Tina Knowles, nëna e yllit të njohur, Beyoncé, ka zbuluar se shpreson që mbesa e saj, Blue Ivy Carter, të mos ndjekë hapat e nënës së saj në industrinë e argëtimit.
71-vjeçarja, e njohur si disenjatore rrobash dhe nënë e një prej yjeve më të mëdha në botë, u shpreh për “Extra” se është krenare për Blue Ivy, 13-vjeçare, e cila ka performuar në skenë gjatë turneut “Cowboy Carter” të Beyoncés. Por dëshira e saj është që ajo të zgjedhë një karrierë tjetër.
“Dëshira ime është që ajo të bëjë diçka tjetër. Shpresoj që të mos hyjë në botën e argëtimit. Mendoj se është sakrificë shumë e madhe. Është sakrificë e madhe për jetën tënde. Por nëse vendos ta bëjë, unë do jem aty duke e mbështetur”, ka thënë Knowles.
Ajo shtoi se performancat e Blue Ivy kanë qenë një burim i madh vetëbesimi për të.
“E kuptoj pse nëna e saj e lejoi ta bëjë. Sepse aty fitoi vetëbesimin. Dhe është e bukur për t’u parë”, ka thënë ajo.
Knowles përmendi gjithashtu se edhe motra më e vogël e Blue Ivyt, Rumi Carter, vetëm 7 vjeçe, ka shprehur dëshirë të madhe për të qenë pjesë e skenës.
“Rumi e vogël na thoshte çdo natë gjatë turneut ‘Renaissance’: ‘Jam gati. Dua të dal në skenë.’ Dhe ne i thoshim: ‘Herën tjetër.’ Këtë herë, nëna e saj e lejoi dhe ishte një mrekulli ta shikoje aty”, ka thënë tutje disenjatorja.
Knowles ka zbuluar gjithashtu se Rumi shpeshherë imiton koreografitë prapa skenës dhe ka energji të bollshme për t’u shfaqur në publik.
“Duhet ta lënë të lirë një natë! Sepse ajo atje prapa është duke bërë koreografi, duke u rrotulluar dhe duke bërë lëvizje baleti. Unë them: ‘Lëreni të lirë një natë!’” - ka thënë ylli.
Megjithëse ka rezerva për një të ardhme në muzikë për mbesat e saja, gjyshja është e lumtur që Blue Ivy po rritet me vetëbesim të fortë.
“Është gjëja më e bukur. Në fund të ditës, gjëja më e rëndësishme që shoh është rritja e vetëbesimit të saj çdo ditë. Blue është e gjatë, është rreth 1.75 cm dhe është vetëm 13 vjeçe. Unë gjithmonë i thosha: ‘Qëndro drejt, sepse gjyshja gjithmonë ka dashur të ishte e gjatë’. Dikur përkulej pak, por tani ka qëndrimin e një modeleje. Ecën me vetëbesim dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, ka thënë ndër të tjera Knowles.