Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Beqir Beqiri – portreti i ndritshëm që u bë shtyllë e Teatrit Kombëtar

Beqir Beqiri

Beqir Beqiri (10 shkurt 1962 – 21 korrik 2026) ishte figura që u bë sinonim i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Janë disa njerëz që ndonëse në prapaskenë shëmbëllejnë edhe më shumë se secili aktor dhe emri i tyre bëhet sinonim i një institucioni. Beqir Beqiri ishte i tillë dhe u mbiemërua kaherë si “Beqa i Teatrit”. Ai ka jetuar aty, u bë shtyllë e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe në historinë e tij, emri i Beqës është i patejkalueshëm. Organizatori shumëvjeçar i TKK-së, vdiq të martën në moshën 64-vjeçare duke lënë prapa portretin e ndritshëm të një punëtori të zellshëm për të cilin Teatri u shndërrua në shtëpi të tij

Zor që shumica ia kanë ditur mbiemrin derisa kanë parë njoftimin për vdekjen e tij. Gjerësisht është njohur si Beqa i Teatrit. Deri në këtë pikë ka ardhur shkaku i lidhjes së fortë që ka pasur Beqir Beqiri me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Bashkëpunëtorëve të këtij institucioni sa herë u ka shkuar mendja për të komunikuar me dikë nga TKK-ja, adresa ka qenë Beqa. E, brenda TKK-së rrallë është kryer ndonjë punë pa qenë i përfshirë ai. 

Në cilësinë e organizatorit Beqir Beqiri për dekada është identifikuar me Teatrin. E edhe Teatri me të. Lajmi për vdekjen e Beqirit, të martën në moshën 64-vjeçare, ka prekur thellë skenën artistike. Përtej saj edhe publikun e TKK-së. Kohëve të fundit vuante nga një sëmundje e rëndë. Kumti është dhënë nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Beqir Beqirit, organizatorit dhe punëtorit të kamotshëm e të çmuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, shkruhet në njoftim. Aty i bëhet edhe një portret përmbledhës Beqirit. 

“Përkushtimi, profesionalizmi dhe puna e tij shumëvjeçare do të mbeten pjesë e kujtesës së institucionit tonë. Beqir Beqiri do të kujtohet si një njeri i mirë, koleg i respektuar, organizator i përkushtuar dhe punëtor i palodhur, i cili me kontributin e tij të vyer la gjurmë të pashlyeshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, shkruhet në njoftim. 

I lindur më 10 shkurt 1962 në Prishtinë, Beqiri do të niste punën në atë që dikur ishte Teatri Popullor Krahinor qysh në të 20-at. Pas një kohe të shkurtër, do të avancohej në organizator dhe më pas është bërë personazh i institucionit. Janë të rralla rastet kur një anëtar i stafit mbështetës të skenës shndërrohet në personazh të institucionit. Beqa – siç është njohur dhe thirrur në vazhdimësi – ka qenë njëfarë konstanteje e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Thjesht ka mjaftuar të shikohet portreti i tij dhe është kuptuar se cila është gjendja e Teatrit. Ka krijuar njëfarë profili ku pa figurën e tij, s’ka ecur ndonjë proces në institucion. Me jetëgjatësinë në punë, qe edhe adresë e mbamendjes në institucion. Shpesh me shpoti i thuhej edhe “drejtori gjeneral”, pasi për rreth katër dekada punë, ka pritur e përcjellë dhjetëra drejtorë të institucionit, serbë e shqiptarë. Ka qenë pika e kontaktit midis stafit mbështetës dhe menaxhmentit. E po s’funksionoi kjo lloj ure, dështimi qe i sigurt. Me krejt kontroversitetin, mbase edhe në sajë të kësaj, Beqa qe pikë e pakalueshme për secilin që synoi të ketë një marrëdhënie me TKK-në. 

Edhe “Gërrdia” e fshehtësisë së pashëruar që vret përditë Shtojca për Kulturë 5 muaj më parë “Gërrdia” e fshehtësisë së pashëruar që vret përditë

E humbja e personazheve të tilla s’është e lehtë për institucionin. 

“Beqa ka qenë pamja më e ndritshme e mundshme e Teatrit Kombëtar, ka qenë shtylla, boshti që e ka mbajtur funksionale atë ngrehinë komplekse. Edhe atëherë kur në atë Teatër asgjë nuk ka funksionuar, prapë gjithçka ka funksionuar, sepse Beqa ka qene aty, dhe ai mrekullisht ka pasur zgjidhje për secilin problem”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj. 

Sipas tij, vështirë mund të gjendet dikush si Beqa që mund ta ketë dashur punën në teatër, teatrin si të tillë e ambientin e teatrit. 

