Showbiz

Sly Stone, legjenda që revolucionarizoi muzikën, vdiq në moshën 82-vjeçare

Sly Stone

Sly Stone

Foto: Associated Press

Sly Stone, këngëtari, producenti dhe multi-instrumentisti që me grupin e tij “Sly and the Family Stone” ka ndikuar thellësisht në muzikën pop, funk dhe rok gjatë viteve ’60 dhe ’70, ka vdekur në Los Angeles në moshën 82-vjeçare.

The New York Times ka raportuar se shkaku i vdekjes ishte një sëmundje e gjatë pulmonare (COPD).

I njohur për përzierjen novatore të muzikës soul, R&B, gospel dhe rock psikodelik, Stone ka udhëhequr një grup ku përfshiheshin njerëz të racave e gjinive të ndryshme, duke sjellë mesazhe uniteti dhe ndryshimi shoqëror me këngë si “Everyday People”, “Dance to the Music” dhe “I Want to Take You Higher”.

Ndikimi i tij mbetet i pashlyeshëm, duke frymëzuar artistë si George Clinton, Prince, Michael Jackson, grupi Outkast dhe D’Angelo.

“Ishte një ndarje mes muzikës afromamerikane para dhe pas Sly Stone”, ka thënë kritiku Joel Selvin.

 

Sky Stone në skenë, fotografi nga agjencia e lajmeve Associated Press

Në vitet e fundit, figura e tij u rikthye në vëmendje falë dokumentarëve të realizuar nga Questlove, përfshirë “Summer of Soul” dhe “Sly Lives!”.

I lindur si Sylvester Stewart në Texas, ai u rrit në Kaliforni duke kënduar muzikë gospel me familjen e tij. Në adoleshencë, u bë yll lokal dhe u shqua si DJ progresiv që përçonte mesazhin se muzika nuk duhej të kishte ndarje racore.

Në kulmin e karrierës, Stone u tërhoq nga skena, duke u përballur me varësi dhe probleme personale.

Ai ka jetuar për vite me radhë në një karavan, duke refuzuar të kthehej në jetë “të qëndrueshme”.

“Më pëlqen të lëviz gjithmonë”, pati shkruar ai në autobiografinë e tij “Thank You (Falettinme Be Mice Elf Agin)”, botuar në vitin 2023.

Pavarësisht problemeve financiare dhe shëndetësore, Sly Stone u shqua si ikonë e padiskutueshme. “Nëse njerëzit do të marrin ndonjë mësim nga jeta ime, dua të jetë vetëm një: muzika, vetëm muzika”, pati shkruar ai.