Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Elton John, Oprah Winfrey dhe Paul McCartney i japin lamtumirën Dolly Partonit

Homazhe për ikonën e muzikës country, Dolly Parton

Homazhe për ikonën e muzikës country, Dolly Parton

Foto: Associated Press

Bota e muzikës dhe e artit është në zi pas vdekjes së ikonës së muzikës country, Dolly Parton, e cila vdiq në moshën 80-vjeçare, pas një beteje të shkurtër me kancerin, ka shkruar BBC.

Pas lajmit, yje të mëdhenj si Paul McCartney, Elton John, Taylor Swift, Beyoncé dhe Oprah Winfrey ndanë mesazhe prekëse, duke kujtuar jo vetëm talentin e saj, por edhe bamirësinë, humorin dhe zemrën e madhe.

Paul McCartney e përshkroi Partonin si një “yll madhështor”, ndërsa Elton John ka thënë se ishte “një artiste gjigante, unike dhe e pazëvendësueshme, me zemrën më të mirë”.

Postimi i Paul McCartney në Instagram

“Një botë pa Dollyn nuk duket e mundur, reale apo e drejtë. Por, për shkak të mënyrës jashtëzakonisht bujare se si e kaloi jetën dhe miliona jetëve që ndryshoi për mirë, trashëgimia e saj do të jetë e përjetshme”, ka thënë këngëtarja Taylor Swift, e cila e nisi karrierën në muzikën country.

Parton duke kënduar këngën e saj të famshme "Jolene":

Edhe Shqipëria në fokus të industrisë muzikore botërore Kulturë Shqipëria në fokus të industrisë muzikore botërore

Swift ka veçuar edhe kontributin e Partonit në edukimin e fëmijëve, duke përmendur miliona libra që ajo u dhuroi fëmijëve në mbarë botën.

Beyoncé e quajti Partonin “yllin udhërrëfyes”.

Kënga "Jolene" e interpretuar nga Beyonce në turneun e albumin e saj të muzikës country "Cowboy Carter":

“E guximshme dhe brilante. E talentuar dhe këmbëngulëse. Na mësove se si të jemi vetvetja. Jam mirënjohëse për artin, zemrën, bujarinë, humorin dhe shpirtin tënd sipërmarrës”, ka shkruar ajo.

Ylli televiziv, Oprah Winfrey ka kujtuar me dashuri një nga momentet e saj të preferuara me Parton, ndërsa shkroi se ajo ishte një vajzë nga malet e Tennesseet që “ëndërroi një jetë dhe më pas jetoi një jetë më të madhe nga sa mund ta kishte imagjinuar ndonjëherë, duke u dhënë të tjerëve me bujari të jashtëzakonshme”.

Postimi i Oprahs

Edhe artistë si Reba McEntire, Eminem, Mick Jagger, Rod Stewart, Cyndi Lauper, Gloria Estefan dhe Keith Urban shprehën dhimbjen e tyre.

Reperi Eminem ka treguar se, edhe pse nuk e kishte takuar kurrë personalisht Partonin, ajo i kishte dërguar një letër urimi pas përfshirjes së tij në “Rock & Roll Hall of Fame”.

Edhe Kapërcimi i poshtërimit me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit Kulturë Kapërcimi i poshtërimit me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit
Postimi i Eminemit

“Edhe për një djalë që dëgjonte kryesisht rap, ajo ishte një ikonë. Një superstar në çdo kuptim”, ka thënë reperi.

Homazhe erdhën edhe nga bota e filmit. 

Aktorja Jamie Lee Curtis e quajti Partonin “heroinë dhe shembull të madh për të gjithë ne”, ndërsa disenjatorja e modës Donatella Versace ka shkruar se bota ka humbur “një nga shpirtrat më të mirë dhe më bujarë, një tregimtare të jashtëzakonshme dhe një legjendë të vërtetë të muzikës”.

Parton u kujtua gjithashtu për rolet e saj në filma si “9 to 5” dhe “Steel Magnolias”, si dhe për paraqitjen në projektin filmik “Hannah Montana”.

Parton dhe Miley Cyrus (e cila luan rolin e Hannah Montanas) duke performuar ne skenë

Përveç muzikës, ajo la trashëgimi të madhe përmes bamirësisë dhe mbështetjes së fëmijëve, arsimit dhe leximit.

Vdekja e saj ka bashkuar artistë, politikanë dhe fansa nga e gjithë bota. Ish-presidenti amerikan Bill Clinton e quajti “një të veçantë, një kantautore dhe artiste të madhe që tregoi historitë e amerikanëve të zakonshëm me sinqeritet, përulësi dhe zemër”.

Për ikonën kanë shkruar edhe ish-presidenët Barack Obama e George Bush.

Edhe Vdiq në moshën 80-vjeçare Dolly Parton, mbretëresha e muzikës country Kulturë Vdiq në moshën 80-vjeçare Dolly Parton, mbretëresha e muzikës country

Presidenti Donald Trump e ka cilësuar vdekjen e saj “një humbje të vërtetë për miliona njerëz”.

“Nuk ka pasur kurrë askënd si ajo dhe nuk do të ketë më”, ka thënë ai, i cili ka kërkuar gjithashtu që flamujt të ulen në gjysmë shtizë për një javë në nderim të figurës së Partonit.