“Ai ka jetuar aty dhe teatri ka qenë habitati i tij. Jam tmerrësisht i pikëlluar që ai vdiq kaq i ri, por jam i sigurt që edhe komuniteti teatror te ne, ndan të njëjtën tronditje e pikëllim. Ai ka qenë i të gjithëve, aty për të gjithë ne, forca e dashuria që ka ditur se si të na mbajë më të lidhur me teatrin e më të lidhur me njëri-tjetrin”, ka thënë Neziraj, i cili ka bashkëpunuar me Beqirin edhe si udhëheqës artistik i TKK-së prej vitit 2008 deri më 2011. 

Historia e Teatrit lidhet ngushtë me emrin e tij, ani pse në prapaskenë, ai ishte më shumë sesa punonjës teknik. 

“Beqa, për disa dekada, ka qenë dhe mbetet sinonim dhe mishërim i punës dhe angazhimit organizativ në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Beqa ishte në Teatër dhe me Teatrin edhe atëherë kur të tjerët kishin përfunduar punën. Në shtëpinë e tij të dytë, Teatrin, Beqa vinte i pari dhe dilte i fundit”, ka thënë dramaturgu, Arian Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i TKK-së prej vitit 2008 deri më 2009.  Sipas tij, ai ishte si hija e pakapërcyeshme në organizimin dhe funksionimin teknik, dhe jo vetëm, të Teatrit Kombëtar. 

Edhe Drama me drejtorin e Teatrit Kombëtar: Komision disiplinor, paralajmërim për dorëheqje, pezullim, dorëheqje Kulturë 6 muaj më parë Drama me drejtorin e Teatrit Kombëtar: Komision disiplinor, paralajmërim për dorëheqje, pezullim, dorëheqje

“Çdo shfaqje teatrore, ngjarje apo manifestim teatror, mbrapa vetes kishte njeriun që kujdesej që gjithçka të shkonte mirë e mbarë. Vdekja e tij e shpejtë lë zbrazëti në organizimin e brendshëm të TKK-së, por besoj se kultura dhe shkathtësia e tij organizative do të jenë frymëzim për të tjerët”, ka thënë Krasniqi. 

Udhëheqësi aktual artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se në Teatër, çdo punë që duhej të përfundonte, edhe kur mund të realizohej nga dikush tjetër, fitonte siguri vetëm pasi kalonte nëpërmjet Beqës. 

“Mjaftonte miratimi i tij dhe gjithçka bëhej më e lehtë, më e qartë dhe më e sigurt. Ai ishte garancia se puna do të niste, do të zhvillohej dhe do të përfundonte ashtu siç duhej. Ishte siguria dhe ‘siguresa’ e Teatrit, njeriu që mbante të lidhura hallkat e padukshme të funksionimit të përditshëm. Prania e tij krijonte qetësi”, ka thënë Mehmeti. Sipas tij, kur Beqa ishte në institucion, të gjithë e dinin se gjërat do të ecnin siç duhej. Ka thënë se ai nuk ishte thjesht organizator. 

“Ishte një shtyllë e institucionit, vazhdimësia dhe memoria institucionale. Pra një njeri mbi të cilin mbështetej funksionimi i përditshëm i Teatrit dhe besimi i atyre që punonin me të”, ka thënë Mehmeti. 

Drejtori i parë i TKK-së pas luftës së fundit, aktori e dramaturgu, Lirak Çelaj ka thënë se Beqa ishte shtylla e Teatrit Kombëtar. 

“Ishte njeriu kryesor që ndërlidhte sektorët brenda Teatrit. Si në shaka thoshim: ‘Nëse do të kryesh punë në Teatër, bisedo me Beqën’. Por kjo nuk ishte vetëm shaka, ishte e vërtetë”, ka thënë Çelaj. 

Edhe Teatri Kombëtar e mbyll vitin me shumë telashe, nis planet për 80-vjetor Kulturë 6 muaj më parë Teatri Kombëtar e mbyll vitin me shumë telashe, nis planet për 80-vjetor

Me rastin e vdekjes së Beqirit, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, i është drejtuar familjes me një telegram ngushëllimi. 

“Përkushtimi, profesionalizmi dhe puna e tij ndër vite e bënë atë një pjesë të rëndësishme të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me angazhimin e tij të palodhshëm, ai dha kontribut të çmuar në jetën e këtij institucioni, duke lënë pas një kujtim të mirë si koleg i respektuar dhe njeri i përkushtuar ndaj Teatrit”, ka shkruar ministrja Bogujevci. Në emër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe në emrin e saj personal, u ka shprehur ngushëllime familjarëve, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik. 
Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se të martën në mesditë do të mbahet një mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së Beqir Beqirit. Familjarë, miq e bashkëpunëtorë kanë rastin që ta nderojnë figurën me të cilët një kohë të gjatë është identifikuar institucioni. Figurën që u bë sinonimin i TKK-së.