Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Muzika klasike në frontin ukrainas

Tingujt e Orkestrës Kombëtare Simfonike të Ukrainës mbush – madje e stërmbush – sallën më të vogël të dy hapësirave për performancë të Sallës Filharmonike të Kievit. Nën shandanët e kristaltë të hapësirës elegante, edhe pse pak të mbingarkuar, orkestra po bën leximin e parë të një vepre të re nga një prej kompozitorëve më të respektuar të Ukrainës, Yevhen Stankovych, para premierës së saj në Kiev. Përmes dritareve të larta të sallës, monumenti i madh me formë ylberi – i ndërtuar fillimisht nga sovjetikët për të simbolizuar unitetin rus dhe ukrainas – ndriçon në diellin e pasdites.

Kur violinat fillojnë të luajnë tingujt e tyre, invazioni i ashpër i Rusisë në Ukrainë duket shumë larg. E vetmja shenjë e tij shfaqet në karrigen e dirigjentit Volodymyr Sirenko, e cila është mbuluar me materiale kamuflazhi të ushtrisë ukrainase. Dhe, për vetë orkestrën, mungesa e disa kolegëve: violinistit që tani është muzikant në ushtri; interpretuesit në tubë që tani është operues i mitralozit. Dhe pastaj është titulli i veprës së re, e cila është për kor, solistë dhe orkestër. Nuk lë vend për dyshim. Quhet “Ukraina: Muzika e Luftës”.

Përballë terrorit dhe pasigurisë së invazionit të plotë të ndodhur më 24 shkurt të vitit të kaluar, sipas drejtorit ekzekutiv të orkestrës, Oleksandr Hornostai, shumë muzikantë të orkestrës u shpërndanë duke u larguar në Perëndim për shkaqe sigurie. Disa qëndruan, duke bërë punë vullnetare në kuzhinat e fushëbetejave, duke bërë ç’të munden për të ndihmuar në përpjekjet për të kthyer rusët prapa nga kryeqyteti. Dhe nuk kaloi shumë kohë para se orkestra të fillojë të performojë përsëri – për herë të parë u ribashkua në La Fenice, shtëpinë e operës në Venecia, në prill të vitit 2022.

Nga ajo kohë, përveç koncerteve në Ukrainë, orkestra, e themeluar në vitin 1918, është përqendruar në turne. Vitin e kaluar janë zhvilluar 22 koncerte në Gjermani, Zvicër, Belgjikë dhe Lihtenshtajn. Orkestra sapo është kthyer nga Tajvani. Tani vjen një turne tjetër, me koncerte në 17 salla në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë Sallën Usher në Edinburg, Sallën Filharmonike të Liverpulit dhe Sallën Cadogan në Londër. Disa nga muzikantët, me ftesë të kryetarit të Dhomave të Parlamentit, Lindsay Hoyle, do të luajnë edhe në Dhomat e Parlamentit. Kjo është një kujtesë që ky turne nuk është vetëm për të luajtur muzikë, por luan një rol në diplomaci: kultura dhe politika nuk mund të ndahen kurrë.

“Në turneun e fundit të orkestrës në Tajvan u detyruam të tërhiqnim orkestrën nga skena”, thotë dirigjenti Sirenko. Pranimi euforik ishte pjesërisht një çështje e solidaritetit nga një vend tjetër që kishte frikë nga ndikimi i pazakontë i një fqinji të pasigurt.

Edhe Opinion 2 muaj më parë Komponenti kulturor i sigurisë kombëtare

Dhuna që ka pësuar Ukraina shton urgjencën e krijimit të muzikës, thotë Sirenko. “Një kryetar i një qyteti evropian ku performuam vitin e kaluar na tha: Nëse po luftoni me aq pasion sa po luani, Ukraina pa dyshim do ta fitojë luftë". Ai shton: “Të gjitha pjesët muzikore që ne luajmë – qofshin ato të Schumann ose Beethoven – janë bërë për luftën tonë”. Ai e ka parasysh se njohja e asaj që po ndodh thellon konfliktin në muzikë, i jep më shumë theks dramës, e bën atë akoma më të kuptueshme dhe rezonante për muzikantët. Në të njëjtën kohë, është muzikë, ashtu siç është gjithmonë. “Kur drejtoj orkestrën duhet ta kthej shpinën nga audienca dhe të bëj punën time”. Sfidat teknike dhe muzikore mbeten të njëjta, pa marrë parasysh se si është pritur orkestra dhe pa marrë parasysh natyrën e situatës politike.

Ky është pa dyshim një moment i madh për orkestrën: është turneu i saj i parë në Mbretërinë e Bashkuar pas 22 vjetësh. Ashtu siç thotë Stankovych, i cili u bashkohet muzikantëve jashtë sallës, “ka një kërkesë për kompozitorët dhe muzikantët tanë jashtë vendit tani. Për një kohë të gjatë, audienca i njihte vetëm Leningradin dhe Moskën”. Invazioni i plotë i Ukrainës, thotë ai, ka qenë “një lloj motori për artin, muzikën, filmin ukrainas. Nga njëra anë është e mirë – por qartazi, nga ana tjetër është e tmerrshme. Shumica e njerëzve tanë po vdesin”.

Në këtë turne, orkestra po prezanton kompozitorë ukrainas të panjohur në Evropën perëndimore: figura që kanë qëndruar gjatë në hijen e kolegëve rusë, si Boris Lyatoshynsky nga fillimi i shekullit të 20-të. Simfonia e tij e dytë, e ndaluar nga autoritetet sovjetike në prag të premierës së saj në vitin 1934, është në programin e turneut të orkestrës, ashtu si edhe Finlandia e Sibelius – një referencë e qartë për luftën e një kombi tjetër për pavarësi nga fqinji i tij lindor.

“Është e rëndësishme për ne të vazhdojmë punën tonë. Çdo njeri është në frontin e tij ose të saj, dhe është puna jonë të ndihmojmë pjesën tjetër të Evropës të kuptojë kulturën ukrainase”, thotë violonçelistja Natalia Subbotina:

Metafora e “frontit kulturor” është bërë kontroversiale në Ukrainë, pasi, në një mënyrë gjithnjë e më të dukshme, artistët njohin se nuk mund të krahasohen sfidat e luftës në një front në Chasiv Yar ose Bakhmut me punën në një teatër, studio artisti ose sallë koncerti. Por duke pasur parasysh pasqyrën e qartë të invazionit të Ukrainës nga Putini në terma të gjuhës, historisë dhe të kulturës, nuk ka dyshim për rëndësinë që kanë ukrainasit për të prezantuar artin e tyre, të insistojnë mbi identitetin e tyre, në shtetet e tjera. Në të njëjtën kohë, prioriteti i parë i Subbotinas, thotë ajo, është cilësia e performancave të orkestrës.

Edhe Ministri i shkarkuar nga Zelensky flet për tensionet mes tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë Botë 1 j. më parë Ministri i shkarkuar nga Zelensky flet për tensionet mes tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë

“Ka një paragjykim për muzikantët ukrainas, se kultura jonë muzikore nuk është aq e lartë. Prandaj, pa dyshim kemi diçka për të dëshmuar”.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Enis Bytyqi