Kulturë

Terry Reid – muzikanti i grupeve legjendare

Terry Reid

Terry Reid, i njohur për zërin e tij të gjallë dhe shpirtëror që ia ka dhënë nofkën “Supermushkëritë”, ka vdekur në moshën 75-vjeçare, kanë konfirmuar përfaqësuesit e tij britanikë. Karriera e tij ndërthurej me ato të “The Rolling Stones” dhe Jimmy Page

Muzikanti britanik, Terry Reid, i njohur për zërin e tij të gjallë dhe shpirtëror që ia ka dhënë nofkën “Supermushkëritë”, ka vdekur në moshën 75-vjeçare, kanë konfirmuar përfaqësuesit e tij britanikë. Karriera e tij ndërthurej me ato të “The Rolling Stones” dhe Jimmy Page. Muajve të fundit ishte duke marrë trajtim mjekësor për kancer.

Në tabelat britanike asnjëherë s’ka pasur këngë të ranguar, por albumet e tij, siç është “River” i vitit 1973, kanë marrë shumë kritika pozitive. Kishte aq vetëbesim sa i kishte refuzuar kërkesat e “Led Zeppelin” dhe “Deep Purple” për t’u bërë vokalisti kryesor i atyre bendeve. Më 1968, Aretha Franklin pati thënë: “Vetëm tri gjëra po ndodhin në Angli: ‘The Rolling Stones’, ‘The Beatles’ dhe Terry Reid”.

Lindur dhe rritur në Cambridgeshire, ai ka qenë këngëtar, kitarist dhe kantautor qysh nga mosha e adoleshencës, në fillim si pjesë e grupit lokal “The Readbeats”. Pasi kishte shërbyer si mbështetës për bendin “Peter Jay and Jaywalkers”, i ishte kërkuar të bëhej pjesë e tij. Si 16-vjeçar shërbente nëpër turne si mbështetës për “The Rolling Stones”, Ike dhe Tina Turner, si dhe “The Yardbirds”. Me t’u pavarësuar si solo artist dhe me t’u bërë miq me Jimi Hendrix, Reid sërish ka qenë mbështetës për “The Rolling Stones” nëpër Shtetet e Bashkuara.

Kitaristi i grupit “Yardbirds”, Jimmy Page, e ka admiruar muzikantin Reid dhe i ka ofruar t’i bashkohej bendit të ri që donte ta formonte, por ai e kishte refuzuar, nën arsyen se ishte i angazhuar në turneun e “The Rolling Stones” në SHBA. E kishte propozuar Robert Plant, këngëtar i “Band of Joy”, bashkë me bateristin John Bonham, të cilët iu bashkuan Pageit dhe e formuan grupin “Led Zeppelin”.

“Qëllimi im ishte ta bëja atë që bëj më së miri, ndihmova të krijohej gjysma e bendit, mjaft me kaq”, kishte thënë Reid më 2024 për “The Guardian”.

E kishte refuzuar edhe ofertën e Ritchie Blackmore për t’u bërë vokalisti kryesor i bendit “Deep Purple”, pas largimit të Rod Evans më 1969, por atëbotë e kishte pranuar se “ndihet shumë i nderuar, Ritchie është prej kitaristëve më të mirë”. Në vend të tij, vokalist i bendit qe bërë Ian Gillan.

Reid kishte nënshkruar një marrëveshje për menaxhim dhe regjistrim me Mickie Most, i cili i kishte mbikëqyrur dy albumet e tij fillestare. Albumi i tij debutues “Bang Bang, You’re Terry Reid” e përmbante këngën “Without Expression”, të cilën e kishte shkruar si 14 vjeç. Kënga qe kënduar nga John Mellencamp, “REO Speedwagon” dhe “Crosby, Stills, Nash & Young”. Kishte realizuar edhe të tjera shërbime si akte hyrëse nëpër turne të profilit të lartë, si me “Cream”, “Fleetwood Mac”, “Jethro Tull” e të tjerë, por albumet asnjëherë nuk i pati komercialisht të suksesshme. Duke mos parë ndonjë përparim me Mostin, qe ndarë përfundimisht nga ai.

Në gjendje pasigurie për disa vjet, si pasojë e mosrespektimit të kontratës me Mostin, Reid iu rikthye regjistrimit me albumin “River” të vitit 1973, njëri nga tri albumet e asaj dekade, si dhe u zhvendos në Kaliforni. Në vitet ’80 kishte pauzuar nga karriera si solo artist, për t’u fokusuar më shumë në punë me artistë të tjerë, si Bonnie Raitt, Don Henley and Jackson Browne.

Më 1991 pati një kthesë me albumin “The Driver”, prodhuar nga Trevor Horn, por nuk rezultoi i suksesshëm, as kreativisht e as komercialisht. Ndonëse versioni i tij i këngës “Gimme Some Lovin’” të bendit “The Spencer Davis Group” pati një paraqitje në filmin “Days of Thunder” të Tom Cruiseit, Reid e kishte cilësuar albumin si “të padëgjueshëm”.

Albumet e hershme të Reidit u bënë favorite mes koleksionuesve të këngëve të vjetra dhe artistë si DJ Shadow dhe “Alabama 3” e patën ftuar disa herë për të bërë paraqitje si mysafir tani në moshë të shtyrë. Bendi “The Raconteurs”, Marianne Faithfull dhe Chris Cornell ishin vetëm disa prej artistëve që kanë bërë versione të këngëve të tij. Për “The Guardian” kishte thënë se posedonte sesione të papublikuara me Dr. Dre, i cili “qe fascinuar me albumin e tij ‘Seed of Memory’ dhe e pati ftuar në studio për ta përtërirë albumin krahas reperëve që i menaxhonte, një përvojë magjepsëse”.

Kishte vazhduar edhe me turne, por ishte detyruar t’i anulonte disa data, për shkak të seancave për trajtim të kancerit. Ishte ngritur një fond publik për t’ia mbuluar shpenzimet mjekësore, në të cilin thuhej “Shpirti i Terryt mbetet i fortë, dhe ai është pa fund falënderues për kujdesin e pakursyeshëm që po e merr”.

Reid “është ringjallur” nga gruaja e vet, Annette. E kanë përkujtuar edhe muzikantë si Joe Bonamassa, i cili ka thënë se Reid ishte “një prej më të mirëve në punën e tij, një person dhe një shpirt i bukur”.