Showbiz

Scarlett Johansson pritet t’i bashkohet kastit të filmit “The Batman Part II”

Scarlett Johansson

Scarlett Johansson

Foto: Associated Press

Aktorja 41-vjeçare, Scarlett Johansson, e njohur për rolin e Black Widow në filmat e Marvelit për pothuajse një dekadë, sipas Deadline është në “negociatat përfundimtare” me DC Studios dhe regjisorin Matt Reeves për një rol në vazhdimin e ardhshëm të sagës “The Barman Part II”.

Ende nuk dihet se rolin e kujt do ta luajë ajo.

Lajmi vjen pak pasi Johansson ka nënshkruar për të luajtur në një film të ri të serisë “The Exorcist”, që po zhvillohet nga Blumhouse dhe regjisori Mike Flanagan. Ekipi i saj ka qenë duke punuar për të koordinuar orarin e dy projekteve, por tani thuhet se gjithçka është stabilizuar.

Ndërkohë, aktori i njohur, Colin Farrell, ka shprehur entuziazmin e tij për kthimin në këtë univers, me xhirimet që pritet të nisin pranverën e ardhshme dhe publikimin e filmit në muajin tetor të vitit 2027. Aktori 49-vjeçar ka luajtur sërish rolin e Oz Cobb -The Penguin në një seri të veçantë të HBO-së, por mezi pret të ribashkohet me aktorët, Robert Pattinson (në rolin e Batmanit), Jeffrey Wright (në rolin e Jim Gordonit), Zoë Kravitz (në rolin e Catwoman) dhe Andy Serkis (në rolin e Alfred Pennyworth).

“Nuk ka të bëjë me ‘Çfarë mund të bëj unë’. U shpërbleva me tetë orë në HBO. Është më pak ‘Çfarë mund të bëj me këtë’ dhe më shumë thjesht të jem në atë botë, pranë Robertit dhe Jeffreyt, dhe i udhëhequr nga Matt Reeves. Jam shumë i emocionuar”, ka thënë ai për Collider.

Farrell ka thënë se e ndjen veten të privilegjuar që është pjesë e projektit.

“E dua atë botë. E kam dashur që prej fëmijërisë, që nga ‘Batman ‘66’. Burgess Meredith ishte Penguini im i parë, Danny DeVito i dyti. Pastaj erdhi puna e jashtëzakonshme e Chris Nolanit. Dhe tani mënyra si Matt e ka rikonceptuar këtë univers është unike, por njëkohësisht i qëndron besnik sfidave të qytetit dhe luftës së brendshme të Bruce Wayne dhe Batman. Të jem pjesë e kësaj bote… të jem në një histori që ndodh në Gotham, ku ekziston një personazh i quajtur Bruce Wayne dhe Batman, është një gëzim i madh për mua”, ka thënë ai.

Aktori ka shtuar se vazhdimi do të jetë “më i thellë” dhe “më i frikshëm” se filmi i vitit 2022, ani se roli i tij këtë herë është më i vogël.

“Kam një rol edhe më të vogël në këtë film. Por jam në rregull me këtë… E kam lexuar skenarin nga fillimi në fund dhe nuk mund të them shumë. Por është më i thellë, më i frikshëm, me rreziqe më të mëdha. Jam shumë i emocionuar ta shoh”, ka thënë Farell.