Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Antropologjia kulturore...” – libër unik jo vetëm për antropologët

Marrë parasysh qasjen analitike, teorike, metodologjike dhe interpretative të autorit prof.asoc.dr. Arsim Canolli, libri i tij “Antropologjia kulturore: hyrje e shkurtër” është mjaft i duhur jo vetëm për antropologët, por edhe për studiues dhe studentë të fushave të tjera, të sociologjisë, historisë, shkencës politike, filozofisë, linguistikës dhe letërsisë dhe të ngjashme

Botimi i teksteve antropologjike në gjuhën shqipe, natyrshëm, paraqet një lajm të mirë për studiuesit dhe studentët e antropologjisë dhe shkencave sociale në përgjithësi. Libri “Antropologjia kulturore: hyrje e shkurtër”, i autorit Arsim Canolli, shkon përtej një libri/teksti të zakonshëm në fushën e antropologjisë kulturore/sociale. Ky libër është një kontribut i jashtëzakonshëm në rrafshin teorik, metodologjik dhe praktik, duke ofruar një qasje gjithëpërfshirëse, shpjegime dhe interpretime të thukëta për tema të rëndësishme në fushën e antropologjisë dhe shkencave sociale e dijeve humane. Pra, si libër, është një plotësim i një zbrazëtire të kamotshme të një teksti hyrës dhe njohës për antropologjinë, veçanërisht antropologjinë kulturore/sociale.

Përveç kësaj, marrë parasysh qasjen analitike, teorike, metodologjike dhe interpretative të autorit Canolli, ky libër është mjaft i duhur jo vetëm për antropologët, por edhe për studiues dhe studentë të fushave të tjera, të sociologjisë, historisë, shkencës politike, filozofisë, linguistikës dhe letërsisë dhe të ngjashme. Për më tepër, mënyra se si është shkruar ky libër, stili i shkrimit, literatura, qasja teorike dhe metodologjike, krahasimet, ushtrimet, ndërlidhja kontekstuale e shembujve nga kultura e shoqëri të ndryshme, nga fise e grupe të gjahtarë-mbledhësve deri te shoqëritë shtetërore; nga fiset në Amazonë, Paqësor, Amerikë të Veriut, Indonezi deri te fiset dhe shoqëritë evropiane, përfshirë shoqërinë (shoqëritë) shqiptare, e bën këtë libër të nevojshëm edhe përtej komunitetit akademik. Sidoqoftë, ashtu siç edhe Canolli e përmend në këtë libër, temat dhe struktura e tekstit dalin si rezultat i punës së gjatë me studentë, tema të trajtuara gjatë ligjëratave dhe, rrjedhimisht, kanë sjellë nevojën për të pasur një libër hyrës për studentët e antropologjisë kulturore/sociale.

Libri përmban parathënien dhe 10 kapituj dhe është i ndarë dy pjesë. Pesë kapitujt e parë ofrojnë njohje për antropologjinë, për metodat, teoritë dhe qasjet antropologjike; fillet e disiplinës shkencore dhe prijatarët e antropologjisë si shkencë. Ndërsa pjesa e dytë, pesë kapitujt e tjerë trajtojnë temat që, sipas autorit, janë kyçe në antropologjinë kulturore.

Kapitulli i parë, “Çfarë është antropologjia?”, Canolli flet kulturën, antropologjinë, qasjet antropologjike, çka na duhet antropologjia dhe cila është rëndësia e saj në studimet për kulturën dhe shoqërinë.

Kapitulli i dytë, “Fillet e antropologjisë” trajton lindjen e antropologjisë si disiplinë shkencore, kush ishin antropologët e parë, cila është e veçanta e saj dhe çka e bën antropologjinë unike. Historia e zhvillimit të saj – etnologjia, etnografia, antropologjia.

