Showbiz

Shakira ishte grimosur më shumë në të kaluarën për shkak të mungesës së vetëbesimit

Shakira

Shakira

Foto: Associated Press

Këngëtarja e mirënjohur me prejardhje latine, Shakira, ka thënë se në të kaluarën ishte grimosur më shumë për shkak të mungesës së vetëbesimit.

48-vjeçja ka thënë se ani pse adhurohej për bukurinë përgjatë viteve 2000, kur ishte në fillim të karrierës, ishte shumë e preokupuar me dukjen.

“Atëherë, kur isha më e re, më duket se më është dashur më shumë kohë që të bëhem gati për dalë diku. Mendoj se mungesa e përvojës, ndoshta edhe mungesa e vetëbesimit, më bënin që të grimosesha më shumë, si dhe isha shumë e preokupuar me dukjen”, ka thënë ajo në intervistë për revistën Allure, ka raportuar FemaleFirst.

Tani ylli ka cekur se ka më shumë vetëbesim.

Krijuesja e hitit “Hips Don’t Lie”, ka treguar se përgjatë karrierës është kujdesur vet për grimin.

“Ndër vite, i kam lejuar vetëm nja dy grimerë të ma prekin fytyrën, dhe kjo ka ndodhur shumë rrallë”, ka treguar ylli.

Kohët e fundit ajo preferon të duket me natyrale, përfshirë edhe në koncertet e pamjen skenike nëpër videoklipe.

“Nuk mund të performoj me paruke. Nuk mund të performoj me taka shumë të larta. Më duhet të jem sa më organike që të jetë e mundur, sepse kjo është mënyra se si lëviz”, ka shpjeguar këngëtarja.

Shakira, e cila ka lansuar brendin e saj të produkteve të kujdesit ndaj flokëve, “Isima”, së fundmi ka pranuar se me flokët e saj, gjithmonë ka pasur njëfarë marrëdhënie “dashuri-urrejtje”.

“Flokët e mi kanë qenë identiteti im për shumë kohë. Kështu jam ndier gjithë jetën time dhe kam pasur njëfarë marrëdhënie ‘dashuri-urrejtje’ me flokët e mi. I dua sepse më duhen, por gjithashtu i urrej kur më bëjnë të vuaj”, ka shkruar Women’s Wear Daily të ketë thënë latinoamerikanja.

Ajo pati treguar se kur ka shkuar në sallon ondulimi shpesh ka përfunduar duke qarë.

“Jam një nga ato gratë që qajnë kur largohen nga salloni i ondulimit, duke u ndier se ka përfunduar jeta pas djegies së flokëve pas përpjekjeve për t'i zbardhur”, ka thënë ylli duke shtuar se ka kaluar gati gjithë jetën duke u munduar të gjejë produkte të përshtatshme për flokë.