Arbëri

Java vendimtare – deputetët “sy e vesh” nga Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese

Kur kanë mbetur edhe 4 ditë derisa Gjykata Kushtetuese do ta japë verdiktin e radhës përkitazi me kontestet në procesin e konstituimit të Kuvendit, në këtë institucion nuk dhanë informacione se në çfarë faze shqyrtimi ndodhen kërkesat e dorëzuara nga PDK-ja, LDK-ja e presidentja. E, zgjedhjet e jashtëzakonshme shihen si pasojë e mundshme që pritet ta caktojë Kushtetuesja.

Të premten, më 8 gusht, merr fund masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u është ndaluar deputetëve çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit.

Në këtë gjykatë nuk iu përgjigjen pyetjeve të KOHËS në lidhje me shqyrtimin e tri lëndëve të dërguara nga PDK-ja, LDK-ja e presidentja Vjosa Osmani.

E, analisti Arbnor Sadiku pret që skenari i marrjes së mandateve të deputetëve të jetë më i përafërti.

Ai thotë se gjykata nuk duhet ta përsërisë gabimin e bërë me aktgjykimin e parë të sajin, të nxjerrë në fund të qershorit, kur nuk i listoi pasojat që prodhohen në rastin kur brenda afatit 30-ditor nuk konstituohet Kuvendi.

“Një përgjegjësi është më e madhe kësaj radhe e Gjykatës Kushtetuese, për shkak se herën e kaluar me vendimet e saj ka lënë shumë paqartësi dhe natyrisht jo vetëm që nuk e zgjodhën problemin, por krijuan edhe probleme shtesë. Kam përshtypjen që kësaj radhe Gjykata Kushtetuese është munduar që të jetë pak më e shpejtë dhe më e saktë”, ka thënë Sadiku.

Deputetët dështuan për 54 herë me radhë që ta përmbyllin seancën konstituive të Kuvendit. Punë nuk kreu as obligimi i vënë nga Kushtetuesja që konstituimi i legjislaturës së nëntë të kryhet brenda 30 ditësh e as organizimi i dy vazhdimeve të seancës në ditën e fundit të afatit.

Në rast të shpërndarjes së legjislaturës së nëntë, Sadiku konsideron se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mund të mbahen edhe para atyre lokale, të caktuara për në tetor.

“Nëse Gjykata ua merr mandatin gjithë deputetëve dhe në të njëjtën kohë ia jep mundësinë presidentes që ta çojë vendin në zgjedhjet e jashtëzakonshme, i bie që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në shtator brenda 45 dite dhe i bie që nuk do të mbahen në të njëjtën datë, por në rast se shtyhet ky proces dhe u jepet prapë mundësia partive politike që ta bllokojnë situatën përmes kuvendit, gjasat janë shumë të mëdha që të shkohet në të njëjtën kohë”, ka thënë Sadiku.

Masa e përkohshme dyjavore e vënë nga Kushtetuesja, ka hyrë në fuqi më 27 korrik, një ditë pasi përfundoi 30-ditëshi i përcaktuar nga ajo si afati i fundit për konstituimin e Kuvendit.

Seanca për konstituimin e Kuvendit nisi më 15 prill. Bllokada është shkaktuar te pika e tretë e rendit të ditës – zgjedhja e kryetarit.

Në vazhdimet e para, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, e propozoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk i mori votat e mjaftueshme në disa tentime.

Më pas LVV-ja, falë edhe kryesuesit të seancës Avni Dehari, që vjen nga kjo parti, tentoi ta ndryshonte formën e votimit – nga i hapur, në i fshehtë. Dhe për votim të fshehtë u tentua të krijohet një komision, që për gati 50 votime nuk i ka marrë votat e mjaftueshme. Opozita e deritashme e ka quajtur në vazhdimësi të kundërligjshëm këtë veprim të LVV-së.