Showbiz

Scarlett Johansson pranon se ndihej “pak e mbyllur” gjatë xhirimeve të filmave të Marvel-it

scarlett johansson

Scarlett Johansson

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur e Hollywoodit, Scarlett Johansson, ka zbuluar se shpesh ndihej “pak e mbyllur” gjatë xhirimeve të filmave të Marvel-it, sidomos kur ishte pjesë e kastit me shumë yje, sepse ndonjëherë kishte ndjesinë se nuk po bënte punë që e angazhonte si aktore.

Johansson, e cila ka luajtur rolin e Black Widow (Natasha Romanoff) në filma si “The Avengers”, “Captain America: The Winter Soldier”, “Avengers: Age of Ultron”, “Avengers: Infinity War” dhe në filmin e saj solo “Black Widow”, pranoi për Interview Magazine se disa nga filmat e angazhonin më shumë personazhin e saj, ka raportuar FemaleFirst.

“Disa prej filmave që bëra për Marvel-in e angazhonin më shumë personazhin tim sesa të tjerët. Si për shembull në ‘Captain America: The Winter Soldier’ me Chris Evans, aty ishim vërtet dinamikë. Por në disa filma të tjerë, kasti ishte aq i madh dhe kishte aq shumë histori për të mbuluar, sa që fillon të ndihesh thjesht si mjet që çon përpara rrëfimin”, ka thënë ajo.

Aktorja ka shtuar se përkushtimi i gjatë në këto projekte ndikonte edhe në jetën e saj të përditshme.

“Kur je i lidhur me një projekt për pesë muaj e gjysmë, mendon: ‘Nuk mund të lyej thonjtë, nuk mund të pres flokët.’ Këto mund të tingëllojnë si probleme të vogla, por kur identiteti yt lidhet me këtë punë për një kohë kaq të gjatë, dhe nuk po bën punë vërtet interesante si aktore, ndihesh pak e mbyllur ndonjëherë”, ka thënë ajo.

Gjatë intervistës, Johansson ka biseduar edhe me aktorin David Harbour, i cili ka thënë se e kupton shumë mirë atë ndjesi pas gati një dekade në serialin “Stranger Things”.

“Është e njëjta gjë me këtë serial. Ka pasur disa sezone kur kam menduar: ‘Do të shkoj në një drejtim tjetër.’ Por, siç thua edhe ti, një pjesë e mendjes të mbetet aty, te kjo histori dhe te këta njerëz”, ka thënë Harbour.

Ai ka shtuar me humor se ani se nuk i lyen thonjtë, e kupton shumë mirë idenë kur Johannson tregoi se nuk mund t’i priste flokët.

“Kur fillova, e doja shumë. Miqtë e mi më thoshin: ‘Pas sezonit të tretë ose të katërt do të lodhesh.’ Dhe unë u thosha: ‘Kurrë! I dua të gjithë këta njerëz.’ Por arrin një pikë kur pyet veten: ‘Sa histori ka më?’”, ka thënë Harbour duke folur për përfundimin e serialit pas pesë sezonash.