Arbëri

Shiu i rrëmbyeshëm dhe breshri përfshijnë disa qytete të Kosovës

shiu

Reshjet e shiut dhe breshëri kanë përfshirë disa rajone të Kosovës të hënën.

Qytetarët kanë publikuar pamje në rrjete sociale nga qytete të ndryshme.

Disa prej qyteteve në të cilat janë raportuar reshje të fuqishme shiu e breshëri janë: Gjilani, Ferizaj, Malisheva e Gjakova. Pamje të bresherit janë publikuar edhe në Brezovicë. Në Gjilan  pamjet tregojnë rrugë të mbushura me ujë duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike përmes një postimi në Facebook ka thënë se reshje të mëdha shiu e bresheri dhe erëra të fuqishme kanë përfshirë pasditen e të hënës Kosovën, veçanërisht rajonin e Anamoravës, por edhe pjesë tjera të vendit.

“Gjilani dhe rrethina janë më të prekurat, ku për shkak të motit të keq janë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për një numër të konisderueshëm të konsumatorëve. Ekipet e KEDS janë të mobilizuara maksimalisht dhe ndodhen në terren duke punuar pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur. Rajonet e Pejës, Ferizajt dhe Prizrenit janë më pak të prekura. Ekipet tona janë në terren duke intervenuar edhe atje”, thuhet në njoftim.