Në prani të drejtuesve më të lartë të Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen e basketbollit mes përfaqësueses së këtij shteti dhe Rumanisë, një numër tifozësh bënë thirrje fashiste për shfarosjen e shqiptarëve. Kritikë për këtë shprehën presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e zyrtarë të BDI-së në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, që ishte në sallë, tha se nuk i dëgjoi thirrjet, por i dënoi ato
Thirrjet për zhdukjen e shqiptarëve, të bëra gjatë një ndeshjeje basketbolli ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në sallën e sporteve në Kumanovë, kanë shkaktuar reagimin e liderëve shqiptarë e të organeve të rendit.
“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, janë disa nga parullat e kënduara nga tifozët vendas, thirrje të lidhura me retorikën naziste të shfarosjes, të bëra në praninë e kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrit të Jashtëm, Panço Toshkovski, dhe zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq.
Presidentja Vjosa Osmani, në një reagim në Facebook, të hënën, i ka quajtur të papranueshme thirrjet dhe kritikoi lidershipin në Shkup për mosreagim.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre, si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri Hristijan Mickoski është deklaruar tek të hënën, pas reagimeve që ngjarja nxiti në Kosovë e Shqipëri, por edhe tek përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai tha se nuk i dëgjoi thirrjet, por i dënoi ato.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë dhe Rumanisë e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, ka deklaruar Mickocki.
Ai ka thënë se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jenë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vijnë”.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, ka thënë Mickoski.
Por reagime nuk ka pasur edhe nga presidentja Gordana Siljanovska dhe as nga zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
Pas ndeshjes së zhvilluar të shtunën, në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të Basketbollit, Bashkimi Demokratik për Integrim, partia më e madhe shqiptare në Maqedoni ka mbajtur konferencë për media.
Emir Sulejmani, anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së, dënoi heshtjen institucionale dhe kërkoi dorëheqjen e zëvendësministrave shqiptarë të Punëve të Brendshme dhe të Sportit.
“Nuk do të lejojmë që shqiptarët dhe çdokush nga qytetarët të bëhen shënjestër e thirrjeve fashiste në vendin ku janë bashkëthemelues të shtetit”, ka thënë Sulejmani.
E kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka kërkuar reagim publik nga zyrtarët më të lartë të Maqedonisë së Veriut.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik”, ka shkruar Spiropali.
Federata e Basketbollit e Maqedonisë së Veriut minimizoi peshën e këtyre thirrjeve. Në një komunikatë zyrtare ajo dënoi sjelljen e asaj që e quajti “pjesë të vogël tifozësh” dhe njoftoi se do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për identifikimin e tyre.
“Parullat nacionaliste, gjuha e urrejtjes dhe nxitja e mosdurimit nuk kanë vend as në tribuna, e as në sport në përgjithësi. U bëjmë thirrje të gjithë tifozëve që të përmbahen nga veprime të ngjashme në të ardhmen dhe të japin kontributin e tyre në krijimin e një atmosfere pozitive, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse në stadiume dhe palestra. Njëkohësisht do të bashkëpunojmë gjithmonë me institucionet përkatëse për të identifikuar personat e përfshirë, në mënyrë që raste të tilla të izoluara të mos ndodhin më”, thuhet në komunikatën e Federatës.
Reagim pati edhe nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
“Thirrjet ‘vdekje për shqiptarët’, ‘dhoma gazi’, ‘Maqedoni e pastër’ – të bëra para një delegacioni të gjerë qeveritar të kryesuar nga kryeministri – përbëjnë skandal më vete, ndaj të cilit duhet të reagojnë të gjithë. Mungesa e reagimit, nga vetë kryeministri dhe nga Qeveria, dërgon një mesazh edhe më shqetësues për normalizimin e këtyre prirjeve. Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është kryeministër i të gjithë qytetarëve dhe se të paktën në mënyrë simbolike shqetësohet për fyerjet dhe kërcënimet e drejtuara ndaj shqiptarëve në vend. Ai duhej ta kishte lëshuar sallën menjëherë, ose të paktën të reagonte përmes rrjeteve sociale për të dënuar këto thirrje”, ka shkruar Bujar Osmani.
Për ngjarjen në Kumanovë të dielën kritika mori edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës, kritikoi mosreagimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Kritikoi edhe presidenten Osmani, por ajo reagoi të hënën.
“Hristijan Mickoski është bërë kryeministër i Maqedonisë së Veriut me bekimin dhe votën që ia solli drejtpërdrejt Albin Kurti përmes koalicionit VLEN”, ka shkruar deputeti nga radhët e PDK-së, Artan Behrami. “Heshtja e Kurtit është më shumë se indiferencë - ajo është bashkëfajësi politike dhe morale”.
Kritik ndaj mosreagimit të Kurtit u shpreh edhe deputeti Daut Haradinaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai tha se Kurti është “kumbara i koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut” dhe udhëheqja e re atje tha se “po u bën të fala” me thirrje raciste ndaj shqiptarëve.
Gjatë zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut disa parti shqiptare u bashkuan në një koalicion të quajtur VLEN. Bekim Qoku nga Lëvizja Vetëvendosje – që udhëhiqet nga Albin Kurti – iu bashkua kësaj liste.
VLEN është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë i ka nisur hetime lidhur me elementet e një vepre të mundshme penale, që lidhet me thirrje që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pas brohoritjeve antishqiptare të bëra nga persona të panjohur gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë më 2 gusht.