Aktorja e njohur, Salma Hayek, ka treguar pse nuk përpiqet të duket e përsosur çdo ditë, duke theksuar se bukuria nuk duhet të jetë një standard i pamundur për t’u arritur.
Në një intervistë për revistën Interview, 60-vjeçarja, e martuar me biznesmenin François-Henri Pinault, ka shpjeguar se nuk dëshiron të shpenzojë shumë energji duke u përpjekur të duket gjithmonë në formën më të mirë.
“Nuk përpiqem shumë, sepse kjo më lodh. Kur je e lumtur në martesë, përpiqesh më pak. Tani, kur rregullohem dhe bëj më shumë përpjekje, bashkëshorti im habitet dhe më thotë: ‘Uau!’”, ka treguar ajo.
Sipas aktores, kur partneri mësohet të të shohë natyrshëm, pamja e jashtme nuk bëhet faktori kryesor në marrëdhënie.
“Nëse dukesh çdo ditë shumë bukur, një ditë zgjohesh duke u dukur keq dhe ai pyet veten se çka ndodhi. Por, nëse nuk përpiqesh të jesh perfekte çdo ditë, atëherë, kur rregullohesh, partneri mëson të të dojë për atë që je, jo për pamjen tënde”, u shpreh Hayek.
Aktorja ka treguar gjithashtu se me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe stili i saj i veshjes. Dikur preferonte xhinset, ndërsa tani pëlqen pantallonat e zeza prej mëndafshi, të gjera dhe me bel të ulët.
Hayek foli edhe për pasiguritë që përjetoi para se të pozonte me bikini për kopertinën e revistës “Sports Illustrated Swimsuit”, në moshën 58-vjeçare.
“Fillimisht thashë po, por kur erdhi momenti për fotografitë, u përpoqa të tërhiqesha. Rrobat e banjës nuk më rrinë kurrë mirë dhe shpesh nuk gjej masa që më përshtaten”, ka rrëfyer ajo.
Aktorja ka pranuar se nuk e kishte imagjinuar kurrë veten në kopertinën e kësaj reviste, pasi modelet që shihte kur ishte e re kishin një fizik ndryshe nga i saji.
“Trupi im nuk është domosdoshmërisht ai i një modeleje dhe nuk e kisha menduar kurrë se kjo mund të ndodhte. Që të ndodhte në moshën 58-vjeçare ishte vërtet befasuese”, ka përfunduar Hayek.