Kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetare të Kaçanikut, Hafize Sallahi, ka numëruar disa prej problemeve për të cilat është zotuar se do të merret që nga fillimi i udhëheqjes, nëse fiton në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ajo ka thënë se do të merret me çështjen e furnizimit me ujë të pijes, me shpërnguljen e qytetarëve dhe infrastrukturë. Është zotuar edhe për modernizim të administratës e digjitalizim të shërbimeve.
“Problem shqetësues që mendoj se duhet të merremi me të është shpërngulja e qytetarëve nga Kaçaniku drejtuar qyteteve më të mëdha. Është problem kryesor dhe ka rënie të numrit të nxënësve të shkollave. Problem tjetër është infrastruktura. Dhe në mandatin tim fillimisht do të merrem me modernizimin e administratës komunale, në mënyrë që shërbimet të jenë më të lehta. Do të nis me digjitalizimin e shërbimeve për qytetarë që të kenë qasje më të lehtë”, ka thënë ajo fillimisht.
Pas kësaj, Sallahi është zotuar për riparim të disa shkollave e furnizim me barna dhe laboratorë të qendrave mjekësore.
