Ngjarjet dramatike të cilat i ka përjetuar populli shqiptar në Kosovë gjatë luftës së fundit (1998-1999), kanë qenë motiv i mjaftueshëm për botime nga autor të ndryshëm duke ofruar të dhëna për krimet e pushtetit serb dhe gjenocidin kundër shqiptarëve, ku libri i gazetarit Fahri Musliu – “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”, Prizren 2023 – paraqet një botim të veçantë, i cili mund të trajtohet si dokumentar për Kosovën e kësaj periudhe kohore
Botimi i një libri si “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”, ka peshë të veçantë sepse autori i tij, gazetari Fahri Musliu është dëshmitar okular i ngjarjeve duke informuar opinion shqiptar dhe më gjerë. Ai i ka qëndruar besnik kodit të gazetarit, duke qenë konciz dhe pa paragjykime. Ndonëse gjatë kësaj kohe ai ishte rrezikuar duke u kërcënuar, qëndroi në Beograd rreth pesë muaj larg familjes, por duke i ndenjur besnik misionit të informimit.
Nuk ka dilemë se një botim i tillë është në favor të prezantimit real të ngjarjeve në këtë periudhë kohore, ku Kosova ishte në qendër të opinionit evropian e atij botëror. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ishte hera e parë që forcat ndërkombëtare të NATO-s kanë intervenuar për 78 ditë për të shpëtuar shqiptarët nga politika serbe gjenocidale.
Botimi ndahet në tri pjesë: 1. Baticat dhe zbaticat e jetës, 2. Raportet ditore në “Zërin e Amerikës” janar-mars 1999 dhe 3. Disa dokumente të rëndësishme politike ndërkombëtare për çështjen e Kosovës (1.Dokumenti i Grupit të Kontaktit për Kosovën e vitit 1998, 2. Marrëveshja e Rambujesë, 3. Marrëveshja e Kumanovës dhe 4. Rezoluta 1244).
Fillimisht ky libër është botuar si fejton në gazetë për 23 ditë rresht, e më pas i janë shtuar raportet për “Zërin e Amerikës”, që është botuar nga “Dukagjini” në Pejë. Ndërsa botimi i dytë është i zgjeruar me disa dokumente diplomatike ndërkombëtare, që ndikuan në fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, kundër ish-Jugosllavisë.
Guximi profesional
Edhe Masakra në Burgun e Dubravës dhe Nataša KandićAutori i librit, gjatë qëndrimit në këtë kohë në Beograd ishte aty fizikisht ndërsa mendërisht ishte në Prizren te familja e tij. Kemi të bëjmë me një kohë dramatike se askush nuk ka mundur të parashikojë se si do të jetë dita e nesërme. Në këtë botim janë të prezantuara tri letra nga familja, që janë dëshmi autentike e kësaj kohe.
Se qëndrimi në Beograd ishte rrezik permanent, është dëshmi edhe vrasja e gazetarit të njohur S. Quruvija në Beograd nga vetë pushteti serb. Por, Musliu arriti të përballojë sfidat e kohës duke mbetur shembull për të tjerët me guximin profesional e atë intelektual.
Duke lexuar këtë libër mësohet e dhëna se në Qendrën Mediale në Beograd e cila ishte vendtakimi i gazetarëve, intelektualeve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe individëve të ndryshëm ka qenë një mbështetje dhe kurajo për punën e Musliut si gazetar, por edhe qëndrimin të tij në këtë mjedis.
Dokumentar për krimet serbe
Duke lexuar këtë libër që lirisht mund të quhet edhe si “Ditari i luftës”, del qartë se kemi të bëjmë me ngjarjet dramatike, politike e luftarake të kohës, duke përfshirë dhunën, dëbimet, vrasjet, masakrat, varrezat masive në Kosovë, nga ushtria e policia serbe.
Ditarin duhet lexuar për të kujtuar krimet e pushtetit të politikës serbe e cila dëshmoi në praktikë gjenocidin kundër shqiptarëve. Masakrat anekënd Kosovës kundër popullsisë së pafajshme sipas planit “Patkoi” janë dëshmi transparente e një konstatimi të tillë. Ndërsa intervenimi i NATO-s më 24 mars 1999 ishte për çështje humanitare, është dëshmi e ndalimit të spastrimit etnik të një populli i cili ishte i okupuar nga viti 1912, që u verifikua në sajë të vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës në vitin 1913.
Lëndë burimore për studiues
Edhe
“Vajzëri në luftë” prej “bërllokut shqiptar” tek e bija e kriminelit serb
Ky botim ofron faktografi historike dhe pa dilemë se mund të shërbejë si material burimor për studiues të ndryshëm për këtë periudhë kohore, e cila ishte vendimtare në çlirimin e Kosovës.
Nuk ka dilemë se libri nxit kureshtjen e lexuesve duke u rikujtuar ngjarjet dramatike për të gjithë ata që i kanë përjetuar. Ndërsa pamjet e mediave të ndryshme të asaj kohe janë dëshmi autentike për golgotën e përjetuar nga shqiptarët e Kosovës, nga vrasjet, masakrat, dëbimin e rreth 1 milion shqiptarëve si dhe rikthimin e tyre pas datës 12 qershor 1999, që me të drejtë cilësohet Dita e Çlirimit të Kosovës!
Maj 2024