Showbiz

Giorgio Armani – disenjatori që ndryshoi formën e modës

Giorgio Armani

Giorgio Armani

Foto: Associated Press

Disenjatori i njohur, Giorgio Armani, që ka dizajnuar “uniformat” e aspiratave, të cilat kanë definuar vitet ‘80 dhe ka formuar rrjedhën e modës përtej tyre, vdiq të enjten. 

Ai kishte mbushur 91 vjeç më 11 korrik. Vdekja e Giorgio Armanit u konfirmua nga kompania.

“Me dhimbje të pafundme ‘Armani Group’ bën të ditur se ka vdekur kreatori, themeluesi e forca jonë e palodhur, Giorgio Armani. Il Signor Armani, siç thirrej me admirim nga stafi dhe bashkëpunëtorët, ka vdekur në mënyrë paqësore, i rrethuar nga më të dashurit. I pamposhtur, ai ka punuar deri në ditët e fundit, duke ia dedikuar vetveten kompanisë, koleksioneve dhe shume projekteve të ardhshme”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Vogue” nuk e vë në diskutim se disenjatori më i suksesshëm italian në histori, Giorgio Armani, ishte gjithashtu ndërmarrësi më i suksesshëm.

Ai ishte aksionari i vetëm i kompanisë së tij, “Giorgio Armani”, interesi i së cilës shtrihet përtej hotelerisë, mobileve shtëpiake dhe konfeksionit.

Biznesi të cilin ai e filloi në vitin 1975, me paratë e marra nga shitja e “Volkswagenit” të tij, regjistroi të hyra vjetore 2.1 miliardë euro në vitin 2019. Biznesi i tij ka të punësuar 8.000 njerëz në mbarë botën.

Kur themeloi kompaninë, Armani ishte 40 vjeç. Iu deshën vetëm shtatë vjet që nga një njeri i panjohur të shndërroj në personalitet që mbulon ballinën e revistës “Time”.

Armani filloi të dizajnonte veshje edhe për gra, edhe për burra në fillim të viteve ’70, pas gjashtë vjetësh punë tek rrobaqepësi italian Nino Cerruti, me të cilin ai punoi në një brend të veshjeve sportive që quhej “Hitman”. Para kësaj ai ka kaluar shtatë vjet duke punuar në një dyqan në Milano, që quhej “La Rinascente”, ku ka punuar si rregullues i vitrinave dhe asistent.

Armani ka hapur dyqanin e tij, i inkurajuar nga partneri i tij i jetës si dhe biznesit, Sergio Galeotti.

“Sergio më ka bërë të besoj më vete. Ai më ka bërë ta shoh botën më të madhe”, pati thënë ai për revistën GQ në vitin 2015.

Të dy themeluan kompaninë e tyre, Galeotti ishte drejtor dhe bashkëpronar, krahas asistentes Irene Pantene - e cila ende punon për kompaninë -  dhe kanë shfaqur koleksionin e tyre të parë për gra në kalendarin e “Camera Della Moda” për vjeshtën e vitit 1976, koleksion që u ka siguruar atyre marrëveshje me kompaninë “Barneys”.

Në pasarelën e parë, Armani ka paraqitur 12 modele të veshura me rroba të burrave, të cilat i kishte shfaqur më herët si pjesë e koleksionit të burrave. Në fund të ngjarjes, 12 modelet u bashkuan në pasarelë, u ndalën dhe kërcyen me një këngë që kishte lëshuar Galeotti në prapaskenë.

Armani tashmë ishte bërë disenjatori më i përfolur në Milano, duke iu falënderuar xhaketave sportive e të lirshme për burra, të cilat po bënin të njëjtën bujë edhe tek koleksioni i grave.

Disenjatori po fillonte të bëhej i famshëm pasi edhe aktorja Diane Keaton veshi një nga xhaketat në fjalë kur doli ta pranonte çmimin “Aktorja më e mirë” në “Oscar” në vitin 1978.

Aktori Richard Gere veshi kostumet Armani në shkurt të vitit 1980, në filmin “American Gigolo”. 

“Te gjithë donin të dinin së çfarë brendi kishte veshur Gere që dukej aq bukur në atë film”, pati thënë Armani për “The Economist” në vitin 2017.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po hynin në pikun e tyre të vetëbesimit e pushtetit, Giorgio Armani po ofronte kostume të buta për tregun e tyre. Dyqanet e reja të brendëve të tij “Emporio Armani” dhe “Armani Jeans” ofronin diçka nga identiteti i vetë Armanit me çmim më të pranueshëm. Më shumë se çdo konkurrent i tij në Milano, vetëm Gianni Versave arriti t’i afrohej nivelit të ekspozimit të Armanit.

Armani shpejt po bëhej sinonim i stilit e modës italiane në spektrin e gjerë amerikan.

“Shumë gjëra kanë ndodhur shumë shpejt për mua në atë kohë. Ishte koha kur çdo gjë në karrierën time po lëvizte”, pati thënë Armani në vitin 2017.

Artistja Grace Jones, në ballinën e albumit të saj “Nightclubbing”, që e pati publikuar në vitin 1981, kishte veshur rroba nga koleksioni i Armanit, për të cilin ishte inspiruar nga veshjet japoneze. Pastaj erdhi ballina e revistës “Time”, dhe në vitin 1984 arriti pikun e suksesit të tij me spektaklin televiziv “Miami Vice”, i cili ishte një nga më të njohurit e viteve ’80 dhe u shfaq për katër vjet me radhë.

Në vitin 1985, sidoqoftë, një tragjedi personale goditi pasurinë e tij profesionale. Pas një sëmundjeje, për të cilën është raportuar se ishte sëmundje e zemrës, vdiq Sergio Galeotti.

“Jetuam pa thënë as edhe një fjalë për sëmundjen e tij, pa lënë as të bëhej barrë për ne. Nuk më ka parë asnjëherë duke qarë. Ai vetë asnjëherë s’ka thënë asgjë. Përgjatë tërë vitit, ai njëherë më pati thënë: ‘Giorgio shiko sa shumë jam dobësuar’, kjo është e tëra”, pati thënë Giorgio Armani, 11 vjet pas vdekjes së Galeottit në një intervistë për “The New York Times”.

Mërzia e kishte goditur Armanin fuqishëm, por biznesi i tij vazhdonte të rritej.

Biznesmenja Gabriella Forte, e cila e kishte ndihmuar të arrinte marrëveshjen me kompaninë “Barnieys” në vitin 1976, e e cila ka punuar për Armanin që nga viti 1979 për ta zhvilluar brendin në tregun amerikan, u bë gruaja e duhur që fliste për të që nga viti 1985.

Një nga anëtaret e ekipit të punonjësve të tij, e cila punonte si agjente për marrëdhëniet me publikun ishte Noona Smith-Peterson. Ajo kaloi tetë vjet në kompani. Një tjetër “aset” i brendit u bë edhe koordinatorja e ngjarjeve speciale, Lee Radziwill.

Armani u bë i famshëm gjatë viteve ‘80, ndërsa vazhdoi ta udhëhiqte drejtimin e modës në dekadën pasardhëse sidomos për veshjet e burrave. Për pranverën e vitit 1990 ai pati propozuar një version të një xhakete me tri pulla e me jakë më të lartë, të cilën e quajti “Natyralja” (The Natural), xhaketë kjo që definoi dominimin mbi format e xhaketave më klasike për vitet në vijim. Edhe pas ardhjes në skenë të brendëve të njohura si “Prada” e “Calvin Klein”, fama e asaj xhakete nuk u zbeh. Në po të njëjtin vit, “Natyralja” pa lansimin e “Made in Milan” (Krijuar në Milano), një dokumentar nga regjisori i njohur Martin Scorsese, ku shfaqej Armani duke punuar.

“Shoqëria ndryshon dhe unë ndryshoj me të. Mundohem të filtroj idetë e mia përmes realitetit të përditshëm”, thotë disenjatori në dokumentarin në fjalë.

Në mes të viteve 1990 dhe 1995 kompania u rrit shumë shpejt, por Armani ndjeu peshën e suksesit. Për këtë periudhe ai pati thënë se s’do të mund të ndërmerrte rreziqe siç ka bërë në të kaluarën dhe nuk do të mund ta përballonte mosshitjen e produkteve.

“Nuk mund ta përballoja dot ekonomikisht as rënien e blerjeve. Krijimet e mia po bëheshin përgjegjësi komerciale”, pati thënë ai.

Shumë e më shumë linja u prezantuan, pizhame, produkte të bukurisë, kështu që rritja e biznesit arriti të mbahej mirë. Më vonë gjatë asaj dekade brendët si “Celvin Klein”, “Prada”, “Gucci” e “Dolce& Gabbana” u shtuan në turmën e rivalëve, të udhëhequr nga legjenda Gianni Versace deri në vdekjen e tij në vitin 1997.

