Robbie Robertson, kitaristi kryesor dhe autori i teksteve të “The Band”, ka vdekur në moshën 80-vjeçare pas një sëmundjeje me të cilën jetoi gjatë.
Grupi ndikoi thellësisht në muzikën popullore në vitet ‘60 dhe ‘70, fillimisht si një grup mbështetës për Bob Dylan në turneun e tij “Going Electric” të viteve 1965-1966, kur ai tronditi fansat duke kaluar në kitarën elektrike në kulmin e popullaritetit të tij.
I lindur më 5 korrik 1943 në Toronto, Kanada, në një familje gjysmë hebraike, Robertson e la shkollën e mesme për të ndjekur ëndrrat e tij si muzikant.
Pasi punoi me karnavalet udhëtuese në vitet e tij të hershme të adoleshencës, Robbie Robertson u bashkua dhe filloi të interpretonte me një sërë grupesh, duke përfshirë “The Hawks”, grupin mbështetës të yllit të Ronnie Hawkins, të cilit ai iu bashkua në moshën 16-vjeçare. Pikërisht atje ai takoi përfundimisht muzikantët me të cilët do të formonin “The Band”.
Ndërsa “The Band” krijoi tingujt e një zhanri muzikor të njohur si “Americana”, së bashku me Robertson, tre anëtarë të tjerë të grupit - Rick Danko, Garth Hudson dhe Richard Manuel - ishin kanadezë. Tingulli i tyre u ndikua edhe nga bateristi i Arkansas, Levon Helm, raportoi DW.
Albumi i tyre debutues i vitit 1968 si “The Band”, “Music from Big Pink”, u pa si revolucionar për autenticitetin e tij tregimtar dhe për tingullin e tij që kapte thelbin e muzikës amerikane duke përzier “country”, “blues”, “gospel”, “folk” dhe “rockabilly”.
Albumi i tyre i dytë nga viti 1969, i titulluar thjesht “The Band”, është një tjetër vepër e vlerësuar e rockut amerikan. Eric Clapton dhe George Harrison janë ndër muzikantët që thanë se ishin thellësisht të ndikuar nga tingulli i tyre në atë kohë.
Koncerti i tyre i lamtumirës i vitit 1976 në San Francisko u kap nga filmi i Martin Scorsese i vitit 1978 :The Last Waltz”. Koncerti e mbushur me yje, ku ishin edhe Bob Dylan, Joni Mitchell, Van Morrison, Neil Young, Eric Clapton, Neil Diamond, Emmylou Harris, Dr. John, Ringo Starr dhe Muddy Waters, shihej si një nga përformancat më të mëdha të koncerteve dokumentare ndonjëherë.
“Robbie Robertson ishte një nga miqtë e mi më të ngushtë, një konstant në jetën dhe punën time”, ka thënë Scorsese për frontmenin e “The Band” në një deklaratë. “Unë gjithmonë mund të shkoja tek ai si një i besuar. Një bashkëpunëtor. Një këshilltar. Unë u përpoqa të jem i njëjti për të”.
Scorsese shtoi në homazhin e tij se muzika e Robertsonit luajti një rol qendror në jetën e “miliona njerëzve” dhe i përshkroi këngët e tij si të ardhura në dukje “nga vendi më i thellë në zemër të këtij kontinenti, traditat, tragjeditë dhe gëzimet e tij”.