Ylli amerikan, Beyoncé ka nisur fuqishëm turneun e saj më të ri “Cowboy Carter”, duke thyer tashmë disa rekorde historike.
Këngëtarja e hitit “Crazy In Love” përfundoi pesë koncerte në stadiumin “SoFi” në Inglewood, Kaliforni, ditë më parë, duke grumbulluar mbi 50 milionë dollarë nga 217 mijë bileta të shitura. Sipas “Rolling Stone”, kjo seri koncertesh është “angazhimi më i madh në një vend të vetëm për këtë vit” deri më tani.
Ky sukses e vendos Beyoncén në vendin e pestë në historinë e fitimeve të mëdha në një ndalesë të vetme turneu, duke u renditur pas artistëve si grupi U2 në “Sphere” në Las Vegas (2023-2024), Harry Styles në “Madison Square Garden” (2022) dhe Take That në “Wembley” (2011).
Ajo gjithashtu bëhet artistja femër me fitimin më të madh në histori në një vend të vetëm për koncerte.
Beyoncé e nisi turneun më 28 prill dhe u rikthye në “SoFi Stadium” më 1, 4, 7 dhe 9 maj, me mesatarisht 11.1 milionë dollarë të fituar për natë, dhe mbi 43,000 spektatorë për çdo shfaqje.
Kjo nuk është hera e parë që Beyoncé bën histori në këtë stadium. Me tre performanca të tjera në “SoFi” në vitin 2023, ajo ka dhënë gjithsej tetë koncerte aty, më shumë se çdo artist tjetër në historinë pesëvjeçare të stadiumit.
Në natën hapëse të serisë së koncerteve në “SoFi”, Beyoncé u shoqërua në skenë nga dy vajzat e saj, Blue Ivy Carter dhe Rumi Carter. Blue Ivy, 13 vjeç, kërcente me nënën e saj gjatë këngës “America Has A Problem”. Më vonë, erdhi momenti emocionues kur Rumi, vetëm 7 vjeç, bëri debutimin në skenë.
Gjatë interpretimit të baladës prekëse “Protector”, Beyoncé qëndronte nën dritat e skenës së bashku me vajzat. Pas këngës, në ekranin e madh u shfaqën imazhe të saj me të tre fëmijët – përfshirë edhe binjakun e Rumit, Sir Carter.
Blue Ivy ka qenë pjesë e rëndësishme e performancave të nënës së saj edhe më parë. Ajo ishte pjesë e trupës së kërcimtarëve në turneun “Renaissance” në vitin 2023 dhe gjithashtu performoi në shfaqjen gjysmëfinale të ndeshjes së Krishtlindjes së NFL-së në 2024.
E reja e talentuar po ndjek gjurmët e prindërve të saj të famshëm, pasi në vitin 2024 ajo ka huazuar zërin e saj për personazhin Kiara në filmin e Disneyt “Mufasa: The Lion King”.