Kulturë

Gala koncert operistik në ndihmë të Ukrainës

Rinderto Ukrainën

“Rebuild Ukraine” (Rindërto Ukrainën) u mbajt në sallën e koncerteve të kryeqytetit gjerman. Veprimtaria bamirëse mblodhi yje operash. Përkrahës të ngjarjes ishin presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Berlinit, Kai Wegner

Derisa Rusia vazhdon luftën e agresionin kundër Ukrainës duke shkelur ligjin ndërkombëtar, në Gjermani është organizuar një gala mbrëmje operistike për mbledhjen e fondeve për vendin e goditur rëndë. “Rebuild Ukraine” (Rindërto Ukrainën) u mbajt në sallën e koncerteve të kryeqytetit gjerman. 
Veprimtaria bamirëse mblodhi yje operash. Përkrahës të ngjarjes ishin presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Berlinit, Kai Wegner. 

Mbi një mijë e 500 bileta ishin të shitura, përfshirë ato për shumë figura publike. 
Sipërmarrësi dhe politikani gjerman Harald Christ dhe fondacioni i tij për Demokraci dhe Diversitet janë prapa nismës. 

“Nuk mund të luftoj në front në Ukrainë, por mund të jap kontributin tim në një tjetër formë. Çdo kontribut, çdo euro llogaritet”, ka thënë Christ. 

Njëmbëdhjetë këngëtarë operash kishin rënë dakord të marrin pjesë në gala mbrëmjen e bamirësisë. 
Pos këngëtarit të shquar Rolando Villazon, programi ka përfshirë edhe këngëtarë të rinj si Nicole Chirka nga Kharkiv, e cila duhej të ikte nga lufta dhe tani është anëtare e ansamblit “Dresden Semperoper”. Artistët e tjerë ukrainas si Olga Kulchynska dhe Andrii Kymach kanë qenë gjithashtu pjesë e radhës së këngëtarëve ndërkombëtarë. 

Pos arieve të njohura të Verdit dhe Puccinit, muzika ukrainase po ashtu ka qenë pjesë e programit, përfshirë një arie nga Mykola Lysenko, i cili konsiderohet si themeluesi i traditës operistike ukrainase. 
Solistët janë shoqëruar nga Orketsara Simfonike e Berlinit  nën drejtimin e dirigjentit Keri-Lynn Wilson.

Wilson ishte nismëtari i projektit për Orkestër të Lirisë së Ukrainës, ansambël i themeluar si përgjigje kulturore ndaj pushtimit rus në Ukrainë. 

“Kam një kushëri në Ukrainë, ai ka qenë në front që nga dita e parë e pushtimit. Hoqi dorë nga karriera si gazetar dhe artist në vitin 2014 për t’i shërbyer ushtrisë. Mora frymëzim prej tij dhe përdora shkopin tim si armë”, ka treguar dirigjenti Wilson. 

Të ardhurat do t’u jepen projekteve si “#WeAreAllUkrainians” pjesë e së cilës nismë është edhe ish-boksieri profesionist Wladimir Klitschko. Nisma synon ngritjen e qendrave të komunitetit në qytetet e shkatërruara me qëllim që t’iu sigurohet fëmijëve dhe të rinjve një pjesë e normalitetit derisa lufta vazhdon. / DW