Antony Price, disenjatori britanik i modës që krijoi disa nga veshjet më ikonike për yje të mirënjohur të Hollywoodit, si këngëtari David Bowie e grupet muzikore Duran Duran dhe Roxy Music, ka vdekur në moshën 80-vjeçare, ka raportuar BBC

Price njihej për siluetat e veçanta të ngushta dhe stilin teatral. Ndër krijimet e tij më të famshme janë kostumet me ngjyra pastel që u shfaqën në videoklipin “Rio” të grupit muzikor Duran Duran, pamje që u bënë simbol i estetikës së viteve ’80.

Grupi Duran Duran, përmes një deklarate të përbashkët në rrejte sociale ka reaguar për vdekjen e Priceit, duke e përshkruar atë si “një vizionar” dhe “një mik të sjellshëm, inteligjent dhe me humor të mprehtë”.
Vdekja e Price vjen më pak se një muaj pasi ai prezantoi koleksionin e tij të fundit në Londër, për herë të parë pas më shumë se 30 vjetësh. Në atë sfilatë, këngëtarja Lily Allen parakaloi me një fustan të frymëzuar nga fustani i zi prej kadifeje, i njohur si “the revenge dress”, që Princesha e Uellsit , Diana, kishte veshur pasi ishe ndarë nga bashkëshorti, Mbreti Charles.
Antony Price ka lindur në Yorkshire në vitin 1945 dhe në fillim të viteve ’60 u zhvendos në Londër për të studiuar në Royal College of Art. Një vit pas diplomimit, ai nisi të dizajnonte veshje për meshkuj në kompaninë “Stirling Cooper”, ku krijoi edhe pantallonat e ngushta me pulla që ylli, Mick Jagger i veshi gjatë turneut “Gimme Shelter” të grupit The Rolling Stones në vitin 1969.

Ai themeloi brendin e tij në vitin 1979 dhe një vit më vonë organizoi sfilatën e parë të modës. Hapja e koleksionit iu besua modeles Jerry Hall, e cila më vonë veshi edhe fustanin e dizajnuar nga Price për martesën e saj me Mick Jagger.
Si bashkëpunëtor i hershëm i David Bowiet, Price dizajnoi edhe xhaketën që këngëtari veshi në videoklipin e këngës “As The World Falls Down” në vitin 1986.
Videoklipi i këngës “As The World Falls Down”:
Aftësia e tij për të kombinuar modën për burra dhe gra, si dhe mjeshtëria teknike për të krijuar veshje që përshtateshin ngushtë me trupin, e bënë atë “një origjinal të vërtetë”, sipas British Fashion Council.
Në vitet ’90, Price nisi të punonte edhe për Dukeshën e Cornwallit, Camilla, duke dizajnuar disa veshje për turneun e saj në Shtetet e Bashkuara pasi mori titullin zyrtar.
Pas një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, Antony Price realizoi sfilatën e tij të fundit në Londër muajin e kaluar, në bashkëpunim me brendin e modës “16Arlington”.