Aktorja 41-vjeçare do të luajë në një version “të freskët” dhe “të guximshëm” të franshizës ikonike të horrorit, pas zhgënjimit që la publikimi i vitit 2023, “The Exorcist: Believer”. Regjinë këtë herë e ka marrë Mike Flanagan.
“Scarlett është një aktore e shkëlqyer, interpretimet e së cilës janë gjithmonë të fuqishme dhe reale, qoftë në filmat e zhanrit apo në blockbusterat e verës. Jam jashtëzakonisht i lumtur ta kem në këtë film të ri të The Exorcist”, ka thënë Flangan.
Aktualisht, detajet e subjektit mbahen të fshehta dhe ende nuk dihet se çfarë roli do të ketë Johansson, apo kush tjetër do i bashkohet kastës.
Skenaristi dhe regjisori i njohur për projektet “The Haunting of Hill House”, “The Life of Chuck” dhe “Doctor Sleep” pritet të sjellë një “qasje radikale të re” në këtë pronësi filmike për Universal dhe Blumhouse.
Filmi do të vendoset në të njëjtin univers me veprën origjinale të vitit 1973, e cila u bazua në romanin e William Peter Blattyt. Klasiku i horrorit – i nominuar për 10 çmime Oscar – trajtonte historinë e një vajze të vogël të pushtuar nga djalli dhe priftërinjve që luftonin me çdo kusht ta shpëtonin.
Ndër vite janë prodhuar disa vazhdime, që zakonisht kanë ndjekur vajzën e rritur, rrëfimet e priftërinjve apo raste të tjera të hetuara nga detektivët. Megjithatë, filmi i ri raportohet se nuk do të jetë as vazhdim, as ribërje.
Flanagan, në njoftimin e parë për projektin, deklaroi se: “The Exorcist është një nga arsyet pse jam bërë regjisor, dhe është nder të kem mundësinë të sjell diçka të freskët, të guximshme dhe të frikshme brenda këtij universi. Rikthimi te miqtë e mi në Blumhouse, me të cilët kam bërë disa nga punët e mia të preferuara, e bën këtë projekt edhe më emocionues.”
Para se Flanagan të merrte drejtimin e franshizës në maj 2024, David Gordon Green ishte parashikuar të realizonte një trilogi të re të serisë. Por ai u largua pas pritjes së keqe që pati filmi i tij i vitit 2023, The Exorcist: Believer, i cili arriti vetëm 136.3 milionë dollarë në arkë.
Filmi i ri fillimisht synohej të dilte në vitin 2026, por gjatë verës Flanagan pranoi se “nuk kishte asnjë shans” të arrihej ky afat për shkak të punës në serialin e tij të ardhshëm Carrie.
Ai shkroi në Tumblr: “Xhirimet nuk kanë nisur ende, duhet të përfundojmë ‘Carrie’ fillimisht. S’ka asnjë mundësi të dalë në mars. Por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.”