Kulturë

“Kosova Anthropologica” vë Kosovën në hartën shkencore ndërkombëtare

Revista shkencore “Kosova Anthropologica”, si pioniere e këtij kalibri synohet të shndërrohet në një platformë të çmuar për kërkime dhe shkëmbime idesh në katër fushat studimore të Antropologjisë, në atë biologjiken, etnolinguistikën, arkeologjinë dhe antropologjinë socio-kulturore. Aty hapësirë do t’iu ofrohet edhe qarqeve të tjera studimore mbi kulturën, por larg ngjyrimeve teorike, por të koncentruara në punë studimore empirike, e cila vihet në shërbim të shkencës.

“Ajo paraqitet si një hapësirë për kontributin e studiuesve për të botuar në fushat e fokusuara në analiza antropologjike të orientuara nga gjetjet empirike të temave specifike, mirëpo boton edhe ese të cilat janë gjithashtu të orientuara nga reflektimet teorike, si dhe recensione të librave, filmave, dokumentarëve dhe mediave të tjera vizuale”, thuhet në përshkrimin e revistës, në ueb-faqen e Universitetit të Prishtinës.

Arsim Canolli, profesor në Departamentin e Antropologjisë, njëherësh edhe kryeredaktor i revistës “Kosova Anthropologica”, ka treguar se ideja kryesore ka qenë vendosja e një platforme, e cila promovon studimin antropologjik në Kosovë.

“Ka nisë si ide për me ekzistu një organ kredibil e rigoroz që plotëson të gjitha standardet akademike për një studim antropologjik të mirëfilltë, dhe vlen të përmendet që revista i nënshtrohet edhe procesit ‘double blind peer-review’”, ka thënë Canolli.

Tashmë përveç studiuesve vendas të fushës përmes kësaj reviste hapet edhe një adresë e re për antropolog e studiues të huaj që veprimtarinë e tyre shkencore e kanë të fokusuar kah Kosova dhe regjioni i saj. Iniciativa e nisur nga Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, e mbështetur pastaj nga Universiteti i Prishtinës u konkretizua edhe me themelimin e bordit të këtij organi. Aty ka përbërje nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas të fushës, si Arsim Canolli, Tahir Latifi dhe Arben Hajdari, ndërsa nga Shqipëria Nebi Bardhoshi, pastaj nga SHBA-ja Michael L.Galaty e nga Franca Christophe Goddard. Ndërkaq Rozafa Berisha si ndihmësredaktore.

Revista e cila ofrohet për publikun e gjerë me qasje të hapur dhe me domenin unik të saj qe publikuar në mënyrë elektronike. Redaksia kishte vendosur që përmbajtja e numrit të parë inaugurues të përbëhej nga një shkrim editorial, katër artikuj hulumtues dhe një rishikim libri.

Numri i parë deri tani është në disponim vetëm në gjuhën angleze, ndërsa pritet që në muajt në vazhdim të botohet edhe versioni në gjuhën shqipe. “Treguesit gjeografikë të fillimshekullit të 20-të në demografinë fisnore të Shqipërisë së Veriut”, nga Elic M Weitzel, Erina Baci dhe Daniel Plekhov është artikulli i parë, pastaj “Rrëfimet që na formojnë: Narrativat e holokaustit evropian dhe praktikat e kujtesës kozmopolitane shqiptare” nga Kailey Rocker, “Falja, dëgjimi, pritja: Etika e solidaritetit në lëvizjen kosovare të rezistencës në vitet 1990” nga Arbër Jashari dhe “Hyjnesha në fron e Kosovës: Fabulizimi kritik si metodë antropologjike” nga Drita Bruqi-Kabashi. Ndërkaq një recension nga Bekim Baliqi iu bë përkthimit në shqip nga Florina Jerliu të librit “The Destruction of Memory: Architecture at War” (Shkatërrimi i kujtesës: Arkitektura në luftë) nga Robert Bevan.

Të gjitha këto shkrime nuk e kishin dhe aq të lehtë kualifikimin për t’u bërë pjesë e “Kosova Anthropologica”, pasi që synimet dhe udhëzimet e revistës bazoheshin në rregulla rigoroze duke filluar nga mbështetja në standardet e EASA (European Association of Social Anthropologists - Asociacioni Evropian i Antropologëve Socialë) mbi etikën e kërkimit e deri te votimi i anëtarëve të redaksisë ,të cilët vlerësuan dorëshkrimet e pranuara dhe morën vendimet përfundimtare me shumicë votash.

“Ndër pikat më të forta të të gjithë procesit kanë qenë udhëzimet dhe mënyra e punës mjaft rigoroze, nisur nga ky fakt kemi marrë komente se është krijuar përshtypja se kemi të bëjmë me një punë serioze. Edhe pse hera e parë është gjithmonë e vështirë në disa aspekte, duket të këtë qenë e suksesshme pasi që kemi arritur që ta kurorëzojmë këtë numër të parë”, ka thënë Canolli, duke theksuar se pas planifikimeve të buxhetit janë kërkuar fonde që botimi i revistës të vazhdojë dhe të ketë karakter vjetor, ku tashmë numri i dytë pritet të dalë në dhjetor të vitit 2024.

Ndër vite kishte pasur ngurrim të aplikohej për numër ISSN, për arsye se me numër ISSN mund të pajisen vetëm vendet anëtare në UNESCO. Por, pas përpjekjeve këmbëngulëse të Arsim Canollit, “Kosova Anthropologica” u pajis me një numër të tillë, që ia shton vlerën dhe kredibilitetin asaj.

Këtë proces Canolli e sheh si një praktikë pune larg viktimizimit, të cilën e ilustroi edhe me termin anglez “No victimhood, victorhood”, e cila do të duhej të shërbente si inkurajim për këdo sipas atij.

“Deri në fund të muajit shkurt presim të dalë revista e printuar dhe në disa kopje të limituara, për arkivim, shpërndarje të disa kopjeve për biblioteka, si dhe dhurimin e tyre për pjesëmarrësit në konferencën InASEA, që do të mbahet këtë vjeshtë në Prishtinë”, ka thënë Canolli duke ndarë edhe lajmin se tashmë po punohet edhe rreth sigurimit të numrit DOI të revistës.