Shtojca për Kulturë

Lufta, kujtesa dhe gazetaria: Kosova në narrativën e Erich Rathfelderit

Erich Rathfelder denoncoi krimet serbe, vizitoi vendet e masakrave dhe u rreshtua hapur përballë propagandës zyrtare të Beogradit, duke u shpallur “persona non grata” nga Serbia. Por kjo është vetëm një pjesë e historisë së tij.

Erich Rathfelder denoncoi krimet serbe, vizitoi vendet e masakrave dhe u rreshtua hapur përballë propagandës zyrtare të Beogradit, duke u shpallur “persona non grata” nga Serbia. Por kjo është vetëm një pjesë e historisë së tij.

Me librin e tij “Kosova. Historia e një konflikti”, gazetari gjerman Erich Rathfelder ofron një tablo shumëdimensionale dhe jashtëzakonisht të pasur të përballjeve historike në një tokë me ngarkesë të lartë historike, që për shqiptarët dhe serbët përfaqëson një projektim të identitetit kulturor dhe historik, si dhe simbol të konflikteve etnike të instrumentalizuara nga nacionalizma të ndryshëm në prag të Evropës. Në qendër të librit qëndron fati i njerëzve. Aktorët kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë reflektojnë, shpesh në mënyrë autokritike, mbi zhvillimet politike dhe veprimet e tyre. Autori nënvizon se heshtja dhe harresa janë forma të reja të mohimit të së vërtetës

Gazetari gjerman, Erich Rathfelder, ka mbi 30 vjet përvojë në raportimin nga Ballkani. Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, ka raportuar nga Sarajeva e rrethuar dhe më pas vazhdimisht nga Kosova. I njohur si një nga zërat më të angazhuar në mediat gjermane,  që në vitet ’90 mbështeti kauzën e popullit të Kosovës, Rathfelder sjell në librin “Erich Rathfelder: Kosova. Historia e një konflikti” (“Artini”, Prishtinë, 2023) jo vetëm një kronologji të ngjarjeve politike, por edhe ndjeshmërinë e një gazetari që ka ndarë rreziqet dhe përjetimet me njerëzit në terren. Ai ka qenë në Kosovë gjatë rënies së autonomisë, ka ndjekur nga afër lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës, ka takuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet e para të luftës, ka përjetuar shpërnguljet masive dhe ka qenë dëshmitar i ndërhyrjes së NATO-s. Kjo përvojë personale i jep rrëfimit të tij një dimension të prekshëm, të afërt dhe të mbushur me detaje që shpesh mungojnë në analizat akademike.

Tablo shumëdimensionale me fatin e njerëzve në qendër

Libri, i shkruar me stil të rrjedhshëm dhe me njohuri të thella, vjen pa fusnota apo bibliografi, por ofron një tablo shumëdimensionale dhe jashtëzakonisht të pasur të përballjeve historike në një tokë me ngarkesë të lartë historike, që për shqiptarët dhe serbët përfaqëson një projektim të identitetit kulturor dhe historik, si dhe simbol të konflikteve etnike të instrumentalizuara nga nacionalizma të ndryshëm në prag të Evropës. Në qendër të librit qëndron fati i njerëzve. Aktorët kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë reflektojnë, shpesh në mënyrë autokritike, mbi zhvillimet politike dhe veprimet e tyre. Autori nënvizon se heshtja dhe harresa janë forma të reja të mohimit të së vërtetës. Ai analizon në mënyrë të informuar origjinën e konfliktit, shpjegon qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare të kohës dhe rrëzon mitin se “Ushtria Popullore Jugosllave” kishte synuar të parandalonte shpërbërjen e vendit. Përshkrimet e luftimeve në Kosovë janë shumë të detajuara dhe të sakta, të përshtatshme sidomos për studiues dhe historianë.

Denoncuesi i krimeve serbe, “non grata” në Serbi

Rathfelder denoncoi krimet serbe, vizitoi vendet e masakrave dhe u rreshtua hapur përballë propagandës zyrtare të Beogradit, duke u shpallur persona non grata nga Serbia. Por kjo është vetëm një pjesë e historisë së tij.

Në vitin 1987, në atë që e quajti “mjegullina e vjeshtës”, ai udhëtoi nga qyteti jugor serb i Nishit drejt Prishtinës, një qytet që i dukej i zymtë, i heshtur dhe i rrethuar nga frika. Atje hasi fytyra të dëshpëruara, qytetarë të shtypur nën një regjim policor dhe të braktisur nga shpresa. Si gazetar gjerman, ai ndjeu thellë diferencën midis Kosovës dhe republikave të tjera jugosllave – Kosova ishte nën kontroll të hekurt dhe nën një regjim shtypës që nuk fsheh asgjë nga natyra e tij. Libri i Rathfelderit për Kosovën është më shumë se një analizë historike; është edhe një rrëfim personal, njerëzor dhe emocional. Në vitet ’80 ai ka takuar figura kyçe si Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin dhe Shkëlzen Maliqin. Pas fillimit të luftës, ai mbajti qëndrim të qartë se Perëndimi duhej të ndërhynte masivisht, politikisht dhe, nëse duhej, edhe ushtarakisht.

