(NBCNews) - Shenja të gjelbra me mbishkrimin “patvertne” janë të vendosura përreth ndërtesave në kryeqytetin e Letonisë. “Patvertne” do të thotë “strehë/bunker”.
Të vendosura në hyrje të banesave, shenjat alarmojnë njerëzit për vende në të cilat mund të fshihen në rast të ndonjë sulmi. Ato janë bërë një prej shumë simboleve të gatishmërisë për luftë në qytetin e kryqëzuar me kanale dhe që fare pranë në lindje ka fqinjin rus.
Pas një serie të hyrjeve ajrore në krahun lindor të NATO-s dhe dyshimeve për dronë afër aeroporteve në disa shtete të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Danimarkën e Norvegjinë, frika për agresionin rus po rritet në Letoni dhe shtetet e tjera baltike, Estoni e Lituani.
“Jemi në vijën e frontit. Ne jemi shtetet e krahut lindor. Ne e kemi fqinj Rusinë, një shtet agresiv”, ka thënë Andris Spruds, ministër i Mbrojtjes i Letonisë, për “NBC News” më herët gjatë muajit në kuadër të Konferencës së Rigës, takim mes liderëve ushtarakë e politikanëve ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se Letonia, që ka nisur më herët gjatë vitit një iniciativë për dronë, ka arritur deri “në një masë të zhvillojë njëfarë qëndrueshmërie” përballë ndonjë agresioni të mundshëm të Kremlinit.
Të pranishmit e tjerë folën publikisht për një luftë direkte mes NATO-s dhe Rusisë. Në një konferencë, Matthew Whitaker, ambasador i SHBA-së në organizatë, publikisht foli për sistemet e raketave, përfshirë ato me rreze të gjatë veprimi dhe bombarduesit strategjikë që mund të përdoreshin kundër forcave të Kremlinit. Por ai po ashtu ka theksuar se luftërat moderne nisin para se trupat dhe pajisjet të dislokohen.
“Goditja e parë e luftës së ardhshme nuk është nëpërmjet tankeve që kalojnë në korridorin Suwalki”, ka thënë ai në një intervistë për NBC News, duke iu referuar urës së ngushtë tokësore mes Polonisë dhe shteteve baltike, që shihet si pikë e mundshme e sulmit nga një pushtim i mundshëm rus. “Do të jetë një sulm kibernetik. Do të shkatërrojë aeroportet ose infrastrukturën kritike”.
Letonia dhe shtetet e tjera baltike kanë mirëpritur iniciativat e fundit të NATO-s dhe janë rrugës për të mbërritur caqet e shpenzimit së shpejti, sipas tij. Ai ka thënë po ashtu se “po investohet në gjëra që do të ofrojnë më shumë kapacitete mbrojtëse dhe parandaluese”.
“Investimet që e bëjnë secilin aleat më të fortë individualisht dhe për rrjedhojë edhe aleancën kolektive, janë investimet e rëndësishme. Dhe një vend si Letonia sigurisht që po e bën këtë më së miri tani”, ka thënë ai.
Admirali Rob Bauer, që ka udhëhequr komitetin ushtarak të NATO-s nga qershori 2021 deri në janar, po ashtu ka sugjeruar se një luftë e re me Rusinë “do të ishte në një mënyrë krejt tjetër”.
Ukraina, siç ka thënë ai, ka mungesa të fuqisë ajrore dhe detare, duke shtuar se aeroplanët luftarakë të NATO-s po kryenin misione mbi Baltik nga anija luftarake amerikane “Gerald Ford”, pasi ajo u vendos në Detin e Veriut në fillimvit.
Të tjerë, si Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian, ka pranuar haptas se “ka zgjatur shumë” periudha që shtete të tjera të dëgjojnë Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë, që ishin të pushtuara nga Bashkimi Sovjetik për dekada të tëra dhe së fundmi kanë qenë prijës të kauzës që NATO-ja ta marrë seriozisht kërcënimin rus.
Airis Rikveilis, këshilltar kombëtar i sigurisë i kryeministres letoneze, Evika Silina, ka thënë se shteti i tij nuk është i fokusuar vetëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake, por edhe për përgatitjen e shoqërisë për luftë.
“Kjo s’do të jetë si më 1940”, ka thënë ai duke iu referuar pushtimit sovjetik, kur Ushtria e Kuqe ishte në gjendje të merrte kontrollin për pak javë. “Po që se nis nesër kjo luftë, ne do të jemi gati të luftojmë që nesër me gjithçka që kemi”.
Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të 2022-s, ka pasur ndryshime të dukshme nëpër Letoni, që ka vendosur një barrierë në kufirin gati 300 kilometërsh me Rusinë. Po ashtu ka shkëputur lidhjet e rrymës me Rusinë dhe aleatin e Rusisë, Bjellorusinë, që është në jug të Letonisë dhe tani po merr rrymë nga fqinjët e tjerë.
Në Riga, zyrtarët kanë shkatërruar edhe një memorial dedikuar ushtrisë sovjetike. Rrugës, ku ishte Ambasada ruse, ia vunë emrin “Rruga e Pavarësisë së Ukrainës”.
Dhjetëra flamuj ukrainas janë të vendosur në shesh.
Linda Ozola, që ka shërbyer si zëvendëskryetare e Rigas për pesë vjet deri në verën e sivjetme, ka mbikëqyrur rindërtimin e bunkerëve, si një prej masave të mbrojtjes civile. Ajo ka thënë se stafi i saj ka shikuar nëpër muzetë e vjetër e arkivat për dokumente të vjetra dhe ka inspektuar hapësirat e vjetra të bunkerëve.
Shërbimet emergjente kanë identifikuar qindra bunkerë ekzistues dhe kanë përditësuar legjislacionin për t’i hapur rrugë ndërtimit të të rinjve. Lokacionet e tyre janë në dispozicion për qytetarët në uebfaqe dhe aplikacione të telefonave. Disa prej tyre mund të financohen nga marrëveshja 85 milionë euroshe e nënshkruar në këtë konferencë nga ministri letonez i Financave, Arvils Aseradens dhe aleatët evropianë. Mjetet do të shfrytëzohen për të rritur infrastrukturën e mbrojtjes. Në disa qendra kujdesi duhet të instalohen edhe gjeneratorë.
Ozola ka thënë se qyteti ka nisur të krijojë edhe stok furnizimesh emergjente, përfshirë ushqime të konservuara e shtretër gjumi. Sipas saj, Riga mund të jetë shembull për Evropën. “E vërteta nuk është e mirë sepse kemi një fqinj të çmendur që dëshiron ta shkatërrojë shtetin tonë. Dhe fqinji nuk po e fsheh këtë aspak”, ka thënë ajo. “Ata nuk e kanë kaluar fizikisht kufirin, por e kanë kaluar hapësirën ajrore dhe kanë prekur infrastrukturën kyçe tonën në Detin Baltik”.