Edhe “Kosova: Udhëpërshkrim i shkurtër” për identitet e vlera universale Kulturë “Kosova: Udhëpërshkrim i shkurtër” për identitet e vlera universale

Në kapitullin e tretë, “Natyra dhe kultura”, Canolli trajton relacionin e njeriut me natyrën dhe kulturën, si u zhvillua kultura njerëzore, ndryshimet kulturore, se si kultura ndryshon, mësohet, pra, përcillet ndër gjenerata.

Në kapitullin e katërt, “Metodat dhe teoritë në antropologji kulturore” janë analizuar metodat dhe teoritë antropologjike, duke filluar me vrojtimin me pjesëmarrje, metodë kjo, të cilën edhe Canolli me të drejtë e quan “metodë unike e antropologjisë”. Më pas analizohen edhe metoda të tjera, përfshirë intervistën, intervistën me grupe të fokusit, metodat kuantitative, punë arkivore etj. Në pjesën e fundit të këtij kapitulli trajtohen teoritë antropologjike.

Kapitulli i pestë, “Shkrimi antropologjik”, fokusohet në rëndësinë e shkrimit antropologjik, duke analizuar dhe krahasuar llojet e ndryshme të shkrimeve, përfshirë atë antropologjik, fiktiv dhe gazetaresk.

Në kapitullin e gjashtë, “Familja dhe farefisnia”, Canolli analizon tipat e familjes dhe ndryshimet nëpër kohë. Flet për martesën dhe farefisninë, pronën dhe trashëgiminë, si dhe ndryshimet në strukturën e familjes.

Kapitulli i shtatë, “Etnia, kombi dhe shteti”, mendoj se është njëri nga kapitujt më të mirë dhe, për mua, i jep librit epitetin e një libri unik, që del përtej dijes dhe disiplinës antropologjike. Autori ka bërë një analizë të thellë, duke trajtuar me kujdes dhe elokuencë konceptet dhe teoritë për etninë, kombin, shtetin, nacionalizmin, duke dhënë shpjegime të qarta dhe lehtësisht të kapshme për secilin lexues.

Edhe “Kosova Anthropologica” vë Kosovën në hartën shkencore ndërkombëtare Kulturë “Kosova Anthropologica” vë Kosovën në hartën shkencore ndërkombëtare

Në kapitullin e tetë, “Rituali dhe festa”, trajtohet rëndësia e ritualit në studimet antropologjike për dhe në përditshmërinë njerëzore. Cilat janë ritualet më të rëndësishme dhe si ndërlidhen me ciklin jetësor të njeriut se çka janë festat, festivalet, ritet e motmotit dhe përse ende kremtohen, janë temat që trajtohen aty.

Kapitulli i nëntë, “Tradita dhe trashëgimia kulturore” është një kapitull mjaft i rëndësishëm në këtë libër. Canolli bën një përkufizim të asaj se çka është traditë, trashëgimia kulturore dhe si trajtohet e studiohet nga fushat përkatëse. Praktikat, legjislacioni, konventat dhe si shtetet dhe organizata të rëndësishme botërore e trajtojnë trashëgiminë kulturore. Canolli trajton edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Kapitulli i dhjetë, “Identiteti social” është kapitulli i fundit. Këtu trajtohet identiteti social në dimensione të ndryshme, qoftë identiteti kolektiv – kombëtar, etnik, fetar, identiteti gjinor. Përkatësia dhe identiteti i individit në relacion me grupin të cilit i përket.

Në fund të secilit kapitull, Canolli ka vënë pjesën e ushtrimeve. Edhe kjo pjesë e bën të veçantë këtë libër. Ngase, konkretisht e angazhon studentin dhe lexuesin të përfshihet praktikisht në detyra të veçanta, të ndërlidhura me temën përkatëse.

Edhe Mark Tirta – etnologu i kulturës shqiptare Kulturë Mark Tirta – etnologu i kulturës shqiptare

Për fund, duke parafrazuar atë që kam përmendur në dy paragrafët e parë, konsideroj se ky libër, i strukturuar tematikisht për studentë, është mjaft i nevojshëm dhe shumë i përshtatshëm për lexuesin në shkencat sociale dhe dijet humane.