Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se reperi tashmë i dënuar me më shumë se katër vjet burg, Sean “Diddy” Combs, i ka kërkuar që ta falë.
Ndërkohë që po fliste me gazetaren e CNN-it, Kaitlan Collins, rreth faljes presidenciale të mundshme për ish-të dashurën e Jeffrey Epsteinet, Ghislaine Maxwell, Trumpi ka përmendur se shumë njerëz i kanë kërkuar që ai t’i falë, përfshirë Combsin.
Në muajin gusht, një nga anëtarët e ekipit mbrojtës të Combsit i pati thënë CNN-it se ekipi është mundur të kontaktojë me administratën Trump për një falje të mundshme.
“Kemi kontaktuar dhe kemi zhvilluar biseda në lidhje me një falje”, pati thënë avokatja Nicole Westmoreland për Elizabeth Wagmeister të CNN-it në atë kohë.
Trumpi në një intervistë në Newsmax, më parë, pati dhënë indicie se ai nuk do ta falte Combsin.
“Kam qenë shumë i shoqëruar me të, na ka shkuar muhabeti shumë dhe më dukej si djalë i mirë. Nuk e njihja mirë. Por kur kam kandiduar për president, ai ka qenë shumë armiqësor”, pati thënë ai.
Trump pati shtuar se kjo gjë e ka bërë faljen presidenciale të jetë e vështirë për t’u bërë.
Kur u kontaktua nga CNN për komentet e Westmoreland në muajin gusht, një zyrtar nga Shtëpia e Bardhë pati thënë se “nuk do të komentojë se a ekziston apo nuk ekziston kërkesa për falje presidenciale”.
Gjithashtu të hënën, avokatët e Combsit kanë kërkuar nga gjykatësi Arun Subramanian, i cili e ka dënuar reperin të premten, për t’i rekomanduar byrosë së burgut që Combs të vendosej në një ndërtesë burgu që nuk është e sigurisë së lartë në Fort Dix të New Yerseyt, ku do të mund t’i adresonte edhe problemet me abuzimin e lëndëve narkotike dhe të mund të rriste numrin e vizitave familjare si dhe përpjekjet për rehabilitim.