Libri është ndërtuar kryesisht nga skena të shkurtra, që i japin rrëfimit ngjashmëri me tonin e një “filmi rrugor” (road movie). Vështrime personale, reportazhe, biseda me viktima të luftës dhe të dëbuar, si dhe intervista me vendimmarrës politikë dhe ushtarakë përpunohen në një tekst kryesisht kronologjik, i ndërprerë herë pas here me ekskurse tematike. Megjithëse autori ka simpati për palën shqiptare, ai ruan një ekuilibër të nevojshëm, sidomos kur trajton rolin e UÇK-së edhe pas ndërhyrjes së NATO-s.

Libri ndahet në kapituj tematikë që mbulojnë fazat kryesore të historisë moderne të Kosovës: ardhja e Millosheviqit në pushtet, shfuqizimi i autonomisë, protesta e vitit 1989, sistemi paralel i shqiptarëve, lufta e armatosur 1998–99, ndërhyrja e NATO-s, shpërbërja e Jugosllavisë, protektorati i OKB-së, shpallja e pavarësisë dhe tensionet që pasuan.

Erich Rathfelder është një gazetar me përvojë të gjatë nga luftërat në ish-Jugosllavi, veçanërisht në Kroaci dhe Bosnjë, por edhe me vizita të shpeshta në Kosovë. Ai ka krijuar një pasqyrë të qartë mbi jetën në periudhën e “shtetit paralel” dhe rezistencën paqësore të shqiptarëve kundër represionit serb. Si dëshmitar i drejtpërdrejtë i zhvillimeve në terren, para dhe gjatë luftës, ai përshkruan me hollësi dinamikat që formësuan fatin politik të Kosovës. Vlera e librit të tij qëndron në tri shtylla kryesore: Autenticiteti gazetaresk: Rathfelder rrëfen atë që ka parë me sytë e tij, atë që ka dëgjuar nga aktorët politikë dhe diplomatët ndërkombëtarë, dhe atë që ka përjetuar në rrugët e Prishtinës, në

fshatrat e Kosovës dhe në zonat e luftës. Përmes këtij rrëfimi, ai na ofron një burim të dorës së parë, të pazëvendësueshëm për studiuesit, historianët dhe lexuesit që kërkojnë të kuptojnë thellësisht rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë.

Analiza politike e paanshme: Autori nuk bie në glorifikim të figurave politike të asnjërës palë. Ai ruan një distancë kritike si ndaj nacionalizmit serb dhe Beogradit, ashtu edhe ndaj elitave të pasluftës në Kosovë dhe aktorëve ndërkombëtarë. Rathfelder denoncon haptazi dështimet, kontradiktat dhe kompromiset e pashmangshme të udhëheqësve vendorë dhe të huaj. Komentet e tij për Planin e Ahtisaarit, për mungesën e një pajtimi të brendshëm dhe për defektet në ndërtimin e shtetit të Kosovës janë po aq të vlefshme sot sa edhe në kohën e shkrimit të librit. Perspektiva evropiane dhe gjermane: Si gazetar që ka ndikuar opinionin publik në Gjermani, Rathfelder e vendos Kosovën në një kontekst më të gjerë evropian. Ai analizon qëndrimet e partive politike gjermane, veçanërisht të Aleancës 90/Të Gjelbërit, të cilët përballë realitetit të spastrimit etnik hoqën dorë nga pacifizmi fundamentalist dhe mbështetën ndërhyrjen e NATO-s.

Kthimi i ndërgjegjes morale evropiane

Sipas autorit, ky ishte një kthim i ndërgjegjes morale evropiane, veçanërisht pas traumës së Srebrenicës. Rathfelder ndalet edhe te anashkalimi i Kosovës në Marrëveshjen e Dejtonit (1995), duke e cilësuar këtë si momentin kur shqiptarët e Kosovës u shtynë drejt rezistencës së armatosur. Ai përshkruan përpjekjet për të krijuar kontakte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe me përfaqësuesin e saj politik, Hashim Thaçin, që në vitin 1997. Ai dokumenton represionin brutal të forcave serbe në zona si Rahoveci, për të cilin edhe u shpall person non grata dhe u dëbua nga Serbia. Në vijim, ai përshkruan rolin e tij si gazetar edhe nga Shqipëria, gjatë periudhës kur dy organizatat rivale të rezistencës, UÇK dhe FARK, arritën më në fund të bashkoheshin në prag të ofensivës së

NATO-s. Rathfelder citon komandantin Agim Çeku si një prej burimeve më të ndriçuara për këtë fazë kyçe të luftës dhe unifikimit të forcave çlirimtare.

Edhe si gazetar i gazetës TAZ (“Die Tageszeitung” – Berlin), Erich Rathfelder kishte qenë ndër zërat që kërkonte hapur ndërhyrjen e Gjermanisë në luftën e Kosovës, në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kjo ndodhi në kohën kur në pushtet ishte koalicioni kuq-gjelbër (SPD – Të Gjelbrit), me kancelarin Gerhard Schröder dhe ministrin e Jashtëm Joschka Fischer. Ishte një moment kthese historike për politikën e jashtme gjermane: për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ushtria gjermane (Bundeswehr) po merrte pjesë në një ndërhyrje ushtarake.

