Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Priyanka Chopra: E tejkalova veten dhe pritshmëritë që kisha për jetën

Priyanka Chopra

Priyanka Chopra

Foto: Associated Press

Aktorja Priyanka Chopra ka rrëfyer se suksesi i saj në Bollywood dhe Hollywood ka tejkaluar pritshmëritë që kishte kur ka qenë e re. Ajo pranoi se dikur ishte e turpshme dhe e rezervuar, ndaj nuk e kishte imagjinuar se do të arrinte kaq shumë.

Në një intervistë për revistën People, aktorja 44-vjeçare, e martuar me këngëtarin Nick Jonas, ka thënë se versioni i saj i ri do të habitej jo vetëm nga karriera që ka ndërtuar, por edhe nga forca dhe këmbëngulja që ka treguar përballë vështirësive.

“Kur isha e re, isha shumë e turpshme dhe e mbyllur në vetvete. Mendoj se do të habitesha nga aftësia ime për të mbijetuar, për të mos u dorëzuar dhe për të vazhduar përpara”, u shpreh ajo.

Pasi arriti sukses në industrinë indiane të filmit, Chopra u zhvendos në Los Angeles në vitin 2013 për të ndërtuar një karrierë të re në SHBA. Ajo ka pranuar se ky ndryshim ishte i frikshëm, pasi në Indi kishte stabilitet financiar dhe ishte tashmë një emër i njohur.

“Të rifillosh karrierën në të 30-at është e frikshme. Kisha siguri financiare, po ecja mirë dhe e kisha krijuar emrin tim. Megjithatë, zgjodha t’i lija të gjitha pas dhe të nisja nga e para”, ka treguar aktorja për Variety.

Ajo ka folur gjithashtu për paragjykimet me të cilat u përball në Hollywood, duke thënë se disa njerëz krijonin bindje për të përpara se ta takonin personalisht.

“Shpesh më thoshin: ‘Oh, sa mirë që flet anglisht!’ Kishte paragjykime për mua që përpara se të hyja në një takim”, ka rrëfyer Chopra.

Aktorja ka treguar edhe për kritikat që ajo dhe bashkëshorti i saj kanë marrë për lidhjen e tyre, e cila u bë zyrtare me martesë në vitin 2018. Sipas saj, dallimet kulturore, fetare dhe diferenca në moshë bënë që disa njerëz ta gjykonin marrëdhënien e tyre.

“Ishte shumë lënduese. Por ne të dy zgjodhëm të shihnim njëri-tjetrin dhe t’i thoshim vetes: ‘Nuk ka rëndësi’. Tani kritikat nuk na prekin më si dikur”, ka thënë ajo.