Bryan Seaver, nipi i këngëtares së njohur amerikane Dolly Parton, i cili njoftoi publikisht vdekjen e saj muajin e kaluar, raportohet se është shkarkuar nga detyra si shef i sigurisë së pronave të artistes.
Sipas raportimeve të TMZ-së, Seaver dhe kompanitë e tij të sigurisë janë larguar nga të gjitha pronat që i përkasin pasurisë së Partonit. Një njoftim për ndërprerjen e kontratës i është dërguar atij javën e kaluar ndërsa në pronat e këngëtares në Nashville, përfshirë shtëpinë e saj, muzeun, shtëpinë në qendër të qytetit dhe një magazinë, janë vendosur ekipe të reja sigurie.
Seaver dhe ekipi i tij i kanë thënë TMZ-së se janë “të tronditur nga veprimet e papritura dhe deri tani, të pashpjegueshme”, pas vdekjes së Partonit.
Ata shtuan se mbetën të vendosur të zbatojnë udhëzimin e fundit të Dolly Partonit për mbrojtjen e familjes së saj dhe pretenduan se veprimet ndaj tyre po ndërmerren në keqbesim dhe me synimin për të përfituar nga trashëgimia e artistes.
Sipas raportimit, çështja lidhjet me menaxherin shumëvjeçar të Partonit, Danny Nozell dhe Pinnacle Bank.
Në letrën e ndërprerjes së marrë nga TMZ thuhet se pronat dhe interesat profesionale të artises së ndjerë kontrollohen përmes DP Dean Trust. Megjithatë, largimi i Seaver nga detyra si shef i sigurisë nuk e ndryshon interesin e tij personal në këtë trust.
Vdekja e Dolly Partonit u njoftua përmes një videoje të publikuar në llogarinë e saj në Instagram më 25 gusht. Njoftimin e bëri pikërisht Bryan Seaver, i cili në atë kohë ishte shefi i sigurisë së saj.
Seaver tha se ishte djali i Cassie Parton dhe se po fliste në emër të familjeve Parton dhe Owens për të njoftuar vdekjen e Dolly Rebecca Parton Dean.
Ai tregoi se Dolly Parton ia kishte kërkuar vite më parë që të bënte këtë njoftim në rast të vdekjes së saj.
Seaver kishte shërbyer si shef i sigurisë së Partonit për më shumë se dy dekada, ndërsa më parë këtë detyrë e kishte mbajtur babai i tij, Larry.
Duke folur për vdekjen e artistes, ai tha se ishte një moment i mbushur me krenari dhe trishtim, por shtoi se, sipas tij, trishtimi i përkiste familjes dhe jo Dollyt pasi ajo kishte jetuar në dritë dhe ishte tashmë pranë bashkëshortit të saj, prindërve dhe të dashurve të tjerë.
Tre ditë pas vdekjes së saj, familja e Dolly Parton u mblodh për një ceremoni private mortore në Woodlawn Memorial Park and Mausoleum në Nashville.
Parton u varros pranë bashkëshortit të saj, Carl Dean, i cili vdiq në mars të vitit 2025 në moshën 82-vjeçare.