Ky zhvillim ishte befasues edhe për vetë aleatët ndërkombëtarë, sepse Gjermania po hiqte dorë nga pacifizmi i saj tradicional, një shtyllë identitare që kishte karakterizuar politikën e saj të jashtme për dekada. Por ndryshimi erdhi si përgjigje ndaj dhunës ekstreme të regjimit të Beogradit, i cili nuk hezitonte të përdorte spastrimin etnik dhe vrasjet masive si mjete për të ndryshuar në mënyrë të dhunshme përbërjen demografike të Kosovës.

Në këtë kontekst, në pushtet ishte një klasë politike që dikur kishte kundërshtuar fuqishëm ndërhyrjet ushtarake të NATO-s, por që tashmë po u bashkohej aleatëve të saj në emër të parimit

“Kurrë më gjenocid” për të mos lejuar një Srebrenicë të dytë

“Kurrë më gjenocid”, ishte një kthesë që Rathfelder e përshkruan me mirëkuptim, si një reaksion moral dhe politik i domosdoshëm për të mos lejuar një “Srebrenicë të dytë” në Kosovë. Kjo përfshirje gjermane në Kosovë, për Rathfelderin dhe për shumë të tjerë në atë kohë, nuk ishte luftë për interes, por një ndërhyrje për dinjitet njerëzor dhe drejtësi.

Në vijim, Rathfelder trajton misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për të cilin vëren se, ndonëse arriti të stabilizojë situatën dhe të ndalojë spiralen e dhunës, nuk ishte në gjendje të vendoste një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Ai shfaq skepticizëm të hapur ndaj Planit të Ahtisaarit, duke theksuar se ky plan i bëri koncesione territoriale palës serbe, të cilat, sipas tij, mund të rrezikojnë funksionalitetin e shtetit të ri të Kosovës.

Libri, i përfunduar në vitin 2008/09, përmbyllet me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, por autori thekson se parashikimi i tij – se Serbia nuk do ta pranonte kurrë humbjen dhe do të angazhohej vazhdimisht për ta korrigjuar atë nëpërmjet presionit politik dhe diplomatik – është konfirmuar sot në mënyrë të plotë.

Rathfelder është gjithashtu kritik ndaj qëndrimit të butë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Beogradit, duke e cilësuar këtë si një lëkundje të rrezikshme në raport me të kaluarën. Sipas tij, aktorët ndërkombëtarë “nuk duken më aq të vendosur për t’i kundërshtuar përpjekjet e Beogradit për ta transformuar komunitetin serb në Kosovë në një shtet brenda shtetit”. Ai vëren me shqetësim se, pavarësisht se regjimi serb pengon dhe përndjek serbët që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, Perëndimi vazhdon të trajtojë Beogradin si palë legjitime, duke i injoruar faktet mbi terren.

Ideologjia serbomadhe dhe histeria antishqiptare

Panorama që shtjellon Rathfelder në librin e tij përfshin analizën e strukturës së shtetit jugosllav, përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në ekonomi dhe shoqëri, si dhe mënyrën se si ata perceptoheshin nga grupet sllave dhe elitat drejtuese të Jugosllavisë. Ai kundërshton pretendimet e nacionalistëve, si serbë ashtu edhe shqiptarë, që e akuzojnë palën tjetër për dëbim të organizuar dhe sistematik, duke i shqyrtuar këto narrativa përmes shembujve konkretë historikë dhe duke i çmontuar me kujdes.

Në këtë kontekst, Rathfelder dekonstrukton edhe mitin serb të Kosovës, të cilin e krahason me legjendën gjermane të Nibelungëve. Por, ndryshe nga ky epos mitologjik, ai vëren se miti i Kosovës ka shërbyer si instrument politik për të justifikuar pretendime territoriale dhe nxitje të konflikteve, veçanërisht kundër shqiptarëve. Ndërsa legjenda e Nibelungëve nuk përmban motive të tillë ekspansionistë apo urrejtje etnike, miti i Kosovës, në versionin e tij të instrumentalizuar nga elitat serbe, është përdorur për të legjitimuar dhunën dhe projektin e një Serbie të Madhe.

Rathfelder e vë këtë abuzim politik të betejës së Kosovës në një paralelizëm të qartë me instrumentalizimin e mitologjisë nga regjimi nazist, duke e konsideruar si pjesë të një propagande nacionaliste që krijon armiq të brendshëm dhe të jashtëm për të justifikuar dhunën, represionin dhe luftën. Përmes kësaj analize, ai i çmonton themelet mitologjike të ideologjisë serbomadhe dhe zbërthen mekanizmat e saj legjitimues, duke ofruar një kontribut të rëndësishëm në ndriçimin kritik të historisë dhe kujtesës kolektive në Ballkan.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë