjen e tij ‘Arturo Ui’, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin ‘Regjia më e mirë e vitit’ dhe shfaqja u shpall ‘Shfaqja më e mirë e vitit’”, shkruhet në arsyetim. Bëhet e ditur se më 2023, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.

“Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend”, shkruhet në arsyetim. Aty shtohet se pas vdekjes së tij, qendra “Multimedia” i ka botuar veprat, si: “Shakespearei dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2019), një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” (2021), si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.

Udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, dramaturgu Jeton Neziraj, ka thënë se Bekim Lumi është pa dyshim figura qendrore e teatrit në Kosovë për krejt periudhën e pasluftës. 

“Ai ka qenë zëri më i artikuluar teatror e intelektual, një luftëtar i pakompromis i kauzave e betejave teatrore te ne, e një strumbullar rreth të cilit kanë gravituar forcat më progresiste teatrore e kulturore në Kosovë”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, vdekja e Lumit në një moshë shumë të re, natyrisht ka lënë zbrazëtirë të madhe në jetën teatrore e kulturore te ne në shumë drejtime. 

“Para së gjithash, na mungojnë shfaqjet e tij, ku ai zakonisht jepte krejt shpirtin e forcën e tij krijuese. Prandaj po, ndihem mirë që ai kontribut i madh i tij sot njihet, sadopak. Edhe sikur tani, në këtë rast, me krijimin e pullës postare për të. Bekim Lumi ka qenë njeri i madh i teatrit në Kosovë”, ka thënë ai. 
Kurse dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë se është për t’u përshëndetur lëshimi në qarkullim i pullës postare “Bekim Lumi”, sepse në këtë mënyrë e nderojmë sado simbolikisht krijimtarinë e tij unike teatrore e kulturore. 

“Mungesa e Lumit vërehet në skenën tonë teatrore, sepse stili i tij regjisorial ka qenë dhe mbetet unik edhe më tej. Ai shkoi i ri nga kjo botë, por la vepra të pasura e të çmuara skenike”, ka thënë Krasniqi. 

Aktori Afrim Muçaj qe ndër të preferuarit e Lumit në shfaqjet e tij. Ai ka thënë se ka njerëz që largohen duke mos e lënë bosh vendin ku ishin, sepse aty ku rrinin, krijonin dritë, gjurmë, tension. 

“Sot janë shtatë vjet. Dhe më duket ende si një pushim i gjatë mes dy provave. Nuk ishte i lehtë. Por ishte i domosdoshëm. E deshe skenën me një përkushtim që të rraskapit, por edhe të shenjtëron. Nuk e di çfarë ndodh përtej kësaj jete, por nëse ka një skenë tjetër atje, e di që ti je përsëri në prova — duke kërkuar përsosmëri edhe për engjëjt. Lum, ti nuk je nga ata që harrohen. Je nga ata që na mungojnë”, ka shkruar ai në rrjete sociale. Muçaj qe i angazhuar edhe në shfaqjen e fundit të regjisorit Bekim Lumi, “Arturo Ui”. Ai shkaku i shëndetit nuk qe i pranishëm në premierë. Por një ditë para saj, la një porosi publike për kastin. 

“Mbas shumë rropatjesh, provash, mundimesh, lodhjesh, por edhe kënaqësie e deliriumi gjatë ecunisë krijuese, ia dolëm me ardhë deri te çasti magjik i premierës, kur regjisori ua beson plotësisht e ua jep në dorë lojtarëve (aktorëve) krijesën, artin, zemrën dhe shpirtin e tij. Çka me thanë tjetër? Përveç ju lumtë, që keni pasë aq durim, guxim dhe besim me më përcjellë e ndjekë në këtë aventurë të gjatë, të randë, të lodhshme e të vështirë, por edhe të andërrshme, të mistershme e fort të bukur! Pres që, nesërmbrama, në Natën Magjike të premierës, më 14.6.2018, ne orën 21:00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të shkëlqeni në artësimin dhe lojën tuej magjike! Ju due shumë!”, do të shkruante regjisori Lumi.   

“Mësimi”, “Galani”, “Arushani dhe fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dilerat”, “John Cage’s Hamlet” e “Nana dhe fëmija”,  janë disa prej shfaqjeve të tjera të Lumit. Secila shquhej për  koncept avangard e çuarjes deri në fund të finesave të menduara të tij. Po ashtu mbesin si manual për gjeneratat e reja të regjisorëve. Si trashëgimi e njërit që solli një tjetër dimension të artit skenik në këto anë.