Një version i ri i filmit klasik të vitit 1939 “The Wizard of Oz”, me Judy Garland, po shfaqet në Sferën e Las Vegasit, një sallë gjigante në formë sfere, që deri tani është përdorur kryesisht për koncerte.
Por, The New York Times ka ngritur pyetjen se çfarë do të thotë kur një film i tillë përshtatet në një përvojë kaq të ndryshme, të mbështetur edhe nga inteligjenca artificiale?
Alissa Wilkinson, kritikja që mori pjesë në premierë ka thënë se ajo që pa ishte e vështirë të kategorizohej vetëm në një mënyrë.
“Detyra e një kritiku është të tregojë çfarë ka parë. Dhe unë, ndërsa rrija në karrigen time qendrore, me kokën që më rrotullohej si lodër, duke iu shmangur mollëve prej shkume dhe majmunëve fluturues, nuk mund ta shihja këtë vetëm nga një kënd”, ka shkruar ajo.
VIDEO - Si është përjetimi nga brenda sferës:
Ja tre mënyra si mund të shihet ky projekt:
Dëshmi e fuqisë së përvojës teatrale
Sipas kritikes, ky version i “The Wizard of Oz” është një “kundërsulm i madh” ndaj industrisë së filmit që shpesh ka pretenduar se njerëzit nuk duan më të shohin filma bashkërisht në salla të mëdha.
“Njerëzit i duan përvojat kinematografike, dhe i duan t’i përjetojnë së bashku, të ulen në një dhomë, të shikojnë në të njëjtin drejtim, dhe të lihen të pushtohen nga diçka gjigante. Nga një film që po i afrohet 90-vjetorit, madje”, ka shkruar ajo.
Efektet speciale janë përshtatur për Las Vegasin, një tornado që bën të fryjë erë dhe lëkund ulëset, gjethe që bien mbi shikuesit, borë e vërtetë mbi fushën me lule, flakë reale në sallë dhe majmunë të fryrë që fluturojnë.
“Fëmija pranë meje ishte i entuziazmuar nga gjithçka, mënyra më e mirë për ta parë një film si ky”, shkruan tutje ajo.
Por, sipas saj, momentet kur publiku duartrokiti më shumë nuk kishin lidhje me efektet e reja, por me vetë magjinë klasike të filmit: kthimi i qenit Toto te Dorothy dhe shkrirja e Shtrigës së Keqe.
VIDEO:
Fundi i kinemasë?
Megjithatë, kritika nuk e fsheh shqetësimin.
“Nuk ndihem rehat ta quaj këtë që pashë ‘The Wizard of Oz;. Nuk është as film. Dhe për pjesë të gjata, ishte shqetësuese”, ka thënë Wilkinson.
Problemi kryesor është mungesa e kornizës.
“Kinemaja gjithmonë ka qenë një art vizual brenda kornizës së ekranit. Në Sfere nuk ka kornizë, dhe tregimi vizual del jashtë kontrollit”, ka thënë ajo.
Kritikja vëren se shumë skena duken të shtrembëruara, fytyra e Dorothyt duket e sheshtë poshtë, sikur të ishte e mbingarkuar me qiell bosh mbi kokë. Efektet e reja, të krijuara me inteligjencë artificiale, shpesh duken artificiale dhe fytyrat e aktorëve duken të lëmuara si me filtera të TikTokut.
Sipas saj, më shqetësues është fakti se filmi është shkurtuar nga 102 minuta në vetëm 77.
“Rezultati është si ta shohësh filmin në shpejtësi 1.25x. Disa pjesë nga zemra e tij humasin, këngë si ‘If I Were King of the Forest’ ose dialogë të vegjël janë prerë krejtësisht”, ka thënë ajo.
Ajo e përshkruan këtë si një “shfaqje me shije të ‘Wizard of Oz’, më shumë si një atraksion i Disneyt sesa një film i ri”.
Paralajmërim për të ardhmen
Nga ana tjetër, Sfera shihet edhe si një “top kristali” që tregon ku mund të shkojë industria. Filmat tashmë trajtohen më shumë si “përmbajtje” se si art, materiale që mund të licencohen, ripaketohen dhe shiten në forma të ndryshme.
“’The Wizard of Oz’ tani i përket kompanisë ‘Warner Bros’. Ata miratuan prerjet dhe ndryshimet. Madje, sipas drejtuesve, edhe vetë janë futur digjitalisht në film për disa sekonda. Pyetja është: kush e zotëron në të vërtetë një vepër arti? Dhe çfarë ndodh me zgjedhjet artistike kur ato mund të rishkruhen në çdo kohë nga kompanitë?”, ka pyetur kritikja.
Ajo ka paralajmëruar se ky version i “The Wizard of Oz” sugjeron se në të ardhmen, çdo zgjedhje e artistit mund të ndryshohet, copëtohet apo përmbyset, dhe të paraqitet si origjinale, vetëm e përshtatur për kohën moderne.
“Kjo duhet t’i shqetësojë artistët”, ka thënë Wilkinson.
Ajo e ka përfunduar kritikën edhe me një pyetje thelbësore: “Nëse ky është drejtimi i ardhshëm i kinemasë, a do të pranojnë artistët që veprat e tyre të transformohen në këtë mënyrë?”