Në përvjetorin e 25-të të themelimit të brendit të tij, Armani ishte ende shumë i suksesshëm dhe fuqishëm, por nuk ishte më “Le dernier cri” (më i riu i modës). Përgjatë viteve të hershme të mileniumit të dytë ai lansoi zinxhirin e hoteleve me bashkëpunëtorët e tij dhe synonte të kontrollonte çdo gjë që prodhohej në emër të tij që të sigurohej që të jetë “fjala e fundit” e modës. Kjo gjë i mundësoi bashkëpunim shumë fitimprurës më kompaninë “Luxottica”.

Atij i janë ofruar shumë konglomerate për bashkëpunim, por nuk pranonte që ta shiste brendin që kishte themeluar vetë. Ai donte që të mbetej vetëm i tiji, ndërkohë që pati kujtuar një takim me një nga investitorët më të mëdhenj italianë.

“Ai ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të bankave italiane dhe ndërkohë që të tjerët flisnin, ai qëndroi ulur duke mos folur asnjë fjalë. Ai pastaj i shikoi njerëzit e pranishëm dhe u tha: ‘Zotërinjtë e mi, z. Armanit nuk i duhemi ne. Shkojmë’”, pati thënë ikona.

Ai ka mbetur i përkushtuar ndaj reklamimit në shtypin e modës. Marrëveshja e tij me kompaninë “Barneys” u bë pasi ata kishin parë kampanjën e tij në “Voguen e burrave” (L’Uomo Vogue), por duke u rritur, koleksionet e tij i përshtateshin më shumë stilit të tij personal sesa kohës, ashtu sikur edhe fuqia e emrit të tij, i cili kishte tejkaluar kufijtë e atij shtypi e edhe sistemin e modës në përgjithësi.

“Sikur të gjithë disenjatorët që janë me të vërtetë të mëdhenj në historinë e modës, Giorgio Armani, ka të bëj me stilin, jo me modën. Ata gjejnë stilin e tyre dhe vetëm aty shfaqin, dhe ketë bën ai”, pati thënë kryeredaktorja e “Vogues” së versionit italian, Franca Sozzani.

Në metodologjinë e tij, me sa duket nganjëherë, Armani ishte i rezervuar e i ashpër. Përgjatë konferencave të rregullta pas shfaqjeve të tij për shtypin italian, shpesh ka pasur tendencë të hedhë “granata retorike” kundrejt konkurrentëve të tij, sidomos “Pradës” dhe “Dolce&Gabbanas”. Por, megjithatë ai shpesh e përshkruante veten si të turpshëm. Pavarësisht kësaj, këndvështrimi i Armanit ishte i jashtëzakonshëm dhe estetika e tij tejet e veçantë.

Një pjesë e dukjes së disenjatorit, sidomos serioziteti i tij - ani se ka pranuar se një herë ka konsumuar drogën që quhet LSD si dhe është dehur me alkool vetëm një herë në jetën e tij - me sa duket ishte rezultat i fëmijërisë së tij të kufizuar.

Ai është rritur në qytetin e Piacenzas, afër Milanos, ndërmjet viteve 1930 dhe 1940. Nëna e tij Mariù, emrin e së cilës ia kishte vënë jahtit të tij të dashur, kishte pasur barrën për rritjen e Armanit, motrës së tij Rosannas dhe vëllait Sergios përgjatë bombardimeve të Forcave Aleate në Luftën e Dytë Botërore. Babi i tyre, Ugo, kontabilist me prejardhje armene, nuk mund të punësohej pas luftës. Një nga shokët e fëmijërisë së Giorgios ishte vrarë gjatë bombardimeve, gjë që e la atë shumë të frikësuar dhe u hospitalizua për 40 ditë. Kjo gjë e kishte inspiruar Giorgion të ndiqte ambicien për t’u bërë mjek para se të shkonte për ta kryer shërbimin ushtarak në Milano, në qytetin ku do të kontribuonte aq shumë.

Armani punoi deri në fund, edhe në koleksionin e tij të fundit ka kontrolluar çdo detaj para se të dërgoheshin modelet në pasarelën e teatrit të krijuar për të nga arkitekti japonez Tadao Ando.
Perfeksionizmi dhe nevoja për të pasur synime të reja e t’i realizojë, është diçka që ai ka thënë se i sjell kuptim jetës.

Në deklaratën e kompanisë thuhet se homazhet janë paraparë të mbahen në “Teatro Armani” në Milano, nga dita e shtunë, 6 shtator, deri ditën e diel, 7 shtator, dhe do të jetë i hapur prej orës 9 të mëngjesit deri në orën 6 të mbrëmjes.