Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pas katër vjetësh luftë, vallëzimi është bërë formë rezistence për ukrainasit

Pas katër vjetësh luftë, vallëzimi është bërë formë rezistence për ukrainasit

Pavarësisht luftës dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga sulmet ruse, jeta kulturore në Ukrainë nuk është ndalur plotësisht. Në klubet dhe hapësirat alternative të qyteteve si Kievi dhe Kharkivi, të rinjtë vazhdojnë të mblidhen në festa me muzikë elektronike, duke e kthyer kulturën rave në një formë rezistence, solidariteti dhe shprese gjatë luftës.

Silueta njerëzish lëvizin nëpër rrugica të errëta të mbuluara me borë dhe akull, duke u drejtuar drejt ritmit të mbytur të muzikës që vjen nga një ndërtesë betoni në qendër të Kievit. Brenda një dritë e kuqe e zbehtë i turbullon fytyrat e turmës që vallëzon, ndërsa trupat e djersitur janë shumë pranë njëri-tjetrit.

Kjo dritë e kuqe të kujton dritat e dobëta që përdorin ushtarët në vijën e frontit kundër Rusisë, qindra kilometra më në lindje, për të mos u zbuluar nga armiku. Por për njerëzit që vallëzojnë në “Closer”, një nga klubet më të njohura të natës në Kiev, festa është një mënyrë për ta harruar luftën,  edhe nëse vetëm për një natë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është diçka që na ndihmon të ruajmë mendjen e shëndoshë”, tha për CNN, Valeriia Shablii, 32 vjeçe, e cila mori pjesë në një ngjarje të organizuar për festën Maslenytsia, një festë sllave që shënon fillimin e pranverës.

“Ne themi se është si një balancë mes luftës dhe jetës”.

Lufta ka prishur një pjesë të madhe të jetës kulturore në Ukrainë. Shumë ambiente muzikore janë mbyllur që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt 2022, dhe disa artistë janë larguar nga vendi, ndërsa të tjerë janë bashkuar me ushtrinë.

Megjithatë, ukrainasit vazhdojnë të mblidhen për të festuar. Klubi “Closer”, i cili ndodhet në një ish-fabrikë, u mbyll kur filloi lufta, por u rihap vetëm tetë muaj më vonë dhe që atëherë organizon ngjarje muzikore pothuajse çdo fundjavë.

Nën kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve me raketa dhe dronë, dhe pas një dimri të vështirë të shoqëruar me ndërprerje të energjisë elektrike, vallëzimi është bërë një mënyrë për të çliruar emocionet e luftës, thotë Shablii.

“Njerëzit janë shumë të lodhur”, tha ajo. “Të vish këtu dhe të kalosh pak kohë me miqtë… i bashkon njerëzit”.

Sipas saj, kultura rave është ende gjallë në qytetet e mëdha të Ukrainës, edhe pse ka ndryshuar, dhe është bërë një formë e fortë rezistence gjatë katër vjetëve të luftës së ashpër me Rusinë.

“Ajo nuk vdiq”, tha ajo. “Ne do të vazhdojmë të festojmë edhe mbi varrin e Putinit”.

Rave dhe rezistenca në Ukrainë

Edhe para luftës, skena e muzikës elektronike në Ukrainë ishte e lidhur shpesh me idenë e rezistencës.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitet 1990, një epokë e re pavarësie solli më shumë hapje ndaj kulturës perëndimore  - një zhvillim i ngjashëm me atë që ndodhi në qytete të tjera evropiane të njohura për muzikën elektronike, si Berlini.

Festat e mëdha, rave në ndërtesa të braktisura dhe festivalet filluan të shfaqeshin në të gjithë Ukrainën dhe në Gadishullin e Krimesë, duke u kthyer në hapësira ku njerëzit mund të shpreheshin lirshëm dhe të eksperimentonin me muzikën.

Kultura rave në Ukrainë arriti kulmin në mesin e viteve 2010 me krijimin e festave të famshme “Cxema” në Kiev -  festa shumë të mëdha që organizoheshin në magazina urbane ose nën ura – të cilat më vonë u bënë të njohura edhe ndërkombëtarisht.

Këto ngjarje kishin për qëllim “krijimin e një hapësire të sigurt dhe demokratike” dhe “ndërtimin e një komuniteti” për të rinjtë që ndiheshin të zhgënjyer dhe përballeshin me pasiguri ekonomike pas Revolucionit Ukrainas të vitit 2014, kur protestuesit rrëzuan presidentin e atëhershëm Viktor Yanukovych për shkak të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, tha për CNN themeluesi i “Cxemas”, Slava Lepsheiev.

“Rezistenca atëherë ishte kundër sistemit të vjetër dhe mentalitetit sovjetik”, tha ai. “Pas pushtimit të plotë, drejtimi i rezistencës ndryshoi dhe tani është kundër armikut. Ne mblidhemi dhe vallëzojmë për të qëndruar të fortë”.

“Duke parë tmerret e kësaj lufte, është shumë e rëndësishme për ne të kemi mundësinë dhe dëshirën të vazhdojmë të argëtohemi”, shtoi ai, duke thënë se festat janë bërë një mënyrë për t’u larguar për pak nga realiteti.

Por organizimi i rave gjatë luftës është i vështirë. Për shkak të orës policore gjatë natës, ngjarjet e “Cxemas” tani organizohen gjatë ditës dhe janë më të vogla për arsye sigurie.

“Një energji shumë e egër”

Organizatorët e ngjarjeve në qytete të tjera të Ukrainës thonë se lufta e ka ndryshuar energjinë e këtyre ndejave.

“Festa ka më shumë energji”, tha Anton Nazarko, bashkëthemelues i “Some People”, një grup që drejton një klub nate në Kharkiv. “Është një energji shumë e egër”.

Kharkivi ndodhet vetëm rreth 30 kilometra nga kufiri me Rusinë, dhe Nazarko tha se ndonjëherë edhe ushtarë ukrainas marrin pjesë në ngjarjet e klubit, të cilat zakonisht organizohen çdo dy javë.

“Në mëngjes, miqtë tanë nga komuniteti luftojnë nëpër llogore. Në mbrëmje ata vijnë në festë”, tha ai. “Ata vallëzojnë sikur të ishte dita e tyre e fundit”.

Selia e parë e grupit “Some People” në Kharkiv u bombardua vetëm disa ditë pasi filloi lufta, tha Nazarko, edhe pse fatmirësisht askush nuk u vra. Ai tregoi se ekipi i tij shiti disa nga gjërat personale dhe mori hua para për të ndërtuar një vend të ri -  “Center of New Culture”  në vitin 2023.

Nazarko thotë se vazhdimi i jetës kulturore në Kharkiv është një kontribut për përpjekjen e luftës.

“Kjo është shumë e rëndësishme për Ukrainën dhe për qytetin”, tha ai. “Sepse ushtria ruse dëshiron një gjë - që të gjithë njerëzit të largohen nga këtu”.

Klubi,  i vendosur në një fabrikë frigoriferësh të epokës sovjetike, ka një gjenerator që lejon organizimin e festave edhe gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike. Vendndodhja shërben gjithashtu si strehë kundër bombardimeve për banorët e zonës.

Nazarko dhe ekipi i tij planifikojnë ta zgjerojnë qendrën duke ndërtuar një sallë ekspozitash dhe një kinema.

“Nëse lufta nuk do të kishte filluar, ndoshta nuk do ta kishim nisur kurrë këtë projekt kaq të madh”, tha ai. “Ne nuk e dimë sa gjatë do të jetojmë… nuk kemi kohë për të ëndërruar”.

DJ-t në vijën e frontit

Por për disa të tjerë, realiteti i ashpër i luftës i ka larguar nga jeta e klubeve në Ukrainë.

Daniel Detcom tani është rreshter i ri në forcat e armatosura ukrainase dhe më parë ka shërbyer si ushtar me pushkë dhe operator dronësh. Por para luftës, ai ishte një DJ dhe producent i njohur i muzikës techno.

Kolektivi i tij i muzikës elektronike në Kiev, Dots, organizonte festa shumë të njohura ku merrnin pjesë DJ nga e gjithë bota, tha Detcom për CNN. Shumë prej tyre habiteshin nga energjia e njerëzve që vallëzonin në Ukrainë.

“Këta DJ thoshin: ‘Çfarë kanë këta valltarët tuaj? Vallëzojnë si të çmendur!’”.

Por ndërsa tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë po rriteshin para pushtimit të plotë, Detcom filloi të përgatitej për luftë. Ai stërvitej në një poligon qitjeje dhe ndiqte kurse për ndihmë të parë në situata lufte.

Pavarësisht se karriera e tij si DJ po shkonte shumë mirë, ai iu bashkua ushtrisë sapo filloi lufta.

“Nuk e mendova si një zgjedhje”, tha Detcom për CNN. “Thjesht më dukej gjëja e duhur për të bërë”.

Ndërsa pret të kthehet përsëri në vijën e frontit, Detcom thotë se i mungon komuniteti “plot jetë” i festave rave që ekzistonte në Ukrainë para luftës.

“Ishin ditë të lumtura dhe pa shumë shqetësime”, tha ai. “Jeta nuk do të jetë më kurrë e njëjtë”.

Megjithatë, ai ka vazhduar të prodhojë muzikë në laptopin e tij edhe gjatë shërbimit në ushtri. Madje ka organizuar edhe disa festa gjatë pushimeve nga fronti. Por tani festat nuk janë më aq të shkujdesura sa dikur.

Ai thotë se organizatorët zakonisht sigurohen që në festa të ketë ekipe mjekësore. Vetë ai gjithmonë merr me vete dy çanta të ndihmës së parë, për shkak të rrezikut nga sulmet ruse, dhe zakonisht nuk konsumon alkool.

Kultura rave ka ndryshuar. “Tani festat bëhen gjatë ditës”, tha Detcom. “Kjo gjeneratë e re e njerëzve që dalin në klube dhe DJ-ve, në fakt nuk kanë festuar kurrë natën”.

Mundësi të reja

Megjithatë, në disa mënyra lufta ka krijuar edhe mundësi të reja për DJ dhe producentët e muzikës elektronike në Ukrainë.

“Mendoj se tani ka një shtysë të madhe për artistët e rinj. Çdo ditë shoh fytyra të reja,” tha Denys Yurchenko, drejtor artistik në “Kultura Zvuku”, një shkollë për DJ dhe prodhim muzike në Kiev.

Ai tha për CNN se më pak artistë ndërkombëtarë janë të gatshëm të udhëtojnë në Ukrainë për të performuar në klube për shkak të luftës. Kjo do të thotë se ka më shumë hapësirë në programet e ngjarjet për DJ dhe producentë ukrainas, të cilët po eksperimentojnë me ide të reja muzikore.

Yurchenko shtoi gjithashtu se shumë shtëpi diskografike kanë treguar interes për të promovuar artistët ukrainas gjatë luftës me Rusinë. Paratë e mbledhura nga shitja e disa albumeve përmbledhëse me muzikë elektronike ukrainase, si dhe nga eventet në klube, janë përdorur për të ndihmuar përpjekjet e luftës.

Detcom, Nazarko dhe Yurchenko kanë performuar ose organizuar rave për të mbështetur Ukrainën gjatë luftës.

“Kjo është absolutisht, 100%, për rezistencë dhe për të ndihmuar vendin tonë,” tha Yurchenko.

Në klubin “Closer” në Kiev, kjo rezistencë shoqërohet edhe me shpresë.

“Ne po presim pranverën”, tha Shablii.

Në pistën e vallëzimit, miqtë përqafohen; një çift i ri puthen në një divan në një cep të errët. Pavarësisht të ftohtit, grupe miqsh qeshin së bashku në oborrin e klubit, duke kaluar mes tyre cigare të mbështjella me dorë.

Pas një dimri të ashpër dhe katër vjetësh luftë, ukrainasit vazhdojnë të festojnë dhe të vallëzojnë.