Tina Knowles, nëna e yllit me famë botërore, Beyonce, ka thënë se e dinte që duhet ta mbronte të bijën që nga fillimi i karrierës së saj.

70 vjeçja, në një intervistë për revistën Glamour që bëri bashkë me nënat e tjera të të famshmëve si Billie Eilish, Selena Gomez e Travis Kelce, ka thënë se që në moshë të re ishte bërë floktare në mënyrë që ta mbante familjen.

“Shumë herët, fillova floktarinë në mënyrë që të kisha mundësi të udhëtoja me bijat e mija sepse doja t'i mbroja, jo sepse më pëlqente të fluturoj me aeroplan, sepse s’kishte asgjë glamuroze rreth atyre udhëtimeve, por vetëm sepse doja t'i mbroja fëmijët e mi”, ka thënë Tina.
Ajo tutje ka shpjeguar se si industria e showbizit mund të të përtypë e të të pështyjë pastaj, duke thënë se kjo ishte arsyeja pse me çdo kusht donte t'i mbronte vajzat e saj, në mënyrë që të mos binin pre e kësaj industrie.
“Isha shumë e vendosur që bijat e mija nuk do të konsumoheshin nga industria. Thjesht u bë misioni im”, ka thënë Tina.
Knowles, e cila është nënë edhe e motrës së Beyonces, këngëtares Solange, ka parë rrugën se si e bija e madhe e saj u bë një nga yjet më të famshëm në botë ndërkohë që ka treguar se sa krenari ndien pasi që disiplina që ua mësoi bijave është ajo që i ka mbajtur larg telasheve të famës.

“Ka shumë momente krenarie dhe mund të tingëllojnë si klishe, por fjalia më e vërtetë që do të mund të ndërtojë është kjo: ‘Krenari ndiej më së shumti kur ato bëjnë diçka artistike, diçka që duan, ndërkohë që ajo gjë lë ndikim nëpër botë”. Nuk mund ta ndal buzëqeshjen. Pas ca kohësh disi nis e mësohesh me momente të ndryshme të mëdha, por momentet e tilla janë me të vërtetë ndryshe”, ka shpjeguar Knowles.
Ajo tutje ka treguar se i sheh te të bijat shumë gjëra të cilat iu a ka mësuar vet ajo, t’i trajtojnë mirë njerëzit, që të mos ngurojnë, të bëjnë punën si duhet e të mos jenë përtace që të presin nga të tjerët e edhe që të mos i shfrytëzojnë pasi janë të sjellshme.

“Ka pasur momente kur ato janë bërë tepër të sjellshme dhe ju kam thënë: ‘Jo, jo,jo! Njerëzit e tjerë duhet t'i kryejnë vet punët e tyre. Gjithkush duhet ta tërheqë valixhen e vet’. Këtë duhet t’ua mësosh fëmijëve, sepse shumë njerëz ju shkojnë prapa e i shfrytëzojnë pastaj. Por ajo që më bën më shumë krenare është se janë njerëz të mirë”, ka thënë ndër të tjera biznesmenja.