Arti s’ka mbetur i paprekur prej luftës në Ukrainë, e në kohë të tilla e dëshmon fuqinë jo vetëm për të dokumentuar, por edhe për t’i bërë ballë së keqes. Solidarizimi edhe nga skena kulturore vendore është vetëm njëra anë e medaljes. Ngjyrat, tingujt e imazhet e luftës janë reminishenca për artistët e Kosovës. “Ngjyrat e Ballkanit, kohë të gjatë, kanë qenë të errëta. Ato janë shumë të bukura dhe u zbukuruan pas luftërave në Ballkan. Por lufta në Ukrainë ka nisur t’i errësojë prapë”, thotë piktorja Zake Prelvukaj. Dramaturgu Jeton Neziraj te lufta sheh një mësim për shumë institucione kulturore
Qe e martë më 15 tetor të vitit 1940. Londinezët veç ishin në njëfarë paniku se mund të goditeshin nga bombat gjermane. Aleatët ende nuk i kishin bashkuar forcat për t’iu kundërvënë agresionit të nazistëve në krye me Adolf Hitlerin. Teatrot e Londrës po funksiononin normalisht. Në ditën kur temperatura maksimale nuk shkoi më shumë se 17.2 gradë celsius, kur gati po shënonte mesnata, në orën 23:55 në qiellin londinez u dëgjua zhurma e avionëve. Një grimë më vonë, Teatri Mbretëror u bombardua nga gjermanët. I ndërtuar më 1663 e i rindërtuar me 1812, ndërtesa ikonike u dëmtua keqas. Tre rojtarët që po dremitnin, shpëtuan me pak lëndime. Ky ishte veç një rast i bombardimit të një teatri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas luftërave të viteve ’90 në Ballkan, Evropa – të paktën në shpresë – u duk sikur u përshëndet me konfliktet masive që zgjidhen me armë. Por shpresa nuk zgjati shumë.
Mëngjesi i 24 shkurtit zbardhi me luftë. Rusia ia mësyu pushtimit të Ukrainës.
Teatri i Mariupolit, qytet në juglindje të Ukrainës ndërpreu programin. Ndërtesa e ngritur në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar u shndërrua në vendstrehim të fëmijëve, grave e të moshuarve. Mbi një mijë veta strehuan kokat në objektin, kulmi i të cilit rrethohej me skulptura. Para hyrjes, në tokë ishte shkruar “fëmijë” me qëllim që të njoftohej armiku se aty kishte veç civilë. Por në orën 10:00 të ditës së mërkurë të 16 marsit, bombarduesit ajror rusë hodhën rreth 500 kilogramë bomba, duke bërë që brenda teatrit të shkaktohej një prej tragjedive të këtij shekulli. Mbetën të vrarë mbi 600 veta.
Arti i solidarizimit
Efekti i luftës preku krejt Evropën e edhe më gjerë. Rastisi që një komedian të jetë president i Ukrainës. Volodymyr Zelenskyy e la kostumin e rolit të arsimtarit të historisë, Vasyl Petrovych Holoborodko që të bëhet president në serinë televizive “Shërbyesi i popullit”. Më 2019 u bë njëmend president. Por shpejt e hoqi edhe këtë kostum. Tash mban veshjet ushtarake si komandant i përgjithshëm i ushtrisë e prijës që po mban lart vullnetin popullor për të rezistuar. Ndoshta profesioni i parë i ndihmon për të qenë sa më bindës. Shumë artistë ukrainas ua mësynë vendeve fqinje. Tash tentojnë të ushtrojnë profesionet e tyre nëpër Evropë. Artistë nga e mbarë bota u ngacmuan. Jo pak, nuk qëndruan duarkryq. Me veprat e tyre të paktën u solidarizuan me ukrainasit. Midis të tjerësh artisti i njohur i grafiteve, Banksy, ia mësyu Borodyankas, një prej vendbanimeve më të goditura. Punoi shtatë grafite atje. I ktheu njerëzit me maska që shuajnë zjarre, makineritë ushtarake, e fëmijët që lozin nëpër kaosin e shkaktuar nga lufta. Banksy paraqet realitetin e atjeshëm së bashku me mesazhet artistike për qetësim të gjendjes.
Kishte edhe artistë rusë që reaguan në mënyrat e tyre. Dirigjenti Tugan Sokhiev dha dorëheqje nga drejtori i muzikës në institucionin e njohur botëror, Teatri Bolshoi në Moskë, si dhe nga funksioni në orkestrën kombëtare franceze në Toulouse. Siç edhe është pritur, vendimin – që u paralajmërua edhe me herët – e ka marrë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë. Kishte thënë se është kundër “çfarëdo lloji të konfliktit”.
“I përballur me pamundësinë që të zgjedhë midis muzikantëve të mi të preferuar rusë e francezë, kam vendosur që të jap dorëheqje nga funksioni në Teatrin Bolshoi dhe nga orkestra e Toulouseit”, kishte thënë Sokhiev.

Reminishenca nga Kosova
Sa i përket ndjesisë së luftës, janë artistët nga Kosova ata që e kanë përjetuar atë para pak më shumë se dy dekadash. Bile, kanë përjetuar një dekadë shtypjeje nga regjimi serb e më pas luftën.
Ngjyrat e errëta që i përjetonte secili shqiptar i Kosovës shpërfaqeshin nëpër tablotë e kohës. Më 1998, piktorja Zake Prelvukaj do të hapte ekspozitën “X-sat flasin”. Tablotë e asaj serie e ekspozite shpërfaqin kafka, zymtësi të thellë. Bëjnë thirrje për ndihmë. Artistja, profesoreshë universitare e pikturës, asokohe i kërkonte ndihmë komunitetit ndërkombëtar e NATO-s pasi në shumë zona të Kosovës po zhvillohej luftë e civilët ishin ata që e pësonin. Pas luftës në Kosovë, Prelvukaj kishte nisur t’i ndërronte ngjyrat. T’u jepte më shumë frymë atyre e të trajtonte kauza të tjera. Por lufta në Ukrainë ka bërë që si artiste të absorbojë një situatë të mjegullt.
Ajo thotë se janë ngjyrat e ndjeshmërisë që shfaqen në imagjinatën e njeriut.
“Lufta më ka bërë të kthehem e të mendoj ndryshe. Luftërat shpesh janë aty ku ne nuk i shohim. Por luftërat mund të ndalen. Duhet gjetur metoda që të ndalen”, thotë Prelvukaj. Ka kujtuar se në fillim të këtij shekulli kishte menduar se Evropa do të qetësohej.
“Ngjyrat e Ballkanit, kohë të gjatë, kanë qenë të errëta. Ato janë shumë të bukura dhe u zbukuruan pas luftërave në Ballkan. Por lufta në Ukrainë ka nisur t’i errësojë prapë. Neve po na përsëritet kjo errësirë”, thotë ajo. Shton se gjendja në Ukrainë ka bërë që t’u kthehet kujtimeve të para më shumë se dy dekadave e t’i ripërjetojë ato.
“Unë i kam bërë thirrje botës e NATO-s për ndihmë me ‘X-sat flasin’. A duhet tash ta përdori sikurse atëherë X-sin që është e panjohur dhe të fut të hulumtosh për ta deshifruar atë. Tash mendoj që X-si i sotshëm është edhe më enigmatik”, thotë Prelvukaj. Sipas saj, është kontrast i madh kur njerëzimi po investon në zbulime hapësinore dhe njëkohësisht më 2022 njeriu po vret njeriun.
“Kjo na ka sjellë prapë errësirë”, thotë ajo. Si dromca zymtësie i përshkruan edhe barrikadat në veri të Kosovës, ku serbët lokalë kanë bllokuar rrugët. Në botëkuptimin e saj është e paqartë se si një forcë ndërkombëtare është aty dhe rrugët bllokohen.
“Kjo po më bën të mendoj ndryshe. E ne artistët nuk mund të jemi indiferentë”, thotë Prelvukaj.
Imazhi i Ukrainës në ngjarjet kulturore
Indiferentë ndaj zhvillimeve në Ukrainë nuk kanë qëndruar as disa nga institucionet e ngjarjet më të mëdha artistike në Kosovë. Pak ditë pas fillimit të luftës, Filharmonia e Kosovës kishte koncert me vepra premierë. Para koncertit, drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari, do të mbante një fjalë mbështetëse për Ukrainën. Është solidarizuar me popullin ukrainas e me kolegët artistë.

Festivali më i madh i animacionit në rajon, “Anibar”, qysh në hapje është solidarizuar me shtetin, një pjesë e të cilin qëndron e pushtuar nga Rusia. Festivali që në çdo animacion synon të lidhë Kosovën me vendet më të zhvilluara me këtë fushë, me Ukrainën ka pasur mundësi të lidhet vetëm artistikisht, duke shfaqur një program të filmave të animuar nga Ukraina e paraluftës, i kuruar nga Anastasiya Verlinska, drejtoreshë e Festivalit të animacionit në Ukrainë – “Linoleum”. Nga qyteti i Pejës hapja e edicionit të 13-të ka qenë edhe një thirrje solidarizimi me shtetin që po përballet me agresion ushtarak.
E festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” i ka ndezur projektorët e edicionit të 2022-s me pyetjen “How to survive?”, duke matur pulsin e mbijetesës në kohë të turbullta. “Fire of love” ka qenë njëri prej filmave të parë në maratonën tetëditore filmike. Tema e filmit vinte si paralajmërim, e vetë ky film, por edhe mbi 250 të tjerë në program, dëshmonin fuqinë e artit kinematografik në betejën për mbijetesë. U dhanë edhe filma që dokumentonin gjendjen e disa rajoneve në Ukrainë. Në solidarizim me Ukrainën qenë edhe festivalet e tjera vendore.
Bienalja nomade “Manifesta” në edicionin e saj në Prishtinë pjesë të ceremonisë zyrtare e ka pasur himnin e Ukrainës, të interpretuar nga sopranoja Arta Jashari.
Në natën e fundit të edicionit të dytë të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, publiku në sheshin qendror të Prishtinës do të dëgjonte edhe dy këngë ukrainase të interpretuara nga sopranoja Ana Bondarenko.
“Ndihem në tension emocional brenda vetes. Po përjetojmë një dramë të madhe njerëzore”, kishte thënë ajo.
Teatri i mobilizimit dhe heqjes së maskave
Dramat që paraqiten në veprat e Zake Prelvukajt që lidhen me luftën në Kosovë janë aso skenash që prej shkurtit edhe shihen në fotografinë e përgjithshme të Ukrainës. Bile, efekti i tyre vërehet edhe me mijëra kilometra lag. Sidomos në vendet e dala prej luftërave.
Një prej aktorëve shqiptarë me më së shumti nam sa i përket filmit e teatrit, Alban Ukaj, jeton në Sarajevë, qytetin që qëndroi i rrethuar për 1460 ditë gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, prej vitit 1992 deri më 1995.
Në prill të vitit 2022 në një intervistë të gjatë për KOHËN kishte rrëfyer se në ditët e para të luftës në Ukrainë ekzistonte një panik brenda popullatës boshnjake. Kishte treguar se në ato dy ditët e para kur filloi lufta në Ukrainë, ishte i angazhuar në dy shfaqje.
“Diku ora nëntë e gjysmë në mbrëmje, pasi përfundoi shfaqja, me makinë duke u kthyer në banesë nuk kishte njeri të gjallë rrugës, sepse prisnin se lufta do të fillojë brenda dy minutash. Unë ia kam dhënë vetes një betim: njëherë kam ikur, domethënë në vitin ‘99 kur kanë filluar bombardimet në Kosovë... Por unë më nuk e kam ndërmend të ik askund”, kishte thënë Ukaj. Ai është aktor i një teatri unik në Evropë – Teatrit të Luftës në Sarajevë.
Sipas Ukajt, që më 2022 u rikthye në Festivalin e Cannes pas 14 vjetësh, Teatri i Luftës në Sarajevë tash në aspektin teorik po merr kuptim. Motivi kryesor i Teatrit fillimisht ishte t’u japë moral ushtarëve boshnjakë që po luftonin regjimin serb.
“Mandej ka dalë një lloj teatri poetik e me kohë e ka kanalizuar disi qëllimin se është teatër që do të merret vetëm me lirinë, ka mbetur teatri i vetëm që është më alternativ se tre të tjerët – janë katër teatro profesioniste në Sarajevë – ky dallon nga të tjerët”, kishte thënë Ukaj.
Bash në vitin e luftës në Ukrainë, në Kosovë, Serbi, Maqedoni, Itali e Gjermani u dha shfaqja “The Handke Project”, produksion i qendrës “Multimedia” me partnerë. Shfaqja me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt zhvesh fashizmin e fundshekullit të kaluar dhe atë të këtij shekulli. Në shfaqje nobelisti austriak, Peter Handke, qëndron mbi një varr të Srebrenicës – ku u vranë mbi 8 mijë veta nga regjimi i Slobodan Milosheviqit – dhe ngre dyshime nëse bëhet fjalë për varr apo jo. Shfaqja bën thirrje që të shkojë në djall Handke bashkë me ata që ia dhanë çmimin “Nobel” e krejt mohuesit e gjenocidit.
Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se në plan më të gjerë, përtej pazarit të vogël lokal, bota, posaçërisht Evropa kanë qenë të preokupuara me kriza të shumta, ndër to, lufta në Ukrainë e nisur në fillim të 2022-s. Sipas tij, agresioni rus mbi Ukrainë natyrisht ka pasur ndikim të gjerë edhe në sferën e kulturës në shumë prej vendeve evropiane.
“Por këtë ndikim e kemi parë më së shumti në Poloni, ta zëmë. Atje, kur ishim sivjet me shfaqjen e Teatrit të Gjilanit “a.y.l.a.n” pamë me sytë tanë se çfarë vëmendjeje të madhe dhe çfarë mobilizimi kishte tek institucionet teatrore, për t’i akomoduar nevojat e artistëve ukrainas refugjatë në Poloni, por dhe për të reflektuar mbi luftën dhe agresionin rus”, thotë ai. Është i mendimit se lufta u ka dhënë një mësim të madh shumë institucioneve kulturore në Ukrainë. “Këtë gjë e pamë në fillim të vitit, kur plot nga këto institucione vunë vija të kuqe të trasha për artistët rusë që në një mënyrë apo tjetër mund të ishin në linjë me politikat agresore të Putinit, ose që thjesht nuk po i gjykonin veprimet e tij ushtarake”, thotë Neziraj. Me krejt veprimet e ndërmarra nga institucionet kulturore të Ukrainës, Neziraj në vështrim më të gjerë aty gjen edhe hipokrizi.
“Pra, ishte një mobilizim i plotë dhe një reagim i pahezitim – i drejtë do të thosha, por në anën tjetër edhe hipokrit. Këtë lloj ‘kontradikte’ e kemi shfrytëzuar edhe ne në shfaqjen ‘The Handke Project’, ku, ndër të tjera, bëmë përpjekje për të dëshmuar për ‘demonët evropianë’, si puna e Peter Handkes, të cilët vazhdojnë të mohojnë dhe relativizojnë krimet e Milosheviqit në ish-Jugosllavi”, thotë ai. Në këtë drejtim, sipas tij, shfaqja sa ishte denoncuese, një ‘tribunal teatror’, siç e quajti revista teatrore gjermane ‘Theatre der Zeit’, ishte edhe shpërfaqëse e kësaj hipokrizie evropiane”, thotë Neziraj. Sidomos me “The Handke Project” ai ka goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka ngritur pyetje siç bëhet zakonisht në art, por është pozicionuar përballë mohuesve të krimeve duke mos i përzier ngjyrat, por duke i paraqitur ashtu siç janë. Të errëta në pritje të dritës.