Sapo drejtori i festivalit kishte përfunduar leximin e shpjegimit të shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, inspektori policor i kishte thënë i entuziazmuar: “Po kjo qenka mirë për ne!”. Ndërroni rrethanat dhe vendoseni këtë ngjarje në Prishtinë. Diçka ngjashëm me siguri do të kishte thënë edhe një inspektor policor shqiptar: “Sa më keq punët në Serbi, aq më mirë për ne këtu”
Shumë njerëz me siguri e mbajnë akoma në mend atë incidentin e famshëm të vitit 2014, me atë dronin që qe lëshuar në fushën e futbollit, duke bartur një flamur të “Shqipërisë etnike”, në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Serbi që po luhej në Beograd. Incidenti i pat hedhur benzinë zjarrit veçse të ndezur të urrejtjes e acarimit mes shqiptarëve e serbëve. Saga ka vazhduar për vite të tëra, e ai tipi i dronit, qe kthyer në një hero të masave në Kosovë. Por, kjo është një histori që duhet treguar më shtruar një herë tjetër.
Ndoshta rreth 1 muaj pas incidentit me dron, e ku gjakrat e fansave dhe nacionalistëve në Serbi akoma po vlonin nga zemërimi, ne duhej të shfaqnim në Beograd shfaqjen tonë “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” që kishte nëntitullin “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ose Epopeja kosovare”. Shfaqja ishte ftuar të luhej në qendrën kulturore Rex, si pjesë e festivalit “Festival van okvira”.
Zakonisht kur në Serbi prezentohen aktivitete që kanë të bëjnë me Kosovën, policia njoftohet dhe nga ajo kërkohet të jetë fizikisht prezente në ngjarje, për ta mbajtur rendin. Por në atë nëntor të 2014-s policia në Beograd nuk e kishte pritur njoftimin nga organizatorët. Sapo ishte bërë publik programi, një inspektor policor e kishte ftuar drejtorin e festivalit dhe kishte nisur t’ia numërojë rreziqet që ekzistonin nëse shfaqja e Kosovës do të jepej në Beograd në atë “kohë të pakohë”. “E kuptoni, vetëm ky titull, si i tillë, është provokues dhe i nxit njerëzit të tubohen e të krijojnë probleme”, kishte thënë inspektori. Ai pastaj kishte kërkuar që shfaqja nga Kosova të anulohej, ose që të vinte në Beograd “në një kohë më të mirë”. Drejtori i festivalit natyrisht nuk kishte lëshuar pe ndaj kësaj kërkese. Krejt në fund, ai ishte kujtuar ta lexojë përshkrimin e shfaqjes, e inspektorit i kishin shkëlqyer sytë teksa kishte dëgjuar fjalët e fjalitë për “mafinë në Kosovë”, “kastat e korruptuara politike”, “fukarallëkun e mjerimin”, “betejat me ndërkombëtarët”, e për “zotët e pangopshëm të luftës”. Sapo drejtori i festivalit kishte përfunduar leximin, inspektori i kishte thënë i entuziazmuar: Po kjo qenka mirë për ne!
Ndërroni rrethanat dhe vendoseni këtë ngjarje në Prishtinë. Diçka ngjashëm me siguri do të kishte thënë edhe një inspektor policor shqiptar: “Sa më keq punët në Serbi, aq më mirë për ne këtu”.
Nuk besoj që ka fjali më kuptimplote sesa ajo e inspektorit policor në Beograd dhe fjalia e supozuar e inspektorit në Prishtinë, për ta definuar raportin mes Kosovës e Serbisë krejt këto vite të pasluftës. Ka qenë e ngelet mendësi e politikës së një fqinjësie me qëllime dashakeqe, mizore madje.
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
Botohet në shqip me leje